E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qeveria ndryshon rregullat, ndërtimet pa leje në duart e shtetit
Lajme

Qeveria ndryshon rregullat, ndërtimet pa leje në duart e shtetit

Çfarë parashikon ligji i ri?

Nga konfiskimi te përfundimi i pallateve dhe strehimi social/ AAPSK merr kontrollin e plotë, ndërsa krijohet fond i posaçëm dhe parashikohet mbrojtje për blerësit

Qeveria shqiptare ka depozituar zyrtarisht në Kuvend projektligjin e ri që synon të ndryshojë mënyrën e administrimit të ndërtimeve pa leje që janë konfiskuar nga shteti.

Nisma e re synon të përshpejtojë procedurat administrative, të shmangë zvarritjet burokratike dhe t’i kthejë pasuritë e konfiskuara në funksion të interesit publik, përfshirë edhe nevojat për strehim social. Një tjetër objektiv është mbrojtja e qytetarëve që mund të jenë dëmtuar nga veprimet apo shkeljet e subjekteve ndërtuese.

Thelbi i reformës është ndryshimi i modelit të vendimmarrjes. Nga një sistem ku kompetencat ishin të shpërndara ndërmjet disa institucioneve, projektligji kalon drejt një skeme të centralizuar, ku përgjegjësinë kryesore e merr Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, kuadri aktual ka hasur në vështirësi dhe vonesa si pasojë e asaj që cilësohet si “vendimmarrje e fragmentuar” ndërmjet Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe institucioneve të tjera.

Pikërisht për këtë arsye, projektligji parashikon shfuqizimin e Komisionit dhe kalimin e kompetencave te AAPSK.

Ndryshimet synojnë, ndër të tjera, “forcimin e rolit të AAPSK-së, si organ unik përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e objekteve, të cilat kanë statusin ‘konfiskuar’”, si dhe krijimin e një “grupi pune, si strukturë e përhershme teknike”.

Pasuritë e konfiskuara do të përdoren për nevoja sociale

Një nga pikat kryesore të projektligjit lidhet me mënyrën se si do të përdoren objektet pasi të kalojnë në administrimin e shtetit.

Neni 14 përcakton procedurat për destinimin e ndërtimeve të konfiskuara për strehim social dhe qëllime të tjera me interes publik. Në këtë kuadër, parashikohet edhe mënyra se si këto pasuri mund t’u kalojnë institucioneve publike ose njësive të vetëqeverisjes vendore.

Projektligji përcakton:

“…procedurat për destinimin e objekteve të konfiskuara për nevoja të strehimit social dhe interes publik, si dhe mënyrën e kalimit të tyre në pronësi, përdorim ose përgjegjësi administrimi të institucioneve publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.”

Pra, objektet e konfiskuara nuk do të mbeten thjesht pasuri të administruara nga shteti, por synohet që ato të vihen në funksion të komunitetit, veçanërisht në rastet kur mund të përdoren për strehim social ose shërbime me interes publik.

Shteti merr përsipër pallatet e lëna përgjysmë

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me ndërtesat që mbeten të papërfunduara pasi zhvilluesit humbasin të drejtën mbi to për shkak të konfiskimit.

Projektligji krijon një mekanizëm për ndërhyrjen e shtetit në këto objekte, duke përcaktuar mënyrën e administrimit, vlerësimit dhe përfundimit të punimeve.

Nenet 12, përmes shtimit të nenit 19/1, dhe neni 15 parashikojnë procedurat që do të ndiqen për ndërtesat me investim të papërfunduar.

Sipas relacionit, kuadri i ri përcakton:

“…procedurat për administrimin dhe zhvillimin e objekteve me investim të papërfunduar, mënyrën e vlerësimit të tyre, përcaktimin e kostove të përfundimit të punimeve, përgjegjësitë e subjekteve zhvilluese dhe procedurat për regjistrimin dhe administrimin e këtyre objekteve.”

Për përfundimin e punimeve do të përzgjidhen operatorë ekonomikë përmes procedurave të prokurimit publik. Autoriteti kontraktor që do të zhvillojë këtë proces do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave për çdo rast konkret.

Projektligji parashikon:

“Procedurat e prokurimit publik për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë, si dhe realizimi, mbikëqyrja, përfundimi i punimeve të nevojshme e kolaudimi i tyre, referuar ndërtimeve të papërfunduara, kryhen nga autoriteti kontraktor, i cili caktohet, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave.”

Financimi do të mbështetet nga një fond i veçantë i dedikuar për këtë qëllim.

Çfarë ndodh me qytetarët që kanë blerë apartamente?

Projektligji përpiqet të adresojë edhe një nga problemet më të ndërlikuara të ndërtimeve të konfiskuara: fatin e blerësve dhe personave të tretë që kanë investuar në këto objekte përpara se ato të konfiskoheshin.

Neni 17 parashikon njohjen e marrëdhënieve juridike të krijuara më herët dhe përcakton një sërë mekanizmash për mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave.

Relacioni shpjegon se dispozita rregullon “…të drejtat e personave të tretë, njohjen e marrëdhënieve kontraktuale, procedurat e kompensimit financiar, trajtimin e kontratave të kleringut dhe pjesëmarrjen e tyre në procedurat e shitjes së objekteve të konfiskuara.”

Në këtë mënyrë, projektligji synon të ndajë përgjegjësinë e shkeljeve të zhvilluesve nga të drejtat e qytetarëve që kanë vepruar si blerës apo investitorë.

Në tekstin shpjegues përcaktohet gjithashtu se përgjegjësitë financiare dhe ligjore për përfundimin e punimeve do t’u mbeten subjekteve që kanë kryer shkeljet.

“Ndryshimet e propozuara adresojnë këtë boshllëk, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë ligjore, financiare dhe detyrimet e këtyre subjekteve për përfundimin e punimeve të mbetura.”

6 muaj kohë për vetëdeklarimin

Projektligji sjell edhe një mundësi tranzitore për subjektet që posedojnë ndërtime pa leje.

Neni 23 parashikon një periudhë gjashtëmujore vetëdeklarimi, gjatë së cilës subjektet që kanë në posedim objekte të ndërtuara pa leje mund t’i deklarojnë ato pranë organit kompetent, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT).

Sipas dispozitës:

“…subjektet poseduese, të cilët deklarojnë me vullnetin e tyre objektet e ndërtuara pa leje, pranë organit kompetent (AZHT), brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t’i njihet e drejta e parablerjes dhe do të kenë mundësi t’i nënshtrohen procedurave përkatëse.”

Kjo periudhë synon të krijojë një fazë kalimtare për trajtimin e ndërtimeve pa leje përpara se ato të kalojnë në procedura të tjera administrative.

Krijohet fondi i posaçëm për ndërtimet pa leje

Për të mbështetur financiarisht përfundimin dhe administrimin e objekteve të papërfunduara, projektligji parashikon ngritjen e një “Fondi të veçantë / të dedikuar për ndërtimet pa leje”.

Ky fond do të përdoret për mbulimin e kostove që lidhen me vlerësimin, zhvillimin dhe kompensimet e parashikuara nga mekanizmi i ri.

Sipas relacionit, financimi do të bëhet në mënyrë të tillë që të mos krijohen efekte shtesë mbi Buxhetin e Shtetit.

Projektligji tashmë është depozituar në Kuvend dhe pritet të nisë shqyrtimin në komisionet parlamentare. Pas fazës së diskutimit dhe shqyrtimit të amendimeve të mundshme, nisma do t’i nënshtrohet votimit në seancë plenare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.