Alen Sherri: Duhet ta përgatisim mirë ndeshjen me Finlandën
Kombëtarja shqiptare mori një fitore të pastër në transfertë ndaj San Marinos, në ndeshjen e dytë të Nations League. Kuqezinjtë arritën të kontrollonin sfidën dhe të siguronin tri pikët, ndërsa në portë ishte Alen Sherri, i cili e mbylli takimin pa pësuar gol.
Pas përfundimit të ndeshjes, portieri i Kombëtares vlerësoi paraqitjen e ekipit, duke theksuar se skuadra e kishte përgatitur dhe interpretuar siç duhet një përballje që mund të sillte vështirësi për shkak të mënyrës së lojës së kundërshtarit.
“Ishte një ndeshje specifike ndaj një kundërshtari specifik. E dinim që do të ishte një ndeshje e tillë, disi e përgjumur, por skuadra jonë u paraqit shumë mirë. E interpretuam siç duhet ndeshjen dhe realizuam atë që kishim planifikuar, që ishte zhbllokimi i rezultatit sa më shpejt.
Kishte një moment kur lëshuam pak terren, por në përgjithësi gjithçka shkoi mirë. Rezultati ishte i pastër dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”, u shpreh Sherri.
Tashmë vëmendja e Kombëtares është përqendruar te përballja me Finlandën, një sfidë që pritet të ketë peshë të rëndësishme në garën për kreun e grupit.
Sherri e konsideron këtë një përballje direkte mes dy skuadrave që shihen si pretendente për vendin e parë dhe thekson se rezultatet e ndeshjeve të mëparshme nuk duhet të ndikojnë në përgatitjen e kuqezinjve.
“Është një ndeshje direkte për kreun e grupit, pasi ne dhe Finlanda konsiderohemi si favoritët e këtij grupi. Besoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar. Nuk ka kundërshtarë të lehtë.
Fakti që ne mundëm Bjellorusinë dhe Bjellorusia barazoi me Finlandën nuk do të thotë asgjë. Duhet ta përgatisim mirë ndeshjen dhe shpresoj që të kthehemi me një rezultat pozitiv”, deklaroi portieri i Kombëtares shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



