Hita nga Europol: Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne
Kreu i Policisë së Shtetit kërkon rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese europiane.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me format e reja të kriminalitetit, duke paralajmëruar se grupet kriminale po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga zhvillimet teknologjike.
Deklarata u bë gjatë vizitës së tij në selinë e Europolit, ku Hita zhvilloi një takim me Drejtorin Ekzekutiv në detyrë të agjencisë europiane, Jürgen Ebner. Takimi u zhvillua përpara Konventës Evropiane të Shefave të Policisë (EPCC), ku kreu i Policisë shqiptare po merr pjesë.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko.
Sipas Hitës, kriminaliteti modern nuk kufizohet më brenda territoreve kombëtare, ndërsa teknologjia është shndërruar në një mjet që mund të përdoret si nga strukturat shtetërore, ashtu edhe nga organizatat kriminale.
Përballë kësaj situate, ai e cilësoi bashkëpunimin ndërkombëtar si një element të domosdoshëm për shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin e operacioneve kundër krimit të organizuar.
“Dua t’ju siguroj se vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuuar denjësisht për sigurinë evropiane.
Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne, ku teknologjia, ashtu siç na shërben neve, i shërben edhe krimit, i cili përditë e më shumë po globalizohet. Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera.
Kjo është mënyra e duhur për të pasur sukses në misionin tonë. Ju falënderoj për mikpritjen dhe uroj punime të suksesshme të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, një konventë me rëndësi shumëdimensionale në interes të sundimit të ligjit”, deklaroi Hita.
Gjatë takimit me drejtuesin e Europolit, kreu i Policisë së Shtetit vuri theksin edhe te nevoja për mbështetje të mëtejshme nga agjencia europiane.
Kjo mbështetje, sipas tij, lidhet me ekspertizën profesionale, kapacitetet logjistike, shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe koordinimin e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta.
Hita e lidhi forcimin e këtyre mekanizmave me objektivin e përbashkët për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë përtej kufijve dhe për rritjen e sigurisë.
Nga ana e tij, Jürgen Ebner vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe rolin e Shqipërisë si një partnere në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Ebner evidentoi rritjen e shkëmbimit të informacionit mes strukturave, zhvillimin e hetimeve të përbashkëta dhe përfshirjen e Shqipërisë në mekanizmat e Europolit dhe EMPACT.
Ai vlerësoi gjithashtu punën e Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë pranë Europolit, duke e lidhur intensifikimin e bashkëpunimit me profesionalizmin dhe besueshmërinë e Policisë së Shtetit.
Vizita e Hitës në Europol dhe pjesëmarrja në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë vjen në një kohë kur bashkëpunimi ndërkombëtar po merr një rol gjithnjë e më të madh në hetimin e kriminalitetit ndërkufitar, veçanërisht përmes shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të koordinuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



