Skandali me Postën Durrës, lirohet nga burgu Elisabeta Mataj
Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila nga “arrest në burg” është kaluar në masën “arrest në shtëpi”.
Vendimi i gjykatës është marrë në një fazë kur hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa në dosje janë administruar edhe prova të reja që kanë sjellë zhvillime të tjera në hetim.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, një prej elementeve të reja që është marrë në konsideratë është një akt ekspertize që lidhet me dyshimet për falsifikim firme. Krahas këtij dokumenti, në kuadër të hetimit janë marrë edhe dëshmi të tjera, të cilat sipas të njëjtave burime kanë ndikuar në orientimin e mëtejshëm të çështjes.
Mataj po hetohet në lidhje me dyshimet për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës, në një procedim që lidhet me aktivitetin financiar të filialit të Postës në Durrës.
Ndryshimi i masës së sigurisë nuk nënkupton përfundimin e hetimit ndaj saj, ndërsa organi i akuzës vijon të mbledhë prova për të sqaruar përgjegjësitë e personave të përfshirë dhe mënyrën se si janë kryer veprimet që po verifikohen.
Në të njëjtën çështje, Prokuroria e Durrësit ka ngritur akuza edhe ndaj ish-shefes së financës, Valbona Duni, si dhe ndaj arkëtares së filialit.
Hetimi po përqendrohet te mënyra e administrimit të fondeve dhe dokumentacionit financiar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ndërsa provat e reja pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave të plota të ngjarjes.
Ndërkohë, ndryshimi i masës së sigurisë për Elisabeta Matajn vjen në një moment kur hetuesit po verifikojnë edhe autenticitetin e dokumenteve dhe firmave të përdorura në procedurat që janë bërë pjesë e dosjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



