Skënder Hita zbret në terren te “21 Dhjetori”
Protesta e studentëve vijon të shoqërohet me tensione dhe incidente në kryeqytet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndodhet në zonën e “21 Dhjetorit”, ku situata është përshkallëzuar dhe efektivët kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit.
Në këtë zonë është mbledhur një numër i madh personash, ndërsa gjatë përplasjeve janë hedhur gurë dhe janë vendosur pengesa në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka shoqëruar disa prej protestuesve.
Përdorimi i gazit ka prekur edhe qytetarë që ndodheshin në lokalet pranë zonës. Sipas raportimeve nga terreni, mes tyre ka pasur edhe turistë, të cilët janë ndier keq dhe kanë marrë ndihmë nga personat e pranishëm dhe punonjësit e policisë. Ata kanë refuzuar të prononcohen para kamerave.
Situata në rrugë paraqitet e rënduar edhe për shkak të koshave të mbeturinave të përfshirë nga flakët dhe kangjellave të përdorura si barrikada.
Digjet automjet policie pranë Komisariatit Nr. 2
Ndërkohë, më herët, pranë Komisariatit Nr. 2 në Tiranë është raportuar djegia e një automjeti në përdorim të Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve nga terreni, një grup protestuesish ka tentuar gjithashtu të hyjë në ambientet e komisariatit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë po ndjek nga afër zhvillimet në zonën e “21 Dhjetorit”, ndërsa ndërhyrjet e efektivëve vijojnë për menaxhimin e situatës.
Protesta, e nisur gjatë pasdites, është shoqëruar me përplasje, dëmtime të pronës dhe bllokime të qarkullimit në disa pjesë të kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



