E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erion Veliaj vijon me “operacionin fshesa” në Bashkinë e Tiranës
Lajme

Erion Veliaj vijon me “operacionin fshesa” në Bashkinë e Tiranës

Zbulohet kush janë të shigjetuarit e radhës

Një tjetër valë ndryshimesh pritet të përfshijë Bashkinë e Tiranës, pas largimit të Anuela Ristanit dhe dorëheqjes së Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit.

Burime bëjnë me dije se kryebashkiaku Erion Veliaj ka kërkuar largimin e disa prej zyrtarëve më të lartë të administratës bashkiake. Sipas të njëjtave burime, në rast se zyrtarët nuk pranojnë të dorëhiqen, vendimi për shkarkimin e tyre pritet të merret nga vetë kryebashkiaku.

Ndryshimet pritet të konkretizohen gjatë kësaj jave dhe, sipas burimeve, bëhet fjalë për një ndërhyrje të rëndësishme në strukturën drejtuese të Bashkisë së Tiranës.

Në fokus janë fillimisht tre prej nënkryetarëve të Bashkisë: Ilir Mengra, Blendi Sulaj dhe Gentian Keri. Mësohet se Veliaj u ka kërkuar të treve të paraqesin dorëheqjen nga detyra.

Në postin e nënkryetares pritet të vijojë të qëndrojë Vasilika Vjero, e cila nuk është përfshirë në kërkesën për largim.

Deri në këto momente, nuk rezulton që Ilir Mengra, Blendi Sulaj apo Gentian Keri të kenë depozituar zyrtarisht dorëheqjet e tyre.

Megjithatë, sipas burimeve, qëndrimi i Veliajt është i prerë. Nëse tre nënkryetarët nuk pranojnë të largohen përmes dorëheqjes, pritet që kryebashkiaku të firmosë shkarkimin e tyre.

Në listë edhe tre drejtues të tjerë

Lëvizjet e pritshme nuk kufizohen vetëm te niveli i nënkryetarëve. Në listën e zyrtarëve që mund t’u kërkohet largimi janë edhe Erion Çaka, Daniel Demiri dhe Berta Piro.

Sipas burimeve, edhe për këta tre zyrtarë skenari është i njëjtë: fillimisht kërkesa për dorëheqje dhe, në rast refuzimi, shkarkimi nga detyra.

Të tre janë emra që janë afruar në administratën e Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës së re të drejtimit të institucionit dhe, sipas burimeve, konsiderohen të lidhur politikisht me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Bëhet fjalë për poste me peshë të konsiderueshme në funksionimin e administratës së kryeqytetit.

Erion Çaka drejton Drejtorinë e Përgjithshme të Drejtorisë Juridike, Aseteve dhe Licencimit, strukturë që mbulon çështje të rëndësishme juridike, pronësinë dhe administrimin e aseteve të Bashkisë së Tiranës.

Daniel Demiri është Drejtor Kabineti në Bashkinë e Tiranës. Pozicioni e vendos atë në strukturën që funksionon drejtpërdrejt pranë drejtimit politik të institucionit.

Ndërkohë, Berta Piro mban detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Menaxhimit Financiar, një post kyç për administrimin financiar, buxhetin dhe menaxhimin e fondeve të Bashkisë.

Nëse ndryshimet shtrihen edhe te këta tre drejtues, atëherë bëhet fjalë për një riformatim të konsiderueshëm të administratës së Bashkisë së Tiranës.

Kjo pasi lëvizjet prekin njëkohësisht disa prej hallkave më të rëndësishme të institucionit: drejtimin politik përmes nënkryetarëve, kabinetin e kryebashkiakut, sektorin financiar dhe strukturën juridike e të administrimit të aseteve.

Pas largimit të Anuela Ristanit dhe dorëheqjes së Sekretarit të Përgjithshëm, një valë e re shkarkimesh ose dorëheqjesh do të shënonte një ndërhyrje të gjerë në nivelet drejtuese të Bashkisë së Tiranës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.