E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Të hapim një fabrikë në Afrikë”, del audiopërgjimi i ri i Ron Yeffet
Lajme

“Të hapim një fabrikë në Afrikë”, del audiopërgjimi i ri i Ron Yeffet

Nga dyshimet për trafik armësh te fabrika në Afrikë, audiopërgjimi hap pikëpyetje të reja për aktivitetin me Arjeta Pucën

Një tjetër audiopërgjim që i atribuohet biznesmenit Ron Yeffet është bërë publik, duke nxjerrë në pah një bisedë mbi mundësinë e zgjerimit të aktivitetit të tij në Afrikë dhe ngritjen e një fabrike atje.

Materiali është publikuar në kuadër të emisionit “Çim Peka LIVE”, ndërsa biseda zhvillohet mes Yeffet dhe një gruaje të identifikuar si Tatiana. Në fokus janë aktivitetet tregtare që lidhen me armët, mundësia e hapjes së një fabrike dhe mënyra se si do të organizohej drejtimi i bizneseve në Afrikë.

Në një moment të bisedës, Yeffet shprehet se krahas blerjes dhe shitjes së armëve, do të ishte e dobishme ngritja e një fabrike në Afrikë. Sipas tij, një strukturë e tillë do të mundësonte zgjerimin e aktivitetit dhe do të kërkonte angazhimin e personave që do të merreshin me menaxhimin e bizneseve.

Gjatë diskutimit përmendet edhe Sudani, ndërsa bashkëbiseduesit flasin për vështirësitë që mund të paraqiten në organizimin e aktivitetit, veçanërisht sa i përket paketimit dhe shitjes me pakicë.

Yeffet përmend Arjeta Pucën

Një nga pjesët më të spikatura të bisedës lidhet me përmendjen e Arjeta Pucës. Në audiopërgjim, Yeffet deklaron se Puca dhe persona të tjerë janë duke punuar me të në Afrikë.

Ai i propozon bashkëbisedueses që të udhëtojë me të në Afrikë për të parë nga afër aktivitetin dhe mënyrën se si funksionojnë bizneset atje. Yeffet shprehet gjithashtu se do t’i vinte në dispozicion lidhjet dhe kontaktet e nevojshme për të vijuar më tej aktivitetin.

Nga përmbajtja e bisedës kuptohet se një pjesë e diskutimit lidhet me nevojën për persona që të marrin përsipër drejtimin e aktiviteteve, ndërsa Yeffet shfaqet i interesuar që bashkëpunëtorët e tij të përfshihen drejtpërdrejt në këtë organizim.

Në një tjetër pjesë, bashkëbiseduesja ngre çështjen e lejeve apo autorizimeve të nevojshme për të ushtruar aktivitet në Afrikë. Diskutimi vijon rreth mënyrës se si mund të organizohej puna dhe rolit që do të kishin personat e përfshirë.

Audiopërgjimi është bërë publik në një kohë kur emri i Ron Yeffet është përmendur në materiale të tjera që lidhen me aktivitetet e tij dhe me pretendime për trafikun e armëve. Përmbajtja e këtij materiali, përfshirë deklarimet e atribuuara Yeffet, mbetet pjesë e raportimeve dhe duhet të vlerësohet në funksion të verifikimeve dhe hetimeve përkatëse.

BISEDA:

Ron Yeffet: Ne mundemi, mund t’i blejmë dhe t’i shesim këto, por paralelisht me këto mendoj se do të ishte shumë e mençur që të hapnim një fabrikë atje.

Ron Yeffet: Dhe mund të kemi dikë që t’i drejtojë këto biznese sepse …

Tatiana: Pra, meqenëse ata nuk kanë punuar kurrë në Afrikë, si mendoni të veproni në këto raste referuara në dimensionin e shitjes me pakicë në Sudan, për të parë se si funksionon, si është dhe pas kësaj, për shkak se paketimi është i vështirë të bëhet.

Ron Yeffet: Më duhet ndihma e tyre në drejtimin e këtyre bizneseve sepse, ti më kupton …

Tatiana: Po, sigurisht, por për këtë më duhet një leje (konfirmim), e di, mendoj se për të punuar duhet një leje, konfirmim.

Ron Yeffet: Pra, udhëto me mua atje, eja me mua. Unë sa u ktheva nga atje, Arjeta dhe njerëz të tjerë po punojnë me mua atje. Udhëto me mua për të parë, për të parë, ti duhet të më kuptosh që të jem … Do të jap të gjitha marrëdhëniet, lidhjet dhe gjithçka, dhe ti do ta ndjekësh nga ai moment. Nuk kam kohë ta ndjek dhe të bëj …

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.