Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës
PD e PS bashkojnë votat për UÇK-në
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u dhënë titullin “Qytetar Nderi” katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Vendimi u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës.
Propozimi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së u bë nga Erion Veliaj më 19 shtator 2026. Më 26 shtator, Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë së Tiranës e miratoi unanimisht dhe ia kaloi Këshillit Bashkiak për vendimmarrje.
Në motivacionet e paraqitura për titullin vlerësohen kontributet e katër figurave në luftën e Kosovës, përfaqësimin politik dhe procesin drejt lirisë e pavarësisë, si dhe lidhjet e tyre me Tiranën dhe Shqipërinë.
Hashim Thaçi
Për Hashim Thaçin, motivacioni vlerëson kontributin në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke përmendur edhe mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë.
Në dokument nënvizohet gjithashtu lidhja e veçantë e Thaçit me Tiranën dhe roli i tij në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kadri Veseli
Për Kadri Veselin, motivacioni lidhet me kontributin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në procesin drejt lirisë e pavarësisë.
Dokumenti evidenton gjithashtu lidhjen e Veselit me Tiranën dhe angazhimin e tij për afrimin dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Jakup Krasniqi
Për Jakup Krasniqin vlerësohet kontributi në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimi politik dhe roli në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Motivacioni nënvizon edhe lidhjen e hershme të Krasniqit me Tiranën, e cilësuar si një prej qendrave të mbështetjes politike dhe qytetare për Kosovën.
Rexhep Selimi
Për Rexhep Selimin, motivacioni vlerëson kontributin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.
Në dokument evidentohen gjithashtu lidhja e Selimit me Tiranën dhe mbështetja që kryeqyteti shqiptar i dha Kosovës dhe popullit të saj gjatë luftës.
Vendimi i Këshillit Bashkiak përmbyll procedurën e nisur me propozimin e Veliajt dhe të miratuar më parë nga Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë së Tiranës.
Dhënia e titullit vjen në një periudhë kur katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë përballur me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Më 16 shtator 2026, ata u shpallën fajtorë në shkallë të parë dhe u dënuan me 25 vite burg për Hashim Thaçin, 18 vite për Kadri Veselin, 25 vite për Jakup Krasniqin dhe 13 vite për Rexhep Selimin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



