E premte, 23 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama shkarkon drejtorët që i emëroi po vetë
Sot

Rama shkarkon drejtorët që i emëroi po vetë

 

Në kulmin e protestave dhe të krizës politike, kryeministri Edi Rama ka nisur atë që e quajti vetë “furtunë” në administratën shtetërore. Pas ultimatumit për dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve të varësisë, ministrat kanë thirrur mbledhje urgjente me vartësit e tyre për t’u komunikuar urdhrin e kreut të qeverisë.

Sipas informacioneve të publikuara nga Publik.al, procesi i dorëheqjeve nis zyrtarisht sot, të premten më 23 tetor, në orën 08:00, dhe duhet të përfundojë deri të hënën, më 26 tetor. Lista prek institucionet që administrojnë miliarda lekë: tatimet, doganat, energjetikën, rrugët, burgjet, prokurimet publike dhe fondet e fermerëve.

Drejtorë të emëruar nga e njëjta dorë

Asnjë nga këta emra nuk erdhi rastësisht. Myzyri u emërua në qershor 2026, pas dorëheqjes së Arlinda Pogajt, dhe më parë ka drejtuar Komisionin e Prokurimit Publik. Përlala u emërua me vendim të Këshillit të Ministrave në janar 2026. Beja mori drejtimin e Doganave në shkurt të këtij viti. Haxhiademi u vendos në krye të KESH-it në dhjetor 2025. Kuçi drejton AZHBR-në që nga shtatori 2024, agjencinë ku skandalet me fondet e fermerëve çuan Bashkimin Europian të ndërpresë fondet IPARD.

 Haxhiademi dhe Verdho janë nën hetim në kuadër të dosjes Balluku, ndërsa një pjesë e dosjeve të ARRSH-së hetohen nga SPAK.

Rasti më i pashpjegueshëm është ai i Sadleva Bodos. U emërua drejtoreshë e Burgjeve më 14 tetor, pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, dhe tetë ditë më vonë iu kërkua me telefon të largohej. Sipas burimeve, fillimisht ajo kundërshtoi, duke thënë se sapo kishte marrë detyrën.

Nëse ishte e përshtatshme për detyrën më 14 tetor, përse duhet të largohet më 22 tetor? E nëse nuk ishte, kush mban përgjegjësi për emërimin e saj?

A nuk i vuri ata vetë Edi Rama?

Kjo është pyetja që qeveria shmang. Edi Rama është mbi trembëdhjetë vjet në krye të qeverisë. Këta drejtues nuk ranë nga qielli. Ata u përzgjodhën, u emëruan dhe u mbikëqyrën nga ministrat e tij, me vendime të Këshillit të Ministrave që ai vetë drejton.

Edhe ministrat që sot u përcjellin drejtorëve urdhrin e dorëheqjes janë zgjedhje personale e kryeministrit. Ata që kërkojnë llogari sot janë të njëjtët që i propozuan dhe i mbrojtën këta drejtues dje.

Nëse institucionet kanë dështuar, përgjegjësia nuk mund të ndalet te dera e drejtorit. Nëse kanë punuar mirë, përse duhet të largohen të gjithë? Dhe nëse e gjithë administrata ka nevojë për një tronditje kaq të madhe, çfarë na thotë kjo për mënyrën si është qeverisur vendi deri sot?

Përse pikërisht tani?

Dorëheqjet vijnë në ditët kur sheshet janë mbushur me studentë dhe prindër, kur debati publik është përqendruar te dhuna policore dhe te shpërblimi prej 2500 eurosh për policët. Pyetja është e natyrshme: a kemi të bëjmë me reformë administrative, apo me një operacion për të zhvendosur vëmendjen dhe për të vendosur njerëz edhe më të bindur në krye të institucioneve kyçe?

Pyetja më e rëndësishme nuk është kush largohet, por kush vjen. Kush do të marrë kontrollin e tenderëve publikë, të miliardave të energjisë, të rrugëve dhe të fondeve bujqësore? Kush do të drejtojë doganat dhe tatimet? A do të ketë konkurse, transparencë dhe meritë, apo thjesht një listë të re besnikësh?

Mund të ndërrohen njëzet, pesëdhjetë apo njëqind drejtorë. Por nëse kriteri mbetet besnikëria ndaj pushtetit dhe jo përgjegjësia ndaj ligjit, nuk kemi reformë. Kemi thjesht qarkullim njerëzish brenda të njëjtit pushtet.

Rama mund t’i ndërrojë të gjithë drejtorët e Shqipërisë, por nuk mund të ndërrojë historinë e qeverisjes së vet. Kur kërkon dorëheqjen e gjithë administratës sate, pyetja nuk është më kush duhet të largohet.

Pyetja është: përse duhet të qëndrojë ai që i emëroi të gjithë?

Mbledhjet me urdhër nga lart

Në Ministrinë e Drejtësisë, ministri Toni Gogu ka mbledhur rreth orës 15:00 drejtuesit e institucioneve në varësi. Në orën 18:30 ka qenë radha e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ministri Enea Karakaçi u ka kërkuar dorëheqjen drejtuesve të kompanive publike.

Sipas të njëjtit burim, asnjë nga drejtuesit nuk ka shfaqur rezistencë. Të gjithë kanë konfirmuar se e kanë marrë urdhrin dhe se janë gati të japin dorëheqjen.

Kujt i është kërkuar dorëheqja

Ministria e Drejtësisë

  1. Besmir Kola, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës
  2. Ergys Qirici, drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit
  3. Valdrin Pjetri, drejtor i Agjencisë së Trajtimit të Pronave
  4. Eduard Merkaj, drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale
  5. Sadleva Bodo, drejtoreshë e Përgjithshme e Burgjeve, e emëruar vetëm më 14 tetor

Infrastruktura dhe Energjia
6. Eltar Deda, administrator i Albpetrolit
7. Ami Kozeli, drejtor i Përgjithshëm i ARRSH-së
8. Elisian Bici, administrator i OST-së
9. Viola Haxhiademi, administratore e KESH-it
10. Ergys Verdho, administrator i Hekurudhës Shqiptare
11. Dritan Isaku, drejtor i Përgjithshëm i Albcontrol

Agjencitë dhe institucionet shtetërore
12. Silda Anagnosti Çepe, administratore e IdentiTek
13. Jonaid Myzyri, administrator i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara
14. Ervin Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare
15. Laura Plaku Saro, drejtoreshë ekzekutive e AIDA-s
16. Ardita Kuçi, drejtoreshë e Përgjithshme e AZHBR-së
17. Marjeta Përlala, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit

Financat dhe ekonomia
18. Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave
19. Ilir Binaj, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve
20. Etugert Llazi, drejtor i Përgjithshëm i QKB-së

Ende nuk dihet nëse furtuna do të prekë edhe Kadastrën, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, AKUK-un dhe agjenci të tjera të varësisë.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.