E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Mos u bëni sekserë”, Rama kujtohet për popullin pas 14 vitesh
Lajme

“Mos u bëni sekserë”, Rama kujtohet për popullin pas 14 vitesh

U jep “detyrat e shtëpisë” deputetëve: Çdo të premte në 5, lini zyrat, dëgjoni popullin, tek për tek dhe pa kamera

Pas më shumë se një dekade në pushtet, kryeministri Edi Rama duket se ka gjetur një tjetër formulë për t’i afruar deputetët socialistë me qytetarët: çdo të premte, në orën 17:00, ata duhet të dalin në terren dhe të dëgjojnë shqiptarët ballë për ballë.

Gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe strukturat drejtuese, Rama vendosi një rregull të prerë për deputetët, duke deklaruar se “prania besnike” do të jetë një detyrim për sa kohë ai do të jetë në krye të PS-së.

“Çdo të premte në orën 5, deri sa unë të jem kryetar i PS, do të keni praninë besnike. Të gjithë, në territor, pranë njerëzve. Jo për mbledhje, ku vijnë njerëzit, flasin dhe fillojmë flasim. Prania besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, deklaroi Rama.

“Pa kamera”, vetëm halli i qytetarit

Sipas kryeministrit, deputetët nuk duhet të organizojnë takime formale apo aktivitete politike ku qytetarët mblidhen për të dëgjuar ligjvënësit.

Formula e kërkuar nga Rama është më direkte: qytetari duhet të ulet përballë deputetit dhe të tregojë problemin e tij, ndërsa deputeti duhet ta dëgjojë dhe ta dokumentojë atë.

“Të vijë kushdo të qajë hallin, të flasë tek për tek, dhe të mbajë shënim hallin që robi i zotit po flet. Pa kamera. Vetëm me foto në fillim të takimit nëse personi pranon, dhe pa ekspozim fytyre. Refuzohet përkatësia partiake, nuk ka rëndësi”, tha ai.

Në këtë mënyrë, Rama kërkon që takimet të mos shndërrohen në një tjetër aktivitet propagandistik të partisë, por në një komunikim individual me qytetarët.

Por pas 14 vitesh qeverisje, kërkesa për të rikthyer deputetin përballë qytetarit, pa kamera dhe me bllokun e shënimeve në dorë, sjell edhe një pyetje të pashmangshme: pse kjo formulë duhet të zbulohej vetëm tani?

“Mos u bëni sekserë”

Rama u dha deputetëve edhe një tjetër porosi, këtë herë për mënyrën se si duhet të trajtohen kërkesat e qytetarëve.

Sipas tij, deputeti nuk duhet të shndërrohet në ndërmjetës që telefonon drejtorë apo zyrtarë për të siguruar favore jashtë procedurave.

“Mos jepni shpresë për ndihmë jashtë rregullave. Deputeti nuk kthehet sekser, të mos marrin asnjë drejtor në telefon, por të dërgojë me shkrim institucional hallin e qytetarit”, u shpreh kryeministri.

Pra, qytetari mund të vijë, të flasë, të tregojë hallin dhe deputeti ta përcjellë në mënyrë institucionale. Jo telefonata në korridoret e administratës dhe jo premtime për zgjidhje që anashkalojnë rregullat.

Një “zbulim” pas 14 vitesh

Por mënyra se si është prezantuar kjo nismë nuk mund të mos ngjallë edhe ironi.

Pas 14 vitesh në drejtimin e vendit, një prej problemeve që vetë kryeministri identifikon sot është distanca mes politikës dhe qytetarit.

Për vite me radhë janë promovuar platforma digjitale, “bashkëqeverisja”, komunikimi online dhe mekanizma të ndryshëm për marrjen e ankesave. Tani, një tjetër zgjidhje vjen në formën më tradicionale të mundshme: deputeti të ulet përballë qytetarit dhe ta dëgjojë.

Madje, jo në televizion, jo në miting dhe jo përmes një deklarate politike.

Thjesht një takim të premten në orën 17:00.

Nëse kjo është mënyra për të rikthyer besimin te politika, atëherë pyetja është sa prej halleve të mbledhura në këto 14 vite do të përfundojnë realisht në zgjidhje dhe sa do të mbeten në bllokun e shënimeve të deputetit.

Sepse qytetari shqiptar nuk ka pasur ndonjëherë mungesë mundësish për të treguar hallin.

Problemi ka qenë gjithmonë nëse dikush e zgjidh atë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.