E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dy zjarre në Gjirokastër, digjet një automjet dhe një kasolle
Lajme

Dy zjarre në Gjirokastër, digjet një automjet dhe një kasolle

Dy vatra zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kaluar në lagjen “Dunavat” të Gjirokastrës, me një diferencë prej vetëm pak minutash. Në njërin rast, flakët përfshinë plotësisht një automjet, ndërsa më pas u raportua edhe një zjarr në një ambient të improvizuar ku mbaheshin materiale të vjetra.

Sipas të dhënave të shërbimit zjarrfikës, njoftimi i parë është marrë në orën 23:15, për një automjet që ishte përfshirë nga flakët në lagjen “Dunavat”.

Ekipi zjarrfikës u nis menjëherë drejt vendit të ngjarjes dhe, pas mbërritjes, konstatoi se autovetura ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Forcat zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, duke bërë të mundur neutralizimin e plotë të vatrës.

Automjeti pësoi dëmtime të plota si pasojë e zjarrit. Nga incidenti nuk u raportuan dëme të tjera materiale.

Vetëm dhjetë minuta më vonë, në orën 23:25, pranë vendit ku kishte ndodhur zjarri i parë, u evidentua një vatër e dytë.

Këtë herë flakët kishin përfshirë një ambient-kasolle ku ishin grumbulluar rroba dhe materiale të vjetra. Zjarrfikësit ndërhynë sërish dhe arritën ta shuajnë zjarrin, duke parandaluar përhapjen e tij.

Nga kjo vatër u dogjën disa rroba dhe materiale të vjetra, ndërsa nuk u konstatuan dëme të tjera materiale.

Ndërkohë, në vendngjarje kanë shkuar edhe shërbimet ligjzbatuese, të cilat kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e dy zjarreve.

Për momentin nuk ka një konkluzion zyrtar nëse dy episodet kanë lidhje me njëri-tjetrin, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të ngjarjeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.