Kardiologu që rrëzoi Aleksandar Vuçiçin pas 14 viteve
Kush është Ilija Srdanoviç
Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, është figura që udhëhoqi “Listën e Studentëve” drejt fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Kjo fitore i jep fund dominimit politik 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiçit.
Sipas rezultateve paraprake, Lista e Studentëve ka marrë rreth 52% të votave, ndërsa Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit rreth 32%. Studentët pritet të kenë mbi 135 deputetë në Kuvendin me 250 vende, që u mjafton për të formuar vetë qeverinë. Vuçiçi e ka pranuar humbjen. Pjesëmarrja në votime arriti në 67,80%.
Nga protestat te kreu i listës
Angazhimi politik i Srdanoviçit mori drejtim të ri pas mbështetjes publike që u dha protestave studentore kundër korrupsionit, të cilat i mbështeti që në fazat e para. Për herë të parë foli në tubimet e Beogradit në maj të këtij viti dhe gradualisht e forcoi profilin e tij publik.
Në shtator 2026 u prezantua si kreu i listës së pavarur studentore, në krye të një lëvizjeje që kërkon ndryshim në mënyrën si funksionojnë institucionet dhe në drejtimin e vendit.
Platforma e tij politike vë theksin te decentralizimi i sistemit shëndetësor dhe te përparësia e interesave kombëtare, përpara një integrimi të menjëhershëm në Bashkimin Europian.
Plaga e Novi Sadit
Në një takim me studentët në Novi Sad, ku u prezantua si kandidat, Srdanoviç u ndal te tragjedia e stacionit hekurudhor të qytetit. Shembja e strehës prej betoni atje shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ai theksoi se, gati dy vjet pas ngjarjes, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi.
Sipas tij, shpresa për ndryshim lidhet me brezin e ri dhe me angazhimin e tij për një Serbi më të mirë. Rininë e sheh si forcën që mund ta transformojë vendin dhe t’i përmirësojë institucionet.
Mjeku “ushtar”
Srdanoviç ka lindur më 7 gusht 1970 në Novi Sad. U diplomua në Fakultetin e Mjekësisë së Novi Sadit në vitin 1995 dhe më pas u specializua në mjekësi të brendshme dhe në kardiologji. Doktoraturën në kardiologji e mbrojti në vitin 2012.
Që nga viti 1997 punon në Institutin e Sëmundjeve Kardiovaskulare të Vojvodinës. Prej vitit 2018 është pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Mjekësisë në Novi Sad, ku jep mësim në Departamentin e Mjekësisë Urgjente, dhe në vitin 2025 mori titullin profesor i plotë.
Për veten ka thënë se ka qenë “gjithë jetën, në thelb, ushtar”: dikur ushtar i mobilizuar në kohë lufte, e sot ushtar në profesion, që lufton për jetën e njerëzve.
Me përvojën e tij në mjekësi dhe angazhimin në lëvizjen studentore, Srdanoviç është shndërruar në fytyrën e ndryshimit politik në Serbi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



