E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Alo jam Bashkim Ulaj”, skema me AI i kushton 100 mijë € kambistit
Lajme

“Alo jam Bashkim Ulaj”, skema me AI i kushton 100 mijë € kambistit

Një skemë e sofistikuar mashtrimi, ku dyshohet se është përdorur inteligjenca artificiale për të imituar identitetin e një biznesmeni, i ka kushtuar 100 mijë euro një 70-vjeçari në Tiranë, pronar i një pike këmbimi valutor.

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit janë arrestuar Brian Serica, 31 vjeç, dhe Skerdi Meta, 23 vjeç, ndërsa një tjetër person, R. H., 31 vjeç, është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, autorët dyshohet se kanë përdorur inteligjencën artificiale gjatë komunikimit me 70-vjeçarin, duke iu prezantuar si persona të njohur të tij. Në skemë dyshohet se është përdorur edhe emri dhe imazhi i biznesmenit Bashkim Ulaj, për ta bindur viktimën se po komunikonte me të.

Sipas informacioneve të bëra publike, 70-vjeçari ka marrë një komunikim në WhatsApp nga një numër që pretendohej se i përkiste Ulajt. Personi në anën tjetër i ka kërkuar që të përgatiste 100 mijë euro, duke i thënë se paratë do t’i ktheheshin pas disa orësh.

Për ta bërë komunikimin më bindës, dyshohet se është përdorur edhe kamera. Gjatë bisedës, në ekran është shfaqur për pak sekonda një imazh i Bashkim Ulajt, i krijuar ose manipuluar përmes inteligjencës artificiale.

Duke besuar se po komunikonte me biznesmenin, 70-vjeçari përgatiti shumën dhe ia dorëzoi një personi që shkoi në pikën e këmbimit valutor për ta marrë atë.

Por paratë nuk u kthyen në orarin e premtuar.

Kur 70-vjeçari tentoi të kontaktonte sërish numrin në WhatsApp, nuk mori përgjigje. Ai kontaktoi më pas drejtpërdrejt Bashkim Ulajn, i cili i tha se nuk kishte komunikuar me të dhe se nuk kishte kërkuar asnjë shumë parash.

Vetëm atëherë 70-vjeçari kuptoi se kishte rënë pre e një skeme mashtrimi dhe njoftoi Policinë.

Policia: Hetimet vijojnë

Sipas Policisë së Tiranës, personat e arrestuar dyshohet se përdorën inteligjencën artificiale për t’u paraqitur si të njohur të 70-vjeçarit dhe për ta bindur atë të dorëzonte shumën prej 100 mijë eurosh.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personit që ka shkuar në subjekt dhe ka marrë fizikisht paratë, si dhe për dokumentimin e rolit të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në skemë.

Policia njoftoi:

“Në kuadër të operacionit të koduar ‘Shuma’, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.”

Sipas njoftimit, hetimet vijojnë për kapjen e personit që ka marrë shumën e parave dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në rast.

Në një tjetër operacion të koduar “Imazhi”, Policia ka ndaluar edhe një 37-vjeçar, i dyshuar për raste të tjera mashtrimi dhe vjedhjeje në biznese në Tiranë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.