E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kulmi i tensioneve, forcat RENEA zbarkojnë para Kryeministrisë
Lajme

Kulmi i tensioneve, forcat RENEA zbarkojnë para Kryeministrisë

Forcat speciale RENEA kanë zbritur në terren mbrëmjen e sotme në zonën pranë Kryeministrisë, në një tjetër përshkallëzim të situatës gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Dy automjete të blinduara kanë mbërritur pranë godinës së qeverisë, ndërsa prej tyre kanë zbritur efektivë të RENEA-s, të pajisur me veshje ushtarake dhe armatim. Forcat speciale janë dislokuar në zonë në një moment kur përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit vijojnë prej disa orësh.

Drejtuesit policorë në vendngjarje

Në terren është shfaqur edhe kreu i forcave speciale RENEA, Altin Dardha, i cili është parë pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Dy drejtuesit e lartë policorë janë fotografuar së bashku pranë Kryeministrisë, ndërsa në të njëjtën kohë është shtuar prania e forcave të rendit.

Policia ka ndërmarrë një mobilizim të gjerë për menaxhimin e situatës, duke përdorur tre automjete ujëhedhëse, gaz lotsjellës dhe një numër të madh efektivësh në përpjekje për të shtyrë protestuesit dhe për të kontrolluar hapësirën përpara Kryeministrisë.

Nga ana tjetër, protestuesit janë kundërpërgjigjur me gurë, sende të forta dhe kokteje Molotov, duke shkaktuar përplasje të vazhdueshme me forcat e policisë. Gjatë protestës janë raportuar edhe persona të lënduar dhe të shoqëruar nga policia.

Incidente me zjarr

Situata është përshkallëzuar edhe për shkak të incidenteve me zjarr. Më herët, një automjet është përfshirë nga flakët në bulevard, ndërsa është raportuar gjithashtu për zjarr në godinën e ish-Hotel Dajtit, e cila përdoret nga Banka e Shqipërisë.

Detajet e veprimit të RENEA-s mbeten të paqarta

Prania e RENEA-s dhe mbërritja e dy automjeteve të blinduara përbëjnë një nga zhvillimet më të forta të mbrëmjes së sotme në protestë. Deri tani nuk janë bërë të ditura detajet mbi detyrat konkrete që efektivët e njësisë speciale do të kryejnë në terren.

Protesta në ditën e pestë

Protesta ndodhet në ditën e pestë dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” vijon të jetë epiqendra e tensioneve, ndërsa protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.