Shkarkohet nga detyra zyrtari i lartë i Ministrisë së Mjedisit, Neritan Postoli
Neritan Postoli, i cili për më shumë se 15 vjet ka mbajtur një post drejtues në strukturat përgjegjëse për mbetjet dhe administrimin e të dhënave mjedisore, është shkarkuar pas një procedure disiplinore për shkelje të klasifikuara si “shumë të rënda”.
Neritan Postoli është shkarkuar nga detyra që mbante në Ministrinë e Mjedisit, pas përfundimit të një procedure disiplinore ku ndaj tij janë konstatuar një sërë shkeljesh të konsideruara “shumë të rënda”.
Postoli mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kërkimit dhe Dijes Mjedisore, strukturë e cila lidhet edhe me administrimin dhe monitorimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mbetjet.
Sipas informacionit të siguruar, ai ka pasur përgjegjësi për transfertat e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, regjistrat mjedisorë, si dhe të dhënat dhe analizat laboratorike. Në këtë funksion, ai ka qenë për një periudhë të gjatë pjesë e strukturave që monitorojnë lëvizjen dhe dokumentimin e mbetjeve.
Vendimi për largimin nga detyra mësohet se është marrë të premten nga komisioni disiplinor, pas një procedure që është zgjatur për shkak të shtyrjeve të njëpasnjëshme të paraqitjes së Postolit.
Sipas burimeve, në disa raste janë paraqitur arsye të cilësuara si “objektive” për mungesën e tij, ndërsa ndër pretendimet e ngritura përmenden edhe probleme shëndetësore, përfshirë trajtime estetike dhe shtrime të pretenduara në spitale publike.
Gjatë procesit të mbrojtjes, Postoli ka paraqitur edhe persona që kanë dëshmuar në favor të tij. Ndër emrat e përmendur janë Enkeleda Shkurta Mere dhe Bledar Shehu. Shkurta Mere, sipas të dhënave të siguruara, është larguar gjithashtu nga detyra në një procedurë të lidhur me shkelje të ngjashme.
Në thelb të gjetjeve të evidentuara gjatë procedurës disiplinore janë shkelje që lidhen me mënyrën e administrimit të transfertave të mbetjeve dhe dokumentacionit zyrtar.
Burimet bëjnë me dije se ndër shkeljet e konstatuara përfshihen pranimi i transfertave të mbetjeve pa kodet përkatëse, si dhe nxjerrja e akteve administrative pa firmën e titullarit dhe jashtë kufijve të kompetencave të përcaktuara.
Rasti ngre pikëpyetje edhe për përvojën profesionale të zyrtarit në raport me funksionet që ka ushtruar. Postoli, i diplomuar si mësues i gjuhës angleze, ka qenë për rreth dy dekada i angazhuar në monitorimin e transfertave të mbetjeve të rrezikshme, regjistrave mjedisorë dhe të dhënave laboratorike, duke ushtruar funksione në fushën e administrimit dhe kontrollit të çështjeve mjedisore.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse shkeljet e konstatuara do të kenë vetëm pasoja administrative apo nëse çështja do t’u përcillet edhe organeve të drejtësisë.
Nëse do të ketë një referim në prokurori, atëherë veprimet e konstatuara gjatë procedurës disiplinore mund të bëhen objekt i një hetimi të mëtejshëm edhe për elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës.
Deri në këtë fazë, informacioni mbi referimin e mundshëm në organet e drejtësisë mbetet jozyrtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



