E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Jam shumë i lumtur”, Mitaj rikthehet titullar me Shqipërinë
Lajme

“Jam shumë i lumtur”, Mitaj rikthehet titullar me Shqipërinë

Mario Mitaj është rikthyer në formacionin titullar të Kombëtares shqiptare pas një periudhe mungese, duke e nisur nga minuta e parë sfidën ndaj San Marinos. Mbrojtësi i majtë ishte pjesë e fitores 3-0 të kuqezinjve, në një përballje të vlefshme për Nations League.

Ndeshja kishte një domethënie të veçantë për Mitajn, pasi pikërisht në stadiumin e San Marinos ai kishte bërë debutimin me Kombëtaren A, rreth pesë vite më parë.

Rikthimi në të njëjtin stadium solli edhe kujtime nga hapat e parë të tij me fanellën kuqezi. Mitaj tregoi se e kishte pritur me shumë emocion ftesën e parë dhe se debutimi ishte një moment që e kishte të vështirë ta harronte.

“Ka qenë një kujtim shumë i bukur. Ishte grumbullimi im i parë me Kombëtaren A dhe mezi po e prisja. E mbaj mend momentin kur mora ftesën, isha shumë i lumtur dhe nuk e prisja që do të debutoja. E mbaj mend si tani atë ndeshje. Luajta pesë minutat e fundit. Jam shumë i lumtur që u riktheva përsëri në këtë stadium dhe këtë herë luajta 90 minuta”, u shpreh Mitaj.

Duke folur për fitoren ndaj San Marinos, mbrojtësi kuqezi vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se Shqipëria arriti të dominonte një kundërshtar që, sipas tij, është i vështirë për t’u përballuar për shkak të mënyrës së organizimit në mbrojtje.

Mitaj u ndal edhe te sfida e radhës ndaj Finlandës, të cilën e konsideron një përballje shumë më të fortë dhe me rëndësi për vazhdimësinë e ekipit në grup.

“Ishte një ndeshje shumë e mirë. Bëmë një paraqitje shumë të fortë kundër një kundërshtari që nuk është i lehtë, sepse mbrojnë shumë dhe të bezdisin gjatë gjithë ndeshjes. Nuk të japin shumë hapësira për të luajtur. Ne luajtëm shumë mirë, e dominuam ndeshjen dhe besoj se kjo fitore do të na shërbejë shumë në të ardhmen. Me Finlandën do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Është një nga favoritët e këtij grupi bashkë me ne dhe mezi po pres të luajmë ndeshjen e radhës”, deklaroi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.