E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mjeku, pacienti dhe Pasqyra
Lajme

Mjeku, pacienti dhe Pasqyra

Ti e lë veten në dorë të një mjeku. E ke zgjedhur vetë, i beson dhe për 13 vite me radhë ndjek me përpikëri terapinë e tij. Por mjeku gabon. Tek e fundit, njeri është edhe ai.

Problemi është se gabimet përsëriten, gjendja sa vjen e përkeqësohet dhe terapia nuk funksionon. Ilaçet kushtojnë gjithnjë e më shumë, analizat e kontrollet po ashtu, ndërsa recetat duken sikur shkruhen për të pasuruar farmacistin, jo për të shëruar pacientin.

Ti ankohesh, por mjeku të thotë me qetësi: “Durim. Sëmundja vjen me okë e ikën me derhem. Pak durim.”

Ti vazhdon të ankohesh, por ai të bind se, në fakt, je përmirësuar dukshëm krahasuar me vitin 2013. Thjesht nuk je në gjendje ta kuptosh se sa mirë je.

Në fund, trupi nuk mban më, reagon, lëngon dhe proteston.

I ndodhur nën presion, mjeku më në fund reflekton. “Ke shumë të drejtë që reagon – kam reflektuar gjatë dhe e kam gjetur zgjidhjen.”

Por zgjidhja e tij nuk është as ndryshimi i terapisë, as rishikimi i diagnozës së gabuar, as anulimi i recetave që të kanë dërrmuar.

Mjeku e ka gjetur zgjidhjen te… komunikimi.

“Tani,” thotë, “do të të dëgjoj. Të jap besën e burrit se do të jem pranë teje, besnikërisht.”

Madje krijon edhe një dhomë të posaçme për të të dëgjuar dhe vendos aty një pasqyrë të madhe, ku jo vetëm mund të dëgjojë për dhimbjet që ke, por edhe t’i shohë ato.

Pacienti afrohet te pasqyra, sheh veten dhe me pas sheh mjekun pas vetes. Kthehet dhe del nga dhoma.
Mjeku mbetet vetëm, përballë pasqyrës.

Teksa largohet, i sëmuri dëgjon mjekun që vazhdon t’i shpjegojë Pasqyrës se sa shumë është përmirësuar pacienti tij…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.