Me kokainë gati për shitje, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë
Një tjetër rast i dyshuar i shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë zonave të frekuentuara nga nxënësit është goditur nga Policia e Tiranës. Operacioni i koduar “Perimetri” ka çuar në arrestimin e një 26-vjeçari, i cili dyshohet se kishte përgatitur doza kokaine për t’i shitur në kryeqytet.
Në pranga ka përfunduar shtetasi Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti të riut disa dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë. Në të njëjtin kontroll u sekuestrua edhe një armë e ftohtë, e cila u administrua si provë materiale në kuadër të hetimit.
Sipas të dhënave të deritanishme, hetuesit dyshojnë se 26-vjeçari kishte siguruar lëndën narkotike dhe më pas e kishte ndarë në doza të veçanta, të gatshme për t’u shpërndarë. Dyshimi kryesor është se droga do të shitej në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë edhe hapësirat pranë institucioneve arsimore.
Goditja e këtij rasti është bërë në kuadër të operacionit “Perimetri”, i cili synon identifikimin dhe ndalimin e rasteve të shitjes apo shpërndarjes së narkotikëve në afërsi të shkollave dhe zonave të sigurisë përreth tyre.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
I riu po hetohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



