Policia Kufitare shpëton pesë persona nga mbytja në Dhërmi
Pesë persona janë shpëtuar nga Policia Kufitare në zonën e Dhërmiut, pasi gomonia me të cilën po lundronin drejt Porto Palermos pësoi avari në det.
Ngjarja është konstatuar pasi autoritetet morën njoftim për problemin me mjetin lundrues. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës ku ishte raportuar se gomonia kishte mbetur e bllokuar.
Pas lokalizimit të mjetit, efektivët ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë personave që ndodheshin në bord. Në gomone ishin gjithsej pesë shtetas, drejtuesi dhe katër persona të tjerë.
Të gjithë u morën në bordin e mjetit të Policisë Kufitare dhe u shoqëruan të sigurt drejt bregut, në Porto Palermo.
Sipas autoriteteve, pesë personat janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pasur pasoja, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.
Pas incidentit, Policia Kufitare u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lundrimit dhe të marrin në konsideratë kushtet atmosferike përpara se të dalin në det.
Autoritetet theksojnë se në rastet kur kushtet e motit paraqesin rrezik për sigurinë, dalja në det duhet shmangur për të parandaluar incidente dhe situata emergjente.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



