E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kërkohej nga Interpol Tirana, arrestohet në Greqi 19-vjeçari turk
Lajme

Kërkohej nga Interpol Tirana, arrestohet në Greqi 19-vjeçari turk

Një 19-vjeçar turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për një ngjarje të rëndë me armë zjarri në Shqipëri, është ndaluar nga policia greke. I riu dyshohet se është autori i plagosjes së 36-vjeçarit Halil Uçar, e ndodhur më 9 mars 2026 në një lokal në zonën e Saukut, në Tiranë.

Sipas informacioneve të bëra publike, ngjarja ndodhi pasi dy shtetasit turq ndodheshin në tavolina të ndryshme dhe në kate të ndryshme të lokalit. Pasi përfundoi darkën në katin e parë, 19-vjeçari u ngjit në katin e dytë, ku qëlloi me armë zjarri në drejtim të Uçarit.

Plumbi e kapi 36-vjeçarin në shpatull. Pas të shtënave, autori i dyshuar u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Pas hetimeve, ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, për veprat penale të lidhura me tentativën e vrasjes dhe armëmbajtjen pa leje.

Si u zbulua në Greqi 19-vjeçari i kërkuar nga Interpol Tirana

I riu u arrestua gjatë një kontrolli policor në Rrugën Kombëtare Kalamata–Pylos, në Greqi. Bashkë me të u ndaluan edhe dy shtetas të tjerë turq, përkatësisht 21 dhe 22 vjeç.

Sipas autoriteteve greke, oficerët e Ekipit të Parandalimit dhe Ndërmjetësimit të Mesinisë (OPDI) kontrolluan automjetin me të cilin udhëtonin tre të rinjtë. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 14.7 gramë marijuanë, si dhe një sasi e vogël kokaine, të cilat dyshohet se i posedonin së bashku.

Policia konstatoi gjithashtu se 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë. Dokumentet u sekuestruan, ndërsa nga verifikimet rezultoi se të dy qëndronin në Greqi në mënyrë të paligjshme.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan edhe katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.

Në kërkim ndërkombëtar për plagosjen në Sauk

Verifikimet e mëtejshme zbuluan se 19-vjeçari ishte subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar, të shoqëruar me Njoftim të Kuq të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare.

Sipas njoftimit, ai akuzohet për një ngjarje të rëndë me armë zjarri në Shqipëri, ku dyshohet se plagosi Halil Uçarin, 36 vjeç, në një lokal në Sauk.

Për rastin në Greqi, hetimet paraprake po kryhen nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Kalamatës. Tre shtetasit turq u arrestuan për vepra penale që lidhen me shkeljen e legjislacionit për narkotikët, të huajt dhe falsifikimin.

Ndërkohë, pritet të ndiqen procedurat përkatëse lidhur me kërkimin ndërkombëtar të 19-vjeçarit nga autoritetet shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.