E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë ka rrëfyer ish-partnerja e McGonigal për Ramën
Flash

Çfarë ka rrëfyer ish-partnerja e McGonigal për Ramën

Vdekja e ish-partneres së McGonigal rikthen dëshmitë për Shqipërinë dhe çantën me 80 mijë dollarë

Vdekja e Allison Guerrieros ka rikthyer në vëmendje dëshmitë që ajo kishte dhënë gjatë viteve të fundit për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, udhëtimet e tij në Shqipëri, kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe një çantë me 80 mijë dollarë që pretendonte se kishte gjetur në apartamentin ku jetonin në Brooklyn.

Gjatë tri viteve para vdekjes, Guerriero ishte intervistuar disa herë ekskluzivisht nga britanikja “Daily Mail”. Në rrëfimet e saj ajo kishte zbuluar detaje nga marrëdhënia me McGonigal dhe dyshimet që i kishin lindur për veprimtarinë e tij.

McGonigal kishte banesën familjare në Chevy Chase të Marylandit, por pas emërimit në Nju Jork në vitin 2016 jetonte edhe në një apartament me nënqira në Park Slope të Brooklynit.

Guerriero kishte treguar se besonte që ai ishte ndarë nga bashkëshortja dhe po përgatitej për divorc. Për këtë arsye, ajo ishte zhvendosur në apartamentin e tij.

“Ai më thoshte se ajo ishte një nënë e shkëlqyer, por se martesa kishte marrë fund dhe se të dy po vazhdonin jetën e tyre”, kishte rrëfyer Guerriero.

Sipas saj, McGonigal nuk e fshihte marrëdhënien. Ai e kishte marrë edhe në selinë e FBI-së në Manhattan, ku ua kishte prezantuar personave të tjerë si të dashurën e tij.

Udhëtimi në Shqipëri dhe kontaktet me Edi Ramën

Pikërisht gjatë kësaj periudhe shfaqet edhe Shqipëria. Sipas “Daily Mail”, McGonigal udhëtoi në Tiranë në vitin 2017, kur vazhdonte të ishte në marrëdhënie me Guerrieron. Ajo pretendonte gjithashtu se ai i kishte propozuar ta shoqëronte në një takim me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Guerriero kishte folur edhe për raportet e McGonigal me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Sipas saj, komunikimi mes tyre ishte i drejtpërdrejtë dhe personal.

“E di se ishin miq të afërt, personalë, sepse e kam dëgjuar Edi Ramën ta kontaktonte drejtpërdrejt në telefon. Kam qenë e pranishme kur kanë folur. Edi Rama gënjen nëse thotë se nuk njiheshin dhe nuk ishin miq”, deklaronte ajo.

Guerriero pretendonte se McGonigal i kishte thënë se shkonte në Tiranë për të punuar me agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit dhe se bashkëpunonte ngushtë me Ramën.

“Ai më thoshte se punonte shumë afër me Ramën dhe se gjithçka bëhej nën mbikëqyrjen e drejtorit të FBI-së”, shprehej ajo.

Çanta me 80 mijë dollarë në apartament

Një nga episodet më të rëndësishme të rrëfyera prej Guerrieros lidhej me shumën e parave që pretendonte se kishte gjetur në apartament.

Në fillim të tetorit 2017, çifti kishte planifikuar një darkë për ditëlindjen e saj. Darka ishte shtyrë për shkak të angazhimeve që McGonigal kishte me drejtorin e FBI-së, Christopher Wray.

“Prandaj dolëm më 5, 6 ose 7 tetor”, kishte treguar Guerriero.

Kjo periudhë përkon me një episod të dokumentuar në dosjen penale amerikane. Sipas dokumenteve gjyqësore, më 5 tetor 2017 McGonigal mori 80 mijë dollarë nga një person i përshkruar si ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare. Paratë iu dorëzuan në një automjet të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork.

Guerriero deklaronte se nuk kujtonte ndonjë episod gjatë darkës që mund të lidhej drejtpërdrejt me dorëzimin e parave. Megjithatë, pasi kishte mësuar për dosjen, ajo kishte nisur të dyshonte se darka mund të ishte përdorur si mbulesë.

Disa javë më vonë, sipas saj, kishte gjetur në apartament një çantë me atë që besonte se ishin 80 mijë dollarë. Paratë ishin në kartëmonedha 100-dollarëshe, të mbështjella me kujdes.

“Mendova se ishin ato që ne i quajmë ‘flash rolls’, para që mund t’i jepen një informatori ose agjenti të infiltruar për të vazhduar një operacion në terren”, kishte treguar ajo.

Sipas Guerrieros, kartëmonedhat ndodheshin në një qese plastike të zezë me shkrime të arta. Ato nuk ishin fshehur, por ishin lënë pranë derës kryesore.

Kur e kishte pyetur për origjinën e tyre, McGonigal i ishte përgjigjur se i kishte fituar duke vënë bast në një ndeshje bejsbolli. Pikërisht në atë moment, sipas saj, dyshimet kishin filluar të shtoheshin.

“Më shkoi në mendje se ky njeri ishte tradhtar”

Marrëdhënia e tyre përfundoi në prag të Krishtlindjeve të vitit 2018. Guerriero tregonte se McGonigal i kishte pranuar se nuk do të divorcohej nga bashkëshortja.

“Ai më tha se do të qëndronte i martuar dhe se ne po ndaheshim. Unë e pyeta: Çfarë dreqin kishim bërë atëherë gjatë 18 muajve të fundit?”, kujtonte ajo.

Tre muaj para ndarjes, McGonigal ishte larguar nga FBI-ja. Më pas ai mori një pozicion drejtues në sektorin e sigurisë së një banke, me një pagë të raportuar prej 850 mijë dollarësh në vit.

Pas përfundimit të marrëdhënies, Guerriero nisi të analizonte episodet që kishte përjetuar. Në vitin 2019 ajo kontaktoi persona që njihte brenda FBI-së dhe u tregoi dyshimet e saj.

“Pasi Charlie dhe unë u ndamë, kalova javë dhe muaj duke i rikthyer të gjitha ngjarjet në mendjen time”, deklaronte ajo.

Përfundimi në të cilin pretendonte se kishte arritur ishte i rëndë.

“Më shkoi në mendje se ky njeri ishte tradhtar. Ai merrte ryshfete për të shitur ndikimin e tij. Merrte ryshfete për të punuar me Oleg Deripaskën, të cilin më kishte ftuar ta takoja në Vjenë kur ishim ende bashkë”, pretendonte Guerriero.

Ajo ishte shprehur gjithashtu e zhgënjyer nga reagimi që kishte marrë kur tentoi të paralajmëronte FBI-në.

“Sa herë përpiqesha të flisja me FBI-në, ata nuk donin të dëgjonin. I tregova ish-shefit të tij dhe personave të tjerë në nivelet e larta drejtuese, por askush nuk bëri asgjë”, deklaronte Guerriero.

Sipas saj, FBI-ja dhe Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk dëshironin të pranonin se një prej zyrtarëve të tyre më të rëndësishëm mund të ishte komprometuar.

Vdekja në Florida dhe pritja e autopsisë

Charles McGonigal u arrestua në janar 2023. Çështja mori vëmendje të madhe në Shqipëri për shkak të udhëtimeve dhe kontakteve të tij në Tiranë, takimeve me kryeministrin Edi Rama dhe pagesave të lidhura me shqiptaro-amerikanin Agron Neza.

Rrëfimet e Guerrieros kanë marrë një peshë të re pas vdekjes së saj në Florida. Policia e Boynton Beach ka deklaruar se deri tani nuk janë konstatuar shenja të një akti kriminal. Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore.

Edhe babai i saj ka deklaruar se, nga sa kishte dijeni, e bija nuk kishte shfaqur frikë se dikush kërkonte ta dëmtonte. Ai tha se nuk kishte arsye ta konsideronte vdekjen të dyshimtë, ndërsa familja është në pritje të raportit të autopsisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.