E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Isha gati për vdekje”, 17-vjeçari rrëfen tmerrin pasi u godit me plumb gome
Lajme

“Isha gati për vdekje”, 17-vjeçari rrëfen tmerrin pasi u godit me plumb gome

Një 17-vjeçar i lënduar gjatë protestës në Tiranë ka rrëfyer drejtpërdrejt për News24 momentet e frikshme kur, sipas dëshmisë së tij, u godit me plumb gome në qafë nga forcat e policisë.

Në një lidhje live me gazetarin Klevin Muka, adoleshenti tregoi se ndodhej në rreshtat e parë të protestuesve, ku po bënte thirrje për bashkim, kur u qëllua nga një distancë që ai e përshkroi si të afërt.

Sipas rrëfimit të tij, në ato momente në protestë po përdorej gaz lotsjellës, ndërsa situata ishte e tensionuar. Goditja e papritur e kishte trullosur, duke e bërë të vështirë të kuptonte menjëherë se çfarë kishte ndodhur.

“Isha në rresht të parë, po bërtisja për bashkim. Po na ndanin me gaz lotsjellës dhe po na përçanin. Unë po bërtisja dhe më goditën me plumb gome në afërsi jo të largët. Nuk e dallova shumë mirë, u trullosa në ato momente. Më ndihmuan motrat dhe vëllezërit në protestë, isha gati për vdekje”, tregoi 17-vjeçari.

Mesazhi i të riut për Ramën: “Të erdhi fundi!”

Përtej përshkrimit të momentit të plagosjes, adoleshenti shprehu zemërimin për mënyrën se si, sipas tij, policia po vepronte ndaj protestuesve.

Gjatë prononcimit, ai përdori tone të ashpra ndaj efektivëve dhe deklaroi se dhuna nuk do t’i ndalë të rinjtë që kanë dalë në rrugë për të protestuar.

“Këta nuk janë policë, këta janë kundër popullit! Nuk ka plumba gome që na vrasin neve. Rama, të erdhi fundi, nuk ke ku shkon!”, u shpreh 17-vjeçari.

Dëshmia e tij vjen në një klimë të tensionuar, ku protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe me raportime për persona të lënduar.

Rrëfimi i adoleshentit rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e protestuesve, veçanërisht të të rinjve, ndërsa rrethanat e plota të incidentit mbeten për t’u dokumentuar dhe verifikuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.