Si u kapën 41 kg kokainë në kontejnerin e kompanisë “diMAL”
Droga me vlerë rreth 2 milionë euro u gjet në kapakët e jashtëm të kontejnerit me mish pule nga Brazili, të porositur nga “AMG Food”.
Detaje të reja dalin në dritë lidhur me sekuestrimin e 41 kilogramëve kokainë, me vlerë rreth 2 milionë euro, në Portin e Durrësit. Sasia e drogës u zbulua brenda një kontejneri të ardhur nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit zyrtar transportonte mish pule.
Ngarkesa ishte porositur nga kompania “AMG Food”, në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha, një emër i bërë më herët publik pas skandalit të mishit të pulës të kontaminuar me salmonelë.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit të kontejnerit u konstatuan 37 paketime me lëndë narkotike, të vendosura në pjesën e kapakëve të jashtëm dhe të mbështjella me ngjyra të ndryshme. Nga analizat rezultoi se bëhej fjalë për kokainë, me peshë totale rreth 41 kilogramë.
Deri në këtë fazë nuk është raportuar për arrestime apo procedime penale lidhur me transportin e kësaj sasie kokaine. Po ashtu, dy vëllezërit Arben dhe Mondi Goxha nuk janë marrë ende në pyetje për këtë rast.
Rasti merr një tjetër rëndësi për shkak të historikut të kompanisë që kishte porositur ngarkesën. Më 11 mars 2025, “AMG Food” kishte importuar nga Brazili rreth 8 tonë mish pule, i cili rezultoi i kontaminuar me salmonelë. Më pas, produkti ishte shpërndarë në treg përmes kompanisë “diMAL”.
Në atë kohë, pronari i “AMG Food”, Mondi Goxha, kishte pranuar se malli i kontaminuar ishte porositur prej tij. Për këtë çështje, Arben dhe Mondi Goxha u akuzuan për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve” dhe u hetuan në gjendje të lirë.
Tashmë, emri i kompanisë “AMG Food” rikthehet në vëmendje për një tjetër ngarkesë të dyshimtë, këtë herë për shkak të 41 kilogramëve kokainë të zbuluara në kontejnerët e saj.
Hetimi pritet të përcaktojë se si është futur droga në ngarkesë, kush e ka organizuar transportin dhe nëse personat që kanë porositur apo administruar mallin kanë pasur dijeni për praninë e lëndës narkotike.
Ndërkohë, një tjetër element i rëndësishëm lidhet me origjinën e ngarkesës. Importi i mishit të pulës nga Brazili është ndaluar në Shqipëri dhe në vendet e Bashkimit Evropian që prej 3 shtatorit, çka e bën edhe më të rëndësishme verifikimin e plotë të dokumentacionit dhe itinerarit të kësaj ngarkese.
Në këtë fazë, mbetet për t’u sqaruar nëse bëhet fjalë për përdorimin e kompanisë si pjesë e një skeme trafiku narkotikësh apo nëse droga është vendosur në kontejner pa dijeninë e subjektit importues. Përgjigjet pritet të dalin nga hetimi i autoriteteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



