E martë, 27 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Mbreti lakuriq’ i pushtetit: Kur as propaganda nuk e shpëton dot më
Lajme

‘Mbreti lakuriq’ i pushtetit: Kur as propaganda nuk e shpëton dot më

Publikuar nga Andi Myrta

Në supermarket ka një rregull të thjeshtë: çdo produkt ka një datë skadence. Në Shqipëri ka edhe një rregull tjetër, më pak të shkruar: kur produkti është shumë i rëndësishëm për dikë, data fshihet me kujdes poshtë shishes dhe malli mbetet në raft. Edi Rama është pikërisht ky produkt. Afatin e ka, të gjithë e dimë që e ka, por dikush e ka gërvishtur aq mirë saqë nuk lexohet më.

Nuk e dimë nëse kemi të bëjmë me një delir madhështie apo me një njeri që thjesht nuk mund ta lëshojë karrigen, sepse pas tij rrinë interesa shumë më të mëdha se vetë ai. Tezat janë të shumta, analistët edhe më shumë. Por një gjë e dimë me siguri: pas trembëdhjetë vitesh, ai ende di të luajë. Dhe këto dy javë e luajti mirë.

Kronologjia e një vjeshte të nxehtë

Gjithçka nisi më 13 tetor, para Ministrisë së Arsimit, me kërkesa që çdo prind i kuptonte: tarifa më të ulëta studimi, konvikte ku mund të jetohet, mbështetje financiare dhe punë pas diplomës. Të nesërmen, protesta u përshkallëzua në dhunë: u dogjën koshat, u shkulën kangjellat dhe u sulmuan biznese. Me kalimin e ditëve, kërkesat për konviktet u bënë kërkesë për dorëheqjen e kryeministrit.

Pastaj erdhi shfaqja e karrigeve. Rama i nxori para Kryeministrisë me mbishkrimin “Dialog”. Studentët i përmbysën. Ai i nxori sërish të nesërmen. Ata i thyen sërish. Pastaj erdhën ulëset prej betoni, pastaj tavolina prej guri, pastaj e diela kur u nxorën të gjitha karriget e javës bashkë, si në një ekspozitë retrospektive. Fundi ishte i parashikueshëm: karriget u dogjën dhe në oborr mbeti vetëm guri.

Policët: mburoja me 750 euro

Rama e nisi lojën nga vendi më i dobët i shoqërisë: policët. Ata njerëz që mbajnë familje me rreth 750 euro rrogë, plus ndonjë dhjetëshe që e gjejnë në rrugë. Pikërisht ata u vunë në vijën e parë, morën gurë në kokë dhe të gjitha sharjet e botës, për të mbrojtur pushtetin e një njeriu që nuk do t’i njohë kurrë me emër.

Si thotë populli: kur s’i bie dot gomarit, i bie samarit. Studentët nuk e kapnin dot Ramën, kështu që goditën uniformën. Dhe Rama, me gjakftohtësinë e një shahisti që sakrifikon ushtarët, e kuptoi se çdo gur që binte mbi një polic ishte një pikë më shumë për narrativën e tij.

Skenari më i keq, ai që nuk e dëshiron askush, ishte dhe mbetet një dëshmor. Qoftë student, qoftë polic. Sepse një jetë e humbur nuk ia rrëzon Ramës pushtetin, por ia jep të dyja palëve një flamur të përgjakur për të tundur edhe dhjetë vite të tjera.

Televizionet dhe mikrofoni që vrapon pas

Lind pyetja e madhe: a duan televizionet kombëtare që Edi Rama të ikë? Përgjigjja e ndershme është jo. Janë të lidhur me të nga koka te këmbët, me reklama, me tendera, me licenca, me miqësi.

Megjithatë, këto ditë pamë një fenomen interesant. Të njëjtat kamera që dje transmetonin me orë të tëra PR-in te tuneli, sot e ndiqnin nga pas me mikrofon. Pse vallë? A u zgjua papritur ndërgjegjja editoriale? Apo thjesht u mërzitën “ortakët”? Në Shqipëri linja editoriale nuk ndryshon nga parimi, por nga gjendja e marrëdhënieve. Kur ortakëria shkon mirë, kryeministri është vizionar. Kur ka hatërmbetje, papritur bëhet temë debati.

Pushteti që shpërndahet çdo gjashtë muaj

Por fajin më të madh për gjithë këtë rrëmujë nuk e kanë as policët, as studentët, as televizionet. E ka një njeri i vetëm: Edi Rama.

Ai e shpërndan pushtetin çdo gjashtë muaj, si letrat në një tryezë kumari. Një drejtor këtu, një ministër atje, një dorëheqje në sirtar më tej. Dhe çdo rishpërndarje lë pas hatërmbetje mes klaneve brenda PS. Por kjo është çmimi i qëndrimit kaq gjatë: nuk mund të rrish trembëdhjetë vjet në pushtet pa e ndarë atë me dikë. Ndryshe, kush do t’i mblidhte pastaj votat, dhe me çfarë mënyrash?

Studentët: zemërim pa hartë

Unë isha në protestë tri ditët e para. Jo si protestues, por si vëzhgues. Dhe e them qartë: jam pro protestës. Por nuk jam pro thyerjes së dyqaneve, as pro faktit që e vetmja kërkesë është “dorëheqje”, pa asnjë plan se çfarë vjen pas.

Do të doja shumë që dikush të kërkonte uljen e karburantit, të paktën që të mos jetë shumë më i shtrenjtë se në Kosovë, ose të kthehet aty ku ishte. Do të doja që dikush të kërkonte rritjen e pagës minimale. Do të doja që dikush të kërkonte një qeveri teknike me afat dhe objektiva të qarta.

Ndërkohë, Rama nxjerr karriget çdo mëngjes dhe ju i thyeni çdo mbrëmje. Mendoni pse i nxjerr? Jo sepse beson te dialogu. I nxjerr për votuesit e tij dhe për Perëndimin. Mesazhi është i thjeshtë: “Shikoni, unë jam i gatshëm t’i dëgjoj, por këta janë një tufë keqdashësish që duan të rrëzojnë besimin që më dhanë 83 mandatet.” Çdo karrige e thyer është një foto e bukur për Brukselin. Ju i jepni skenën, ai shkruan skenarin.

Sipas mendimit tim, protesta mbaroi pas së shtunës. Jo sepse u shua zemërimi, por sepse humbi drejtimin.

Si rrëzohet realisht Rama

Rama nuk rrëzohet duke u dhënë mundësi adoleshentëve të shfrenojnë rininë mbi djersën e bizneseve të vogla. Rrëzohet me zgjuarsi.

Organizohuni. Krijoni një bord studentësh, me zgjedhje të hapura. Zgjidhni një drejtues. Dhe le të ulet ai përballë njeriut që e quan veten të paarritshëm dhe t’i thotë: dua këto pesë gjëra. Një, dy, tre, katër, pesë. Nëse nuk plotësohen, protesta nuk ndalet.

E dimë të gjithë që ai nuk do të bëjë asgjë nga ç’i kërkoni. Por të paktën nuk do t’i jepni justifikimin për të vazhduar të qeverisë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Dhe pas Ramës, kush?

Unë nuk e kam votuar kurrë Edi Ramën dhe nuk do ta votoj kurrë. Por bëj një pyetje të thjeshtë: nëse nesër shpallen zgjedhje, kë do votoni?

PD-në e sotme unë nuk e votoj. Pse duhet të votoj për të mbrojtur interesat e Berishës dhe të rrethit të tij? Do të dalim nga Rama dhe do të përfundojmë te Rama 2.0, me ngjyrë tjetër flamuri dhe të njëjtat zakone.

Prandaj e bërtas me zë të lartë: krijoni një parti. Zgjidhni figura të reja, të paprekura nga politika. Kjo është e vetmja mënyrë që Shqipëria të hyjë në një epokë të re, dhe jo me figura që prej 35 vitesh nuk i heqin tentakulat nga ajo karrige që u ruan pronat, bizneset dhe brezat që vijnë pas tyre.

Karriget e Ramës u dogjën. Karriget e tyre, jo. Dhe pikërisht këto duhen hequr.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.