E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ramush Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president të Kosovës
Bota

Ramush Haradinaj propozon Hashim Thaçin për president të Kosovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po pengon dhe po zvarrit qëllimisht procesin për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Në një deklaratë për mediat, Haradinaj ka bërë edhe një propozim të drejtpërdrejtë për postin e presidentit të Kosovës, duke kërkuar që ish-presidentit Hashim Thaçi t’i jepet një mandat i ri.

Haradinaj e ka cilësuar rikthimin e Thaçit në postin e presidentit si një “nder” që kjo legjislaturë mund t’i bëjë vendit, duke argumentuar se mandati i tij duhet të vazhdohet.

“Është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature, që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi.

Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderi ynë si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie politike, por për shkak të një kundërpërgjigjeje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe ‘x’ opsione të tjera, mos me mbajtë peng Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj: Kurti po e mban peng procesin institucional

Kreu i Aleancës ka kritikuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje për mos-thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Haradinajt, kryeministri në detyrë Albin Kurti po vendos veten mbi institucionet dhe detyrimet kushtetuese, ndërsa argumentin se mungesa e një marrëveshjeje politike mund të sjellë tensione në Kuvend e ka cilësuar si një justifikim.

“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi institucionet, mbi çdo obligim kushtetues e ligjor. Mos thirrja e seancës, me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë, është vetëm alibi.”

Haradinaj ka komentuar edhe incidentin e fundit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit.

Sipas tij, ky veprim nuk erdhi si kundërshtim ndaj thirrjes së seancës, por si reagim ndaj faktit që, sipas Haradinajt, nuk po propozohet kandidati për kryetar të Kuvendit.

“Dhuna ka ndodhur, gjuajtja me vezë për Kurtin, jo pse e ka thirrë seancën, por pse nuk po kandidon kryetarin e Kuvendit, që është detyrë e tij”, u shpreh Ramush Haradinaj para mediave.

Ndërkohë, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë më 16 shtator aktgjykimin në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Propozimi i Haradinajt për një mandat të ri presidencial për Thaçin vjen në një moment të ndjeshëm politik për Kosovën, teksa vendi përballet me vështirësi në konstituimin e institucioneve të reja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.