Brukseli në të njëjtën linjë me SPAK për çështjen e Vlora Hysenit
Komisioni Europian nuk komenton çështjen konkrete të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, por nga Brukseli vjen një mesazh i qartë për rolin e SPAK në hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar.
I pyetur për dosjen që ka përfshirë Hysenin dhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, deklaroi se Brukseli nuk komenton çështje që janë aktualisht në proces.
Mercier theksoi se Komisioni Europian ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri sa i përket shtetit të së drejtës, reformës në drejtësi dhe luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi Mercier.
Më tej, zëdhënësi i Komisionit Europian shprehu mbështetjen e institucionit për punën e SPAK.
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, u shpreh ai.
Në këtë mënyrë, Brukseli nuk merr pozicion mbi fajësinë apo pafajësinë e Vlora Hysenit, ndërsa nuk komenton as provat apo përmbajtjen e dosjes konkrete. Qëndrimi i shprehur nga zëdhënësi lidhet me planin institucional dhe me besimin e Komisionit Europian te SPAK dhe procesi i hetimit.
Mercier konfirmoi gjithashtu se komunikimi mes Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare vijon.
“Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë”, tha ai.
Sa i përket vlerësimit të përgjithshëm të Brukselit për situatën në Shqipëri, zëdhënësi iu referua raportit të ardhshëm të zgjerimit.
“Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim”, deklaroi Mercier.
Vlora Hyseni, ish-drejtuese e SHISH, është aktualisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimit të SPAK. Sipas raportimeve të fundit, ndaj saj janë ngritur akuza që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit.
Deklarata e Brukselit vjen në një moment kur çështja e Hysenit ka shkaktuar debat të gjerë politik në Tiranë. Komisioni Europian, ndërkohë, ka zgjedhur të mos komentojë rastin individual dhe të nënvizojë rolin e institucioneve shqiptare të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



