E hënë, 23 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ulsi Manja i fik mikrofonin kreut të Unionit të Gjyqtarëve
Lajme

Ulsi Manja i fik mikrofonin kreut të Unionit të Gjyqtarëve

Tensione dhe debate te Komisioni i Ligjeve

Një përplasje e fortë verbale është shënuar në Komisionin e Ligjeve mes kryetarit Ulsi Manja dhe kreut të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gerd Hoxha.

Debati nisi gjatë diskutimit të projektligjit në komision, teksa Manja bëri një saktësim për arsyen e pranisë së Hoxhës në mbledhje. Kryetari i komisionit theksoi se Unioni ishte thirrur për të dhënë opinionin e tij mbi projektligjin dhe jo për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky qëndrim u kundërshtua nga Gerd Hoxha, i cili kërkoi që përfaqësuesve të Unionit t’u lihej hapësira për të përcaktuar vetë çështjet që do të trajtonin në qëndrimin e tyre.

Hoxha u shpreh gjithashtu kritik për mënyrën se si ishte bërë ftesa për pjesëmarrjen në komision, duke pretenduar se ajo kishte mbërritur vetëm 15 minuta para mbledhjes. Sipas tij, kjo nuk ishte një mënyrë serioze komunikimi, por Unioni vendosi të merrte pjesë për shkak të respektit ndaj Kuvendit, qytetarëve, magjistratëve dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse na keni thirrur këtu, do na respektoni dhe do ta dëgjoni çfarë do të themi”, deklaroi Hoxha.

Duke kundërshtuar çdo përpjekje për të përcaktuar paraprakisht se çfarë duhej të trajtonte, kreu i Unionit të Gjyqtarëve argumentoi se diskutimi duhet të niste pikërisht nga vendimi i Kushtetueses.

“Do flasim për vendimin e Kushtetueses, ku është zanafilla. Nuk mund të shkojmë të flasim për degët, kur kemi prerë pemën. Nëse e pret pemën, degët bien në tokë”, tha Hoxha.

Manja: Ky është Kuvendi i Shqipërisë

Pas këtyre deklaratave, përplasja u ashpërsua më tej. Ulsi Manja i kujtoi Hoxhës se diskutimi po zhvillohej në Kuvendin e Shqipërisë dhe kërkoi që institucioni të respektohej.

“Zoti Hoxha, t’i ndajmë gjërat, ky është Kuvendi i Shqipërisë dhe është sovrani”, u shpreh Manja.

Hoxha iu përgjigj duke theksuar se e respektonte Kuvendin, ndërsa kërkoi në të njëjtën kohë që edhe përfaqësuesit e Unionit të respektoheshin, pasi ishin ftuar për të dhënë qëndrimin e tyre.

“Na respektoni se na keni ftuar si miq”, tha ai.

Manja ndërhyri sërish dhe i kërkoi Hoxhës të fikte mikrofonin, ndërsa nënvizoi se Unioni nuk po pengohej të shprehte opinionin e tij.

“Ne kemi shumë respekt për ju. Edhe nuk jua kufizojmë të drejtat. Shumë faleminderit që keni ardhur, do t’ju dëgjojmë me shumë vëmendje. Fol çfarë të duash, shpreh opinionin në emër të Unionit të Gjyqtarëve, por jo me këtë gjuhë me sovranin, të lutem”, tha kryetari i Komisionit të Ligjeve.

Hoxha e kundërshtoi sërish vërejtjen për mënyrën e komunikimit, duke argumentuar se ishte shprehur me edukatë dhe se kishte përdorur të njëjtin intonacion si kryetari i komisionit.

Në vijim, Manja theksoi se nuk do të pranonte që fjalët e tij të interpretoheshin nga Hoxha dhe u shpreh se, pavarësisht debatit, do t’i jepej mundësia të paraqiste qëndrimin e Unionit.

“Ju nuk mund të interpretoni fjalët e mia. Unë kam gjatë durimin sot, edhe si kryetar komisioni, por edhe kolegët e mi deputetë, t’ju dëgjojmë deri në fund. Ju jepni opinionin tuaj, se unë nuk orientoj çfarë do të thoni. Unë sot ju kam thirrur për projektligjin, për këtë ishte ndërhyrja ime. Ju mund të thoni çfarë të doni, kështu që merrni fjalën, keni të gjithë kohën në dispozicion”, deklaroi Manja.

Përplasja mes dy përfaqësuesve u zhvillua në një moment kur Komisioni i Ligjeve po diskutonte ndryshimet ligjore që lidhen me sistemin e drejtësisë, duke vendosur përballë pretendimet e Unionit të Gjyqtarëve dhe qëndrimin e drejtuesit të komisionit parlamentar.

Debatet:

Manja: Zoti Hoxha e ka fjalën, për të dhënë edhe ai, në emër të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, qëndrimin në lidhje me, të bëjmë një saktësim, me projektligjin, jo me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimi i saj e ka thënë çfarë ka për të thënë vetë, ne duam një qëndrim tuajin me projektligjin që diskutuam sot.

Hoxha: Tani nëse na keni thirrur këtu, do na respektoni dhe do ta dëgjoni çfarë do të themi.

Manja: Jo jo, ju thoni çfarë të doni

Hoxha: Në qoftë se do të më orientosh se si do diskutoj, më vjen keq, por nuk është kjo. Ne iu respektuam të gjithëve ju, ftesa erdhi 15 minuta përpara, nuk ishte aspak serioze, por për të respektuar Kuvendin, popullin shqiptar, magjistratët dhe Kushtetuesen, ne erdhëm sot këtu për të dhënë mendimet tona. Se çfarë do të diskutojmë në, brenda kuadrit ligjor, atë e dimë ne, kështu që do t’iu lutesha të na dëgjoni. Do flasim për vendimin e Kushtetuese, ku është zanafilla. Nuk mund të shkojmë të flasim për degët, kur kemi prerë pemën. Nëse e pret pemën, degët bien në tokë, kështu që, ju lutem, na lini të flasim.

Manja: Zoti Hoxha, t’i ndajmë gjërat, ky është Kuvendi i Shqipërisë dhe është sovrani.

Hoxha: Po patjetër!

Manja: Ne kemi shumë respekt për pushtetin që ju përfaqësoni.

Hoxha: Na respektoni se na keni ftuar si miq.

Manja: Të lutem, të lutem, fikeni mikrofonin, nuk regjistron. Ne kemi shumë respekt për ju. Edhe nuk i’ua kufizojmë të drejtat, shumë faleminderit që keni ardhur, do iu dëgjojmë me shumë vëmendje, fol cfarë të duash, shpreh opinionin në emër të Unionit të Gjyqtarëve, por jo me këtë gjuhë me sovranin, të lutem.

Hoxha: Gjuha ishte me shumë edukatë, në të njëjtin intonacion si ju

Manja: Shiko, ju nuk mund të interpretoni fjalët e mija, unë kam gjatë durimin sot, edhe si kryetar komisioni, por edhe kolegët e mijë deputet, t’iu dëgjojmë deri në fund. Ju jepni opinionin tuaj se unë nuk orientoj çfarë do të thoni. Unë sot ju kam thirrur për projektligjin, për këtë ishte ndërhyrja ime, ju mund të thoni çfarë të doni, kështu që merrni fjalën, keni të gjithë kohën në dispozicion.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.