KLSH “mpreh shpatën” e auditimeve, Shehu: Asnjë presion nuk na ndal
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka në proces një seri auditimesh në sektorë dhe institucione me ndikim të rëndësishëm në financat publike dhe administrimin e pasurive shtetërore.
Kreu i KLSH-së, Arben Shehu, ka bërë të ditur se aktualisht po verifikohen një numër i konsiderueshëm institucionesh dhe projektesh, ndërsa në rastet kur auditimet evidentojnë shkelje që kërkojnë ndjekje penale, materialet i përcillen organeve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut.
SShehu ka renditur disa prej fushave ku audituesit e KLSH-së janë aktualisht të angazhuar. Në listë përfshihen Ministria e Energjisë dhe KESH, aksi rrugor Thumanë–Fushë Krujë–Kashar, vendburimet e naftës, Drejtoria e Burgjeve dhe vendshfrytëzimet e kromit.
Kontrollet shtrihen gjithashtu te hidrocentralet, skemat e mbështetjes për bujqësinë, sistemet fotovoltaike, analizat e biopsisë dhe monitorimi i substancave të rrezikshme.
Kreu i KLSH-së përmendi edhe disa kontrolle që tashmë kanë përfunduar. Mes tyre janë auditimi i kontratës për setet kirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimi i Kontrollit Mjekësor Bazë dhe Korporata e Investimeve Shqiptare.
Sipas Shehut, roli i KLSH-së nuk mbyllet me përfundimin e auditimit. Kur gjatë procesit identifikohen elementë që vlerësohen si shkelje dhe që kërkojnë ndërhyrjen e organeve të drejtësisë, dosjet referohen në Prokurori dhe, sipas rastit, në SPAK.
“Puna jonë nuk përfundon me auditimin, por për rastet që vlerësohet se ka shkelje, i jemi drejtuar Prokurorisë, në mënyrë të veçantë SPAK”, deklaroi Shehu.
Dosjet e referuara pranë organeve të drejtësisë trajtohen në kuadër të procedurave përkatëse dhe mbeten konfidenciale gjatë fazës së hetimit.
Shehu: Audituesit janë përballur me presione konkrete
Gjatë intervistës, kreu i KLSH-së foli edhe për raste presioni ndaj punonjësve që kryejnë auditimet.
Shehu nuk bëri publikë emrat e personave apo rrethanat e detajuara të rasteve, por konfirmoi se bëhet fjalë për situata konkrete dhe se për to institucioni do t’u drejtohet organeve kompetente.
Ai theksoi se këto situata nuk kanë ndikuar në punën e KLSH-së dhe se proceset e auditimit do të vijojnë pavarësisht presioneve.
“Patjetër që për presione konkrete, por kjo nuk do të ndikojë në punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, u shpreh Shehu në një intervistë për “Top Channel”.
Kreu i KLSH-së shtoi se për situatat që konsiderohen jo normale do të ndiqen procedurat institucionale, ndërsa auditimet në sektorët e përmendur do të vijojnë sipas programeve të përcaktuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



