Reforma Territoriale ndez debate në Komisionin e Ligjeve
Korreshi dhe Strazimiri kërkojnë që qëndrimet e pushtetit vendor dhe nisma e opozitës të shqyrtohen përpara vijimit të procedurës.
Shqyrtimi i reformës administrativo-territoriale ka sjellë përplasje të forta në Komisionin e Ligjeve, ku opozita ka kundërshtuar mënyrën se si po zhvillohet procedura dhe ka kërkuar që procesi të mos vijojë pa u administruar më parë qëndrimi i bashkive.
Deputetët e opozitës Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri kanë ngritur disa kundërshtime gjatë mbledhjes, duke kërkuar që në diskutimin për reformën të përfshihen edhe materialet e ardhura nga pushteti vendor, si dhe nisma e depozituar nga opozita.
Korreshi e ka vënë theksin te mënyra e trajtimit të shkresave të dërguara nga bashkitë në Kuvend. Sipas tij, dokumentet duhet të merren në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve përpara se të hidhet ndonjë hap tjetër procedural.
Në një debat me tone ironike, deputeti demokrat ka kritikuar edhe ritmin me të cilin është proceduar nisma e mazhorancës, duke e krahasuar atë me trajtimin që, sipas tij, ka marrë propozimi i opozitës.
“Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Korreshi.
Ai vijoi duke ironizuar mënyrën se si është trajtuar nisma e mazhorancës, duke iu referuar datës 31 gusht dhe procedimit të shpejtë të saj.
“Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë. Po shkresat e mëparshme”, tha deputeti.
Korreshi kërkoi që dokumentet dhe qëndrimet e bashkive të mos anashkalohen gjatë procesit të shqyrtimit parlamentar.
“Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën t’i marrim ne. Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë”, u shpreh ai.
Deputeti opozitar e shoqëroi ndërhyrjen e tij me ironi ndaj mënyrës se si po trajtohet reforma, duke përdorur edhe metafora për të vënë në dukje diferencën që, sipas tij, ekziston mes ritmit të trajtimit të nismës së mazhorancës dhe asaj të opozitës.
Manja: Nisma e opozitës është dërguar për konsultim te bashkitë
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, iu përgjigj pretendimeve të Korreshit duke deklaruar se edhe projektligji i opozitës është përcjellë për konsultim te të gjitha bashkitë.
Sipas Manjës, Kuvendi ka ndjekur të njëjtën procedurë për të dyja nismat.
“Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju”, deklaroi Manja.
Ai shtoi se opozita kishte depozituar një projektligj dhe kishte kërkuar që ai t’u dërgohej bashkive për t’u shprehur.
“Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve.
Strazimiri: Duhet të prisni qëndrimet e bashkive
Në debat u përfshi edhe deputeti Gent Strazimiri, i cili e çoi më tej kundërshtimin ndaj procedurës së ndjekur nga komisioni.
Strazimiri argumentoi se procesi nuk duhet të vijojë pa u administruar qëndrimi i këshillave bashkiakë dhe kërkoi që nisma e opozitës të shqyrtohet së bashku me propozimin tjetër.
“Duhet të prisni dhe të vijnë dhe nismat tona, të bëhen bashkë”, deklaroi Strazimiri.
Ai akuzoi drejtuesin e mbledhjes se po vijonte procedurën pa pritur përfundimin e konsultimeve me pushtetin vendor dhe pretendoi se kjo mënyrë veprimi bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin.
“Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet. Ti duhet ta kishe mbyllur këtë mbledhje që herës që të thashë unë. Të janë shprehur me shkrim këshillet bashkiake që nuk e duan”, tha ai.
Strazimiri kërkoi gjithashtu që në proces të dëgjohet edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.
“Duhet të dëgjojmë Maznikun”, u shpreh deputeti.
Manja iu përgjigj me ironi: “Mos e dëgjoni, e dëgjojmë ne”.
Përplasja vijoi me pretendimin e Strazimirit se komisioni duhet të presë administrimin e plotë të qëndrimeve të bashkive dhe të mos e mbyllë procedurën sipas një afati të përcaktuar paraprakisht.
“Ju thoni me datë 8 kjo ka mbaruar. Je në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit”, deklaroi Strazimiri.
Në vijim, ai iu referua numrit të bashkive që, sipas tij, kanë shprehur interes për çështjen dhe tha se numri i tyre është rritur nga 15 në 16, pas përfshirjes edhe të Bashkisë së Krujës.
“15 bashki ishin që interesoheshin, tani janë bërë 16, edhe e Krujës”, tha Strazimiri.
Debati në Komisionin e Ligjeve tregon se reforma administrativo-territoriale po shoqërohet me përplasje jo vetëm për përmbajtjen e saj, por edhe për mënyrën dhe afatet e shqyrtimit parlamentar. Opozita kërkon që qëndrimet e pushtetit vendor dhe nisma e saj të jenë pjesë e procesit përpara vijimit të procedurës, ndërsa mazhoranca argumenton se konsultimi me bashkitë po zhvillohet sipas të njëjtës procedurë për të dyja nismat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



