Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta ish-lojtari i Kombëtares Shqiptare
Futbolli shqiptar ka humbur një prej emrave të brezave të hershëm të këtij sporti. Esat Bushati, ish-futbollist i Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 97-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga KF Vllaznia, që ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e ish-futbollistit, duke vlerësuar kontributin e tij në historinë e klubit shkodran.
Bushati ishte pjesë e Vllaznisë gjatë viteve ’40-’60, një periudhë e rëndësishme në historinë e futbollit shkodran. Përgjatë karrierës së tij ai ka veshur gjithashtu fanellën e Partizanit, ndërsa ka përfaqësuar edhe Kombëtaren shqiptare.
I aktivizuar në repartin e mbrojtjes, Bushati konsiderohej ndër mbrojtësit e spikatur të brezit të tij dhe la gjurmë në futbollin shqiptar përmes viteve të aktivitetit sportiv.
Klubi i Vllaznisë ka njoftuar gjithashtu se homazhet në nderim të Esat Bushatit do të zhvillohen të premten, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër.
Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një tjetër figure të brezave të hershëm të futbollit shqiptar, ndërsa kontributi i tij me Vllazninë, Partizanin dhe Kombëtaren mbetet pjesë e historisë së këtij sporti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




