E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Artan Hoxha: Rama çoi në burg Veliajn, tani fshihet si struci
Lajme

Artan Hoxha: Rama çoi në burg Veliajn, tani fshihet si struci

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar situatën e Erion Veliajt pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se përgjegjësinë politike për situatën e krijuar e ka Edi Rama.

Sipas Hoxhës, Veliaj nuk do të kishte përfunduar në burg pa mbështetjen dhe rolin e kryeministrit. Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës për mënyrën se si po funksionon sot sistemi i drejtësisë, duke argumentuar se reforma në drejtësi është zhvilluar gjatë qeverisjes së tij.

“Ky që sot i thotë Erion Veliajt, çfarë të bëjmë? Thotë kjo që po ndodh s’ka ngjarë në asnjë vend të botës. Mor zotëri, a e ke bërë ti? A e ke bërë ti reformën? Po dili për Zot”, u shpreh Hoxha në A2 CNN.

Gazetari e lidhi përgjegjësinë politike të Ramës edhe me mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon sistemi aktual i drejtësisë.

“Pra, në qoftë se ne kemi krijuar këtë çamur, këtë çorbë, kryekuzhinieri i kësaj është kryeministri i vendit, i cili fshihet, fut kokën në rërë tani si struci”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se, sipas tij, lidhja politike mes Ramës dhe Veliajt është e pamohueshme dhe se kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të kishte arritur në situatën aktuale pa kryeministrin.

“Pa Edi Ramën nuk shkonte Erion Veliaj atje”, tha gazetari.

Hoxha ngriti pikëpyetje edhe mbi rezultatet konkrete të hetimeve për korrupsionin, duke sjellë si shembull rastin e ish-presidentit Ilir Meta.

“Njeriu që u perceptua si më i korruptuari në atë kohë ishte Ilir Meta. Ku janë paratë? Çfarë kanë kapur? Se po t’i pyesësh njerëzit thonë më i korruptuari, po çfarë ke kapur?”, deklaroi ai.

Një tjetër çështje e ngritur prej gazetarit lidhet me funksionimin e Bashkisë së Tiranës ndërsa Veliaj ndodhet në paraburgim. Hoxha tha se dokumente nga bashkia dërgohen për firmosje në ambientet ku mbahet Veliaj.

“Isha para ca ditësh në Durrës. Shkonin tre herë, katër herë nga Bashkia e Tiranës me vandakë, me shkresa. […] Dhe vinin vandak nga Tirana që shkonin t’i firmoste ai brenda në burg”, tha Hoxha.

Sipas gazetarit, qëndrimi në paraburgim kufizon ndjeshëm aksesin e Veliajt në informacionet dhe zhvillimet që lidhen me administrimin e kryeqytetit.

Në pjesën e fundit të deklaratës së tij, Hoxha u ndal te problemet e sistemit gjyqësor, duke shprehur shqetësimin për rritjen e numrit të çështjeve dhe kohëzgjatjen e proceseve.

“Unë nuk shoh, më e keqja e gjithë kësaj situate është që nuk po shoh dritë në fund të tunelit. Pra jemi futur në një qerthull që unë nuk e di si do të dalim dhe, në qoftë se ne e nisëm reformën me 20 mijë dosje dhe sot janë 180 mijë, me fal, po me një popullsi që zvogëlohet dhe me stokun që rritet, unë nuk e di sa i bie gjyqtarëve tanë”, përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.