Tronditet bota e futbollit, futbollisti serb kapet me 1.5 ton kokainë
Një operacion i zhvilluar nga policia portugeze ka çuar në arrestimin e futbollistit serb Uros Milosevic, 31 vjeç, i cili u ndalua teksa drejtonte një furgon në autostradën A6.
Kontrolli i automjetit zbuloi një ngarkesë të jashtëzakonshme droge. Brenda furgonit u sekuestruan më shumë se 1.5 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur mbi 70 milionë euro. Krahas drogës, efektivët gjetën edhe dy armë ushtarake, të cilat sipas autoriteteve ishin të gatshme për përdorim.
Operacioni konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve kriminale që veprojnë në kuadër të të ashtuquajturit “Karteli i Ballkanit”.
Milosevic dyshohet se kishte rol të drejtpërdrejtë në transportimin e ngarkesës së madhe të kokainës. Sasia e sekuestruar dhe prania e armëve ushtarake kanë ngritur dyshimet e autoriteteve për përfshirjen e tij në një rrjet të organizuar të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Kush është Uros Milosevic?
Përtej ngjarjes së rëndë në Portugali, Uros Milosevic nuk është një emër krejtësisht i panjohur në futbollin serb. 31-vjeçari ka luajtur gjatë karrierës së tij për disa klube në Serbi, megjithëse nuk ka pasur një profil të lartë ndërkombëtar.
Arrestimi i tij ka tërhequr vëmendje të veçantë pikërisht për shkak të kontrastit mes aktivitetit sportiv dhe dyshimeve të ngritura tashmë nga autoritetet portugeze për transportimin e një sasie rekord kokaine dhe armëve të luftës.
Sasia e drogës së sekuestruar e bën operacionin një prej goditjeve të rëndësishme ndaj trafikut të kokainës në territorin portugez, ndërsa hetimet pritet të zbardhin edhe lidhjet e mundshme të 31-vjeçarit me rrjetin kriminal që qëndron pas ngarkesës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



