E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Nga korrupsioni te paratë e drogës, DASH “nxin” Shqipërinë
Bota

Nga korrupsioni te paratë e drogës, DASH “nxin” Shqipërinë

Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton shqetësimet e investitorëve për gjyqësorin, prokurimet publike, kontratat, pronësinë, konkurrencën dhe ndikimin e ekonomisë informale.

Shqipëria vijon të përballet me një sërë problematikash që ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e investimeve, pavarësisht rritjes ekonomike dhe stabilitetit makroekonomik.

Në raportin e vitit 2026 për Klimën e Investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton se kuadri ligjor shqiptar në përgjithësi nuk diskriminon investitorët e huaj dhe vendi ka potencial ekonomik, por në praktikë investitorët përballen me një sërë pengesash institucionale dhe strukturore.

Sipas raportit, Shqipëria perceptohet nga investitorët e huaj si një vend ku të bërit biznes mbetet i vështirë. Ndër shqetësimet e ngritura janë korrupsioni në sektorin publik dhe sistemin gjyqësor, problemet në prokurimet publike, konkurrenca e shtrembëruar, ekonomia informale, pastrimi i parave, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal, pasiguria mbi pronat dhe vështirësitë në zbatimin e kontratave.

Raporti vë në dukje gjithashtu se të ardhurat e lidhura me aktivitetet kriminale, përfshirë trafikun e drogës dhe evazionin fiskal, sipas raportimeve të komunitetit të biznesit, ndikojnë në konkurrencën në treg.

Një tjetër shqetësim i evidentuar lidhet me presionin që mund të hasin investitorët. Sipas DASH, investitorët kanë raportuar rrezik për zhvatje ose presion nga administrata publike, media dhe grupe kriminale.

PPP-të, konkurrenca dhe investimet strategjike

Partneritetet publiko-private janë një tjetër pikë e raportit amerikan.

DASH vlerëson se përdorimi i PPP-ve ka kufizuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në projekte infrastrukturore dhe sektorë të tjerë.

Raporti evidenton si problem analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesën e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP. Këto shqetësime janë evidentuar edhe në raportet e mëparshme të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në fokus është edhe ligji për investimet strategjike. Sipas DASH, megjithëse ligji i miratuar në vitin 2015 synonte të nxiste investimet vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, numri i investitorëve të huaj që kanë përfituar këtë status ka mbetur i kufizuar.

Pjesa më e madhe e projekteve të miratuara është përqendruar në turizëm dhe është financuar nga kapitali vendas. Investitorë të huaj që kanë aplikuar për statusin strategjik kanë raportuar gjithashtu vonesa në marrjen e përgjigjeve nga AIDA.

Sipas raportit, përqindja e ulët e investitorëve të huaj që kanë përfituar statusin strategjik ka ushqyer perceptimin se skema ka favorizuar kryesisht kompani vendase me lidhje të afërta me shumicën qeverisëse.

DASH: Korrupsioni dëmton shtetin e së drejtës dhe klimën e biznesit

Korrupsioni zë një pjesë të rëndësishme në analizën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Raporti thekson se, pavarësisht ekzistencës së legjislacionit për luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesit, korrupsioni vazhdon të ndikojë në shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe potencialin e vendit.

Investitorët e huaj rendisin korrupsionin, krimin e organizuar dhe problematikat e lidhura me to ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në mjedisin e biznesit.

Në listën e shqetësimeve përfshihen korrupsioni në gjyqësor dhe administratë, prokurimet publike, mungesa e transparencës dhe konkurrencës, ekonomia informale, pastrimi i parave dhe zbatimi i dobët i kontratave.

DASH nënvizon nevojën për bashkëpunim më të madh institucional në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në të njëjtën kohë, raporti evidenton punën e SPAK dhe BKH në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë raste që kanë prekur zyrtarë të lartë aktualë ose të mëparshëm.

Gjyqësori mbetet shqetësim për investitorët

Problemet e sistemit gjyqësor janë një tjetër element i rëndësishëm.

Edhe pse Shqipëria ka një kuadër ligjor për çështjet tregtare dhe kontraktuale, investitorët e huaj raportojnë se korrupsioni i perceptuar në gjyqësor dhe procedurat joefikase të gjykatave krijojnë vështirësi në mbrojtjen e investimeve.

Për këtë arsye, investitorët në disa raste i drejtohen arbitrazhit ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me shtetin shqiptar. DASH vëren se gjatë dekadës së fundit janë zhvilluar disa procese arbitrazhi mes investitorëve të huaj dhe qeverisë shqiptare, me vendime si në favor ashtu edhe kundër shtetit.

Raporti përmend gjithashtu shqetësimet e investitorëve për mungesën e dialogut efektiv me institucionet shtetërore kur lindin mosmarrëveshje.

Reforma në drejtësi konsiderohet nga DASH si një proces i rëndësishëm. Vettingu ka larguar nga sistemi një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh, përfshirë raste të lidhura me pasuri të pajustifikuara ose lidhje me krimin e organizuar, ndërsa një pjesë e magjistratëve janë larguar përmes dorëheqjes.

Megjithatë, boshllëqet e krijuara në sistem kanë ndikuar në rritjen e stokut të çështjeve gjyqësore dhe në zgjatjen e proceseve, veçanërisht në apel.

Pasiguria mbi pronat, një pengesë për investimet

Çështjet e pronësisë mbeten ndër problematikat më të ndjeshme të evidentuara në raport.

DASH vëren se investitorët dhe individët vazhdojnë të hasin vështirësi në sigurimin dhe mbrojtjen e titujve të pronësisë. Sektori i pronave konsiderohet gjithashtu një nga fushat më të ekspozuara ndaj korrupsionit.

Procedurat për regjistrimin e pronave dhe sigurimin e titujve përshkruhen si komplekse dhe të cenueshme nga korrupsioni.

Ndër problemet e evidentuara janë mungesa e transparencës, procedurat joefikase, digjitalizimi ende i papërfunduar, mungesa e një sistemi të integruar të menaxhimit të tokës dhe mospërputhjet mes titujve ligjorë dhe hartave kadastrale.

Raporti tërheq vëmendjen edhe te historiku i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Procesi i kthimit dhe kompensimit është përshkruar si i ngadalshëm dhe kompleks, ndërsa një pjesë e mosmarrëveshjeve përfundojnë në gjykata dhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Për këtë arsye, DASH u kërkon investitorëve të tregojnë kujdes të veçantë gjatë transaksioneve që lidhen me pronat.

Pastrimi i parave, një tjetër shqetësim

Raporti i referohet edhe situatës së Shqipërisë në lidhje me pastrimin e parave.

Edhe pse Shqipëria u hoq nga lista gri e FATF-së në tetor 2023, raporti amerikan përmend klasifikimin e vendit në kategorinë “Major Money Laundering Jurisdictions” në raportin International Narcotics Control Strategy Report 2025.

DASH e lidh këtë problem me shqetësimet më të gjera për ekonominë informale dhe ndikimin e të ardhurave të paligjshme në konkurrencën e tregut. Në raportet e mëparshme të Departamentit është theksuar gjithashtu se largimi nga lista gri e FATF-së nuk i ka eliminuar problematikat strukturore që lidhen me pastrimin e parave.

Emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore

Një tjetër problem i ngritur nga DASH lidhet me emigracionin dhe tregun e punës.

Largimi i të rinjve dhe i punonjësve të kualifikuar ka krijuar mungesa në disa sektorë dhe, sipas raportit, përbën një faktor që ndikon në perspektivën e investimeve.

Duke iu referuar të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, DASH përmend emigrimin masiv të shqiptarëve dhe vlerësimin se rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare punon jashtë vendit.

Mes faktorëve që lidhen me emigrimin përmenden pagat, kushtet ekonomike, korrupsioni dhe klientelizmi.

Mungesa e punonjësve të kualifikuar është kthyer ndërkohë në një shqetësim të rëndësishëm për bizneset që operojnë në Shqipëri, veçanërisht në sektorë si turizmi.

Rritje e investimeve të huaja, por edhe problematika të forta

Pavarësisht problematikave të evidentuara, raporti nuk paraqet vetëm një tablo negative të ekonomisë shqiptare.

Sipas të dhënave të cituara në raport, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni zbriti në 2.2%. Borxhi publik ndaj PBB-së ra nga 75% në vitin 2021 në 52.6% në vitin 2025.

Edhe investimet e huaja direkte shënuan rritje. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë të cituara nga DASH, fluksi i FDI-ve arriti në rreth 1.84 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, ndërsa stoku total i investimeve të huaja arriti në 17 miliardë dollarë.

Pasuritë e paluajtshme përbënin 34% të flukseve të investimeve, të ndjekura nga shërbimet financiare me 18%, industria nxjerrëse me 10% dhe tregtia me shumicë e pakicë me 10%.

Edhe investimet amerikane shënuan rritje. Sipas raportit, stoku i FDI-ve amerikane në Shqipëri arriti në 490 milionë dollarë gjatë vitit 2025, nga 382 milionë dollarë një vit më parë.

Në këtë panoramë, raporti i DASH paraqet një kontrast mes rritjes së treguesve ekonomikë dhe problemeve që vazhdojnë të raportohen nga investitorët.

Rritja ekonomike dhe flukset e larta të investimeve të huaja bashkëjetojnë me shqetësime për korrupsionin, prokurimet publike, PPP-të, funksionimin e gjyqësorit, sigurinë e pronës, konkurrencën, ekonominë informale, pastrimin e parave dhe zbatimin e kontratave. Këto janë ndër çështjet që, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, vijojnë të ndikojnë në perceptimin e Shqipërisë si destinacion investimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.