E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjyshi rrëfen misterin e zhdukjes së Bleona Matës: Besoj se është gjallë
Lajme

Gjyshi rrëfen misterin e zhdukjes së Bleona Matës: Besoj se është gjallë

16 vite pa përgjigje: Gjithmonë dyshoj te familja në Vlorë

Gjyshi i Bleona Matës, Zenel Mata, ka rrëfyer detaje nga dita kur 6-vjeçarja humbi gjurmët në Zapod të Kukësit. Ai thotë se familja u mobilizua menjëherë për kërkimin dhe se, pavarësisht 16 viteve pa asnjë përgjigje, ende beson se mbesa e tij mund të jetë gjallë.

Kanë kaluar 16 vite nga zhdukja e Bleona Matës, por misteri rreth fatit të vajzës vijon të mbetet i pazbardhur.

Bleona ishte vetëm 6 vjeçe kur, më 22 maj 2010, humbi gjurmët në Zapod të Kukësit. Ajo ndodhej në zonën e kullotave, në shoqërinë e vajzave të tjera të familjes, ndërsa pas zhdukjes së saj banorë të zonës dhe familjarë nisën kërkimet për ta gjetur.

Pavarësisht kërkimeve të shumta dhe pistave që janë hedhur ndër vite, fati i Bleonës nuk është zbardhur.

Rasti ka rikthyer herë pas here vëmendjen publike, veçanërisht pas dëshmive të ndryshme që kanë hedhur dyshime mbi persona apo familje të caktuara. Një prej pistave të përmendura lidhet me një familje në Vlorë. Familjarët e përmendur kanë kundërshtuar këto dyshime, ndërsa deri tani nuk është bërë publike një provë përfundimtare që të vërtetojë se çfarë ka ndodhur me vajzën.

Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur”, gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, ka folur për atë që kujton nga 22 maji i vitit 2010, marrëdhëniet brenda familjes dhe pistat që, sipas tij, vijojnë ta shqetësojnë edhe sot.

“Dita e errët”, rrëfimi i gjyshit për momentet para zhdukjes

Zenel Mata tregon se ditën e zhdukjes ndodhej pranë banesës duke kositur. Sipas rrëfimit të tij, ai kishte parë Bleonën duke luajtur në pjesën qendrore të fshatit.

Situata ndryshoi kur familja konstatoi se vajza nuk ishte më aty.

Sipas gjyshit, banorët e fshatit u vunë në lëvizje dhe kërkimet u shtrinë edhe në zonat malore. Ai thotë se kërkimi vazhdoi për rreth dy javë, por pa rezultat.

“Dita e errët”, e cilëson ai atë periudhë, duke kujtuar se familja nuk mori asnjë përgjigje për fatin e vajzës.

Në rrëfimin e tij përmendet edhe një dëshmi për një automjet që, sipas informacionit që kishte marrë familja, ishte parë duke lëvizur në zonë ditën e zhdukjes. Zenel Mata flet për një makinë që dyshohej se vinte nga Vlora dhe për persona që pretendohej se ndodheshin brenda saj.

Megjithatë, këto mbeten pjesë e dëshmive dhe dyshimeve të ngritura ndër vite dhe nuk përbëjnë, në vetvete, prova të faktuara për fatin e Bleonës.

Gjyshi mohon konfliktet me fqinjët

Një tjetër çështje e ngritur gjatë intervistës lidhet me marrëdhëniet e familjes Mata me banorët e tjerë të zonës.

Zenel Mata mohon kategorikisht se familja e tij ka pasur hasmëri apo konflikte me fqinjët. Ai thotë se me disa prej tyre kanë pasur marrëdhënie të afërta familjare dhe shoqërore.

I pyetur për marrëdhënien e djalit të tij me nënën e Bleonës, Bukurien, ai shpjegon se pas zhdukjes së vajzës marrëdhëniet mes tyre janë ndërprerë dhe familja është distancuar.

Sipas tij, djali i tij, Zamiri, ka qëndruar për një kohë të gjatë jashtë vendit dhe më pas komunikimi mes tyre është ndërprerë.

Zenel Mata thotë se nuk ka më një numër telefoni për të kontaktuar me Bukurien dhe se prej vitesh nuk ka komunikuar as me nipin.

“Gjithmonë më shkon mendja te familja në Vlorë”

Gjatë intervistës, gjyshi shprehet se ende beson se Bleona është gjallë.

Ai thotë se një nga dyshimet që nuk i është larguar me kalimin e viteve lidhet me një familje në Vlorë. Zenel Mata e lidh këtë dyshim me dëshmitë e bëra ndër vite dhe me informacionin për automjetin që pretendohet se është parë në zonë.

Por bëhet fjalë për dyshimin personal të tij, jo për një fakt të konfirmuar.

“Gjallë do jetë”, shprehet ai, duke këmbëngulur se shpresa për ta gjetur mbesën nuk është shuar.

Ai përmend edhe historinë e një vajze tjetër të familjes që, sipas rrëfimit të tij, kishte shkuar jashtë vendit dhe ngre hipotezën se Bleona mund të jetë marrë prej saj. Kjo është një hipotezë e shprehur gjatë intervistës dhe nuk shoqërohet me prova të bëra publike që ta konfirmojnë.

“Nëse më dëgjon, të më marrë në telefon”

Në fund të intervistës, mesazhi i Zenel Matës nuk i drejtohet vetëm familjarëve.

Ai i drejtohet drejtpërdrejt Bleonës, nëse vajza është gjallë dhe në ndonjë moment mund ta dëgjojë këtë rrëfim.

Gjyshi kërkon vetëm një shenjë, një njoftim që do t’i tregonte familjes se ajo është gjallë dhe ndodhet diku.

Pas 16 vitesh pasiguri, kjo mbetet shpresa që ai thotë se nuk e ka humbur.


INTERVISTA E PLOTË

Anila Ahmataj: Zoti Zenel, përshëndetje!

Zenel Mata: Përshëndetje!

Anila Ahmataj: Si jeni? Si po kaloni?

Zenel Mata: Mirë, mirë.

Anila Ahmataj: Po ju kontaktoj për të folur pak për zhvillimet e fundit dhe dëshmitë që janë dhënë në media lidhur me Bleona Matën. Do të donim të dëgjonim edhe versionin tuaj, pasi gjatë këtyre deklaratave është përmendur edhe familja juaj.

Zenel Mata: Po, çfarë ka?

Anila Ahmataj: Çfarë mendimi keni për deklaratat që janë bërë në studiot televizive dhe për mënyrën se si përfshihet familja juaj përmes dëshmive të nënës së Bleonës?

Zenel Mata: Nuk ka problem prej nesh. Inshallah gjendet! Të jep ndonjë lajm ndonjëri…

Anila Ahmataj: Ju besoni se do të gjendet?

Zenel Mata: Patjetër që besojmë. Sepse nuk kena probleme ne me asnjë. Po vazhdon vajza…

Anila Ahmataj: Çfarë mbani mend nga 22 maji?

Zenel Mata: Çfarë të mbaj mend? Gjithçka. Dita e errët.

Anila Ahmataj: Pse e cilësoni kështu?

Zenel Mata: Zi për ne ka qenë.

Anila Ahmataj: Çfarë kujtoni konkretisht?

Zenel Mata: Tani kanë kaluar shumë vite…

Anila Ahmataj: Ku ndodheshit atë ditë?

Zenel Mata: Kam qenë duke kositur afër shtëpisë.

Anila Ahmataj: Çfarë ndodhi më pas?

Zenel Mata: E shikoja vajzën duke luajtur këtu, në mes të fshatit. Pastaj më merr në telefon goca dhe thotë: “A ka ardhur Bleona në shtëpi?”. Bëmë kontrollin nëpër fshat. I gjithë fshati u mobilizua, gati komuna, dolëm ta kërkonim edhe në mal.

Anila Ahmataj: Sa zgjatën kërkimet?

Zenel Mata: Dy javë kemi kërkuar dhe nuk gjetëm asgjë.

Anila Ahmataj: Bashkëshortja juaj ka dhënë një dëshmi për një makinë që është parë atë ditë?

Zenel Mata: Me sa më njoftuan, ka kaluar një makinë e Vlorës me shpejtësi drejt Kukësit. Kishin parë dy gra në makinë, të mbuluara, me shami.

Anila Ahmataj: Kush e ka dhënë këtë informacion?

Zenel Mata: Ato që kishin punuar, punëtorët nëpër ara.

Anila Ahmataj: Po bashkëshortja juaj?

Zenel Mata: Gruaja ka qenë edhe ajo në shtëpi. Ka parë një djalë, thotë, që iku pas vajzave si për mal, me flokë të gjata, i maskuar.

Anila Ahmataj: Po vajza juaj, halla e Bleonës, a ka qenë me të atë ditë?

Zenel Mata: Ajo ka qenë me lopët sipër.

Anila Ahmataj: Pa Bleonën?

Zenel Mata: Jo. Bleona ka qenë duke luajtur këtu, në mes të fshatit.

Anila Ahmataj: Çfarë ka treguar vajza juaj për atë ditë?

Zenel Mata: Erdhi Bleona me vajzat e tjera, me Qamilen. Ishte duke ngrënë qershi. I dha bukë për të ngrënë. Në atë kohë pa lopët, se kishin ikur larg, dhe u nis t’i kthente. Kur u kthye, nuk e gjeti Bleonën.

Anila Ahmataj: A keni pasur ndonjë konflikt apo hasmëri me fqinjët?

Zenel Mata: Jo, jo. Nuk kena pasur fare.

Anila Ahmataj: Po në atë kohë, çfarë menduat se mund të kishte ndodhur me Bleonën?

Zenel Mata: Është rrëmbyer ajo. E kanë marrë dikush.

Anila Ahmataj: Në disa dëshmi është thënë se ju keni pasur konflikte me fqinjët.

Zenel Mata: Jo! Me ata jemi një fis gati.

Anila Ahmataj: Keni pasur ndonjëherë konflikt?

Zenel Mata: Jo. Përkundrazi, dasma me marrë e me dhënë bashkë kena pasur gjithmonë.

Anila Ahmataj: Po djali juaj, çfarë marrëdhëniesh ka pasur me Bukurien?

Zenel Mata: Zamiri ka qenë gjithmonë në kurbet. Kjo ka qenë në shtëpi. Nuk jam marrë me problemet e tyre. Mirë kanë qenë, s’kanë qenë keq.

Anila Ahmataj: A është interesuar djali juaj për Bleonën?

Zenel Mata: Jo. Që kur ka humbur Bleona, ai nuk ka lidhje me të, as me familjen.

Anila Ahmataj: Pse është ndërprerë komunikimi?

Zenel Mata: Iku vajza, iku edhe Bukuria.

Anila Ahmataj: Pse u ndanë ata?

Zenel Mata: Ku e di unë tani? Humbi vajza, Bukuria iku dhe u ndanë.

Anila Ahmataj: Po marrëdhënia juaj me Bukurien?

Zenel Mata: Mirë ka qenë. Unë, përkundrazi, me Bukurinë kam mbetur. Kam shkuar atje për ta kërkuar, kudo.

Anila Ahmataj: Po me nipin komunikoni?

Zenel Mata: Rrallëherë. Kur shkoj në Kukës e takoj.

Anila Ahmataj: Si sillet ai me ju?

Zenel Mata: Mirë është, po rrallëherë.

Anila Ahmataj: Çfarë shprese keni sot për Bleonën?

Zenel Mata: Shpresa ime është që gjendet. Do gjendet ajo Bleona.

Anila Ahmataj: Mendoni se Bleona është gjallë?

Zenel Mata: Gjallë do jetë. Gjallë. Duhet të jetë doemos. Dyshoj gjithmonë te kjo familja e Vlorës.

Anila Ahmataj: Pse?

Zenel Mata: Se ajo ka pasur dy goca. Goca e parë është martuar me një ushtar këtu. Edhe ajo, meqë s’paska pasur fëmijë, siç thuhet, ka ikur në Gjermani, ku… kush e di ku. Duhet ta ketë marrë ajo.

Anila Ahmataj: Pas gjithë kësaj zhurme rreth familjes së Vlorës, a keni pasur ndonjë kontakt me ta?

Zenel Mata: Jo. Ata janë në Vlorë. Nuk kanë lëvizur këtej.

Anila Ahmataj: Ju kanë telefonuar ndonjëherë për t’ju pyetur për këto dëshmi?

Zenel Mata: Jo. Akuza ka qenë vetëm se makina ka qenë e Vlorës dhe…

Anila Ahmataj: Pra ju dyshoni te familja në Vlorë?

Zenel Mata: Patjetër. Tjetër s’ka. Gjithmonë më shkon mendja aty, te ai dëshmitari.

Anila Ahmataj: Po Bukuria pse ju akuzon juve si familje?

Zenel Mata: Nuk e di. Mendimet e saj janë… Unë kam pasur lidhje shumë të mira me të. E kemi respektuar, na ka respektuar.

Anila Ahmataj: Sipas dëshmisë së saj, akuzat përfshijnë ju, bashkëshorten dhe djalin tuaj.

Zenel Mata: Çfarë të them unë tani? Ajo ka të drejtë të mendojë, sepse ka humbur vajzën. Vajza ime ka qenë atje, por kur është kthyer nuk e ka gjetur fare Bleonën.

Anila Ahmataj: A ka pasur vajza juaj komunikim me familjen e Vlorës?

Zenel Mata: Kushërinj kemi qenë. Ata vinin këtu, ne shkonim atje gjithmonë.

Anila Ahmataj: Qamilja ka bashkëpunuar?

Zenel Mata: Jo. Qamilja është e re. Është munduar me një akuzë koti tani.

Anila Ahmataj: Kur keni folur për herë të fundit me nënën e Bleonës?

Zenel Mata: Ku e di unë? Kam harruar. Më ka humbur edhe numri i saj.

Anila Ahmataj: Sa vite janë bërë pa komunikuar?

Zenel Mata: Ai ka bërë bllok a çfarë ka bërë. Unë s’e kam numrin e saj tani.

Anila Ahmataj: Po me djalin tuaj pse nuk tentoni të komunikoni?

Zenel Mata: Nuk kam numër. Ai s’më merr as në telefon. As kam muhabet me të.

Anila Ahmataj: Përmes nipit nuk ke provuar të kontaktosh me Bukurinë?

Zenel Mata: Nuk më del as ai në telefon.

Anila Ahmataj: Sa kohë ka që nuk flisni me nipin?

Zenel Mata: Shumë kohë. Mund të jenë dy-tre vjet.

Anila Ahmataj: Çfarë do t’i thoshe djalit tënd, Zamirit?

Zenel Mata: Po në qoftë se dëgjon ai… Ai s’ka telefon.

Anila Ahmataj: Nëse të dëgjon, çfarë do t’i thuash?

Zenel Mata: Të interesohet për ne!

Anila Ahmataj: Ai është martuar? Ka krijuar familje?

Zenel Mata: Po, ka një vajzë.

Anila Ahmataj: Si quhet vajza?

Zenel Mata: Anxhela.

Anila Ahmataj: Çfarë do t’i thuash Bukurisë nëse të dëgjon?

Zenel Mata: Në qoftë se më dëgjon, të më marrë në telefon se s’e kam numrin e saj, më ka humbur. Flasim, nuk ka problem. Unë e respektoj tamam si vajzën time.

Anila Ahmataj: Po për Bleonën, mbesën tuaj, çfarë do të thoshe?

Zenel Mata: Çfarë të thotë njeriu… Jam shumë i mërzitun për atë. Në qoftë se më dëgjon, të njoftojë të paktën njërin nga familja, nga Bukuria ose nga këta, që “jam gjallë e jam këtu”.

Anila Ahmataj: Ju falënderoj shumë, zoti Zenel.

Zenel Mata: Nuk ka problem. Edhe unë ju falënderoj shumë për respektin dhe interesimin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.