Çfarë pritet? Pas kthimit nga SHBA, Rama mesazh shqiptarëve nga Rinasi
Kryeministri Edi Rama pritet t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh të posaçëm pas përfundimit të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.
Sipas njoftimit të bërë për mediat, Rama do të flasë nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri.
Ora e saktë e kthimit të kryeministrit në vend nuk është përcaktuar ende. Nisja e tij nga aeroporti JFK në New York mbetet e pakonfirmuar, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike që kanë ndikuar në lëvizjet ajrore.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se orari i adresimit të Edi Ramës do të komunikohet gjatë paradites së ditës së sotme, duke lënë të hapur edhe orën kur kryeministri pritet të mbajë deklaratën për mediat.
Mesazhi i Ramës vjen pas vizitës së tij në SHBA, ndërsa në Tiranë vijon protesta qytetare kundër qeverisë. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa lëvizja kundër qeverisë ka hyrë tashmë në ditën e 120-të.
Në këto rrethana, adresimi i kryeministrit nga Rinasi pritet të jetë një prej zhvillimeve të ditës, ndërsa përmbajtja e mesazhit të tij mbetet për t’u bërë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



