Deklarata tronditëse: Ahmetajn duan ta fusin në burg për ta vrarë
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me situatën e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke pretenduar se ndaj tij mund të ketë një plan për rikthimin në burg dhe rrezikimin e jetës.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, deklaroi se Ahmetaj “po rrezikon kokën”, duke ngritur dyshime se synimi është që ai të dërgohet sërish në burg për t’u vënë nën kontroll.
“Ahmetaj po rrezikon kokën, se duan ta marrin në burg. E duan që ta kontrollojnë në burg, që ta vrasin”, deklaroi Balliu gjatë emisionit.
Pretendimet e deputetit demokrat vijnë pak ditë pasi Arben Ahmetaj bëri akuza të rënda ndaj qeverisë shqiptare, duke e lidhur atë me trafik armësh.
Në deklaratat e tij, Ahmetaj ka përmendur gjithashtu emrin e izraelito-amerikanit Roni Yeffet, për të cilin ka pretenduar se është angazhuar për atë që ai e cilëson si “punët e këqija”.
Deri më tani, pretendimet e bëra nga Balliu dhe Ahmetaj përbëjnë akuza politike dhe deklarata publike, ndërsa nuk janë paraqitur në këtë kuadër prova që të vërtetojnë një plan për vrasjen e ish-zëvendëskryeministrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



