Nami i zi në vend, nafta kap rekorde të reja në Shqipëri
Çmimet e karburanteve në tregun shqiptar kanë marrë një tjetër goditje në rritje, duke e çuar naftën pranë niveleve më të larta të regjistruara gjatë krizës energjetike të vitit 2022.
Nafta, e cila më parë tregtohej me rreth 219 lekë për litër, tashmë ka arritur në intervalin 226–229 lekë. Bëhet fjalë për një rritje prej rreth 7 deri në 10 lekësh për litër.
Shtrenjtimi është reflektuar edhe te benzina. Çmimi i saj është rritur nga rreth 205 lekë në 216–219 lekë për litër, duke shënuar një diferencë prej 11 deri në 14 lekësh.
Tregjet ndërkombëtare ndikojnë në rritjen e çmimeve
Rritja e fundit në tregun vendas vjen në një periudhë kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një kërcim të fortë.
Nafta e markës “Brent” arriti dy ditë më parë në rreth 110 dollarë për fuçi, pasi më herët ishte në nivelin e 100 dollarëve. Sot çmimi është tërhequr lehtë dhe luhatet rreth 104 dollarëve për fuçi.
Në të njëjtën kohë, edhe çmimi referencë Platts ka njohur rritje të ndjeshme, duke arritur në rreth 1,619 dollarë për ton.
Kjo situatë ka sjellë një nga rritjet më të forta të çmimeve të karburanteve në Shqipëri që prej vitit 2022. Në atë periudhë, pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe tronditjes së tregjeve energjetike, çmimi i naftës në Shqipëri arriti për një ditë deri në 265 lekë për litër.
Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin pasigurinë
Një nga faktorët kryesorë pas lëvizjeve të fundit në tregun ndërkombëtar lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasigurinë që ato kanë krijuar për furnizimin global me naftë.
Situata është komplikuar edhe më tej nga problemet që lidhen me transportin detar, veçanërisht në zonën e Detit të Kuq dhe në Ngushticën e Hormuzit.
Kjo e fundit është një prej pikave më të rëndësishme të qarkullimit të naftës në botë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e prodhimit botëror të naftës. Çdo vështirësi në këtë korridor strategjik mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizim, transport dhe çmimet ndërkombëtare.
Efekti pritet të ndihet edhe në ekonomi
Rritja e çmimit të naftës nuk kufizohet vetëm te fatura që paguajnë drejtuesit e automjeteve në pikat e karburantit.
Një shtrenjtim i karburanteve mund të përkthehet në kosto më të larta për transportin e mallrave dhe shërbimeve, duke krijuar presion shtesë mbi çmimet e produkteve të tjera.
Nëse trendi vijon, ndikimi pritet të shtrihet si te bizneset, të cilat përballen me shpenzime më të larta operative, ashtu edhe te konsumatorët, për të cilët rritja e kostove të transportit mund të rëndojë më tej buxhetin familjar.
Për momentin, tregu vendas po reflekton lëvizjet e forta të çmimeve në bursat ndërkombëtare, ndërsa zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situata e transportit detar mbeten faktorë kyç për ecurinë e mëtejshme të çmimit të karburanteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



