Rama tenton skemën e vjetër: Ftoj protestuesit për dialog në Kryeministri apo fakultet
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet përballë akteve të dhunës gjatë protestave, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që kërkojnë dialog të ulen në tryezën e komunikimit me të. Kreu i qeverisë tha se takimi mund të zhvillohet në Kryeministri, në fakultet apo në një format tjetër, duke lënë të hapur mundësinë e bisedimeve me të rinjtë.
Në reagimin e tij, Rama iu drejtua edhe protestuesve që, sipas tij, marrin pjesë në tubime pa pasur si qëllim përdorimin e dhunës, por që gjenden përballë personave të maskuar dhe mjeteve të forta. Ai pretendoi se në këto rrethana krijohen përplasje me policinë, për të cilat më pas fajësohen uniformat blu.
“Shteti nuk dorëzohet përpara gurëve dhe kush dorëzohet nuk e merr veten për vite”, u shpreh Rama, duke theksuar se institucionet nuk do të tërhiqen përballë akteve të dhunshme.
Kryeministri deklaroi se është i gatshëm të takojë këdo që dëshiron të diskutojë për mënyrën se si mund të përmirësohet situata, qoftë përmes një bisede të drejtpërdrejtë, qoftë në prani të kamerave.
Megjithatë, ai bëri një dallim mes të rinjve që, sipas tij, protestojnë pa synuar përplasjet dhe personave që përdorin gurë apo maska gjatë tubimeve.
“Aty nuk bëhet balet as nuk luhet futboll. Kush më çon mesazh dhe gurë me maska mua dhe shtetin e ka përballë, kjo që po ndodh Shqipërinë do e bëjë më të fortë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Deklaratat e Ramës vijnë në një klimë të tensionuar politike dhe shoqërore, pas përplasjeve të ditëve të fundit mes protestuesve dhe policisë. Ndërsa kryeministri këmbëngul se shteti nuk do të tërhiqet përballë dhunës dhe shpreh gatishmërinë për dialog, mbetet për t’u parë nëse kjo thirrje do të pasohet nga një takim konkret me përfaqësuesit e të rinjve që protestojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



