Çollaku: Rama është shembur, nuk gënjen më as socialistët
Gazetari Basir Çollaku ka deklaruar se protesta qytetare, e cila vijon prej 94 ditësh, ka ndikuar në dobësimin politik të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Në një intervistë për News24, Çollaku tha se presioni i krijuar nga protesta e ka vendosur Ramën në një pozicion të vështirë politik. Sipas tij, lëvizjet e fundit të kryeministrit janë përpjekje për të ruajtur kontrollin politik, por nuk po arrijnë të bindin as një pjesë të mbështetësve socialistë.
Gazetari argumentoi se largimi i Ramës nga pushteti do t’u jepte qytetarëve mundësinë që procesi zgjedhor të merrte një tjetër kuptim, ndërsa paralajmëroi se protesta mund të vijojë të zgjerohet.
“Këto 94 ditë kanë shërbyer për ta dobësuar Ramën në një përmasë që s’ka qenë herë të tjera. E kanë vënë me shpatulla pas muri. Rama nuk rritet e forcohet më përballë protestës. Do të konsumojë edhe këto pasqyra, dhe racione folklorike që është duke u përpjekur t’i arnojë politikisht, të cilët nuk gënjejnë më askënd. Nuk është duke gënjyer as socialistët që një pjesë i ka në shesh. Largimi i Ramës çliron kutitë e votimit. Nëse nuk ndodh, votimet janë të padobishme. Atëherë Shqipëria ka shanse të futet në një shteg ndryshimi”, u shpreh Çollaku.
Sipas tij, ditët në vijim mund të sjellin një intensifikim të protestës dhe shtim të presionit ndaj qeverisë. Ai pretendoi gjithashtu se pozita e Ramës në raport me partnerët ndërkombëtarë është dobësuar ndjeshëm.
“Besoj se protesta do të rritet, presioni do të shtohet dhe mbështetja ndërkombëtare ndaj saj do të shtohet. Rama ndërkombëtarisht është shembur. Nuk ekziston më një kryeministër që do ta presë dikush, ta ulë dikush nga homologët e tij evropianë dhe amerikanë”, deklaroi gazetari.
Çollaku u ndal edhe te roli i institucioneve të drejtësisë, duke argumentuar se një reagim më i fortë i strukturave ligjzbatuese do ta kishte shmangur, sipas tij, nevojën për protesta të tilla qytetare.
“Nëse SPAK apo agjencitë e zbatimit të ligjit do të kishin bërë detyrën ne nuk do të kishim protestë. Nuk do të kishim as kryeministër, as ministra, as bashkiakë dhe as zyrtarë të korruptuar”, tha ai.
Gazetari kritikoi gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar rastet e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e hetimeve dhe ndjekjes penale.
“Kur shoh që boshatisen qelitë nga funksionet publikë pa u dënuar, ka dështuar njëra palë. Këta që dalin apo ata që hetojnë? Kanë dështuar ata që hetojnë”, përfundoi Basir Çollaku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



