Një person i armatosur ka mundur t’i shpëtojë Policisë gjatë një aksioni për kontrollin e një parcele me bimë të dyshuara narkotike në fshatin Kodërbojë të Pukës.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të parcelës, efektivët kanë konstatuar një person të armatosur. Sapo ka parë shërbimet policore, ai është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar.
Për ta paralajmëruar dhe ndaluar, një prej efektivëve ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
“Një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, për ta paralajmëruar, por personi i armatosur, duke përfituar nga terreni, ka mundur të largohet”, njofton Policia.
Në këtë mënyrë, Policia ka sqaruar se të shtënat e dëgjuara gjatë aksionit kanë ardhur nga një efektiv dhe jo nga personi i armatosur.
Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e personit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.