Inceneratori i Tiranës, GJKKO nuk gjen Mërtirin dhe Zoton
I thërret në gjyq me shpallje publike
Gjykata e Posaçme ka vendosur të njoftojë përmes shpalljes publike të pandehurit në dosjen e inceneratorit të Tiranës, pasi nuk ka mundur t’i gjejë apo t’i kontaktojë për t’u komunikuar zhvillimin e procesit gjyqësor. Mes tyre janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët SPAK i konsideron pronarë faktikë të shoqërisë koncesionare që administronte inceneratorin.
Pavarësisht masave të sigurisë “arrest në burg” të caktuara në mungesë, ekzekutimi i tyre nuk është realizuar, duke penguar njoftimin e drejtpërdrejtë të të pandehurve për procedurat gjyqësore.
Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar afishimin e njoftimit si në faqen zyrtare të institucionit, ashtu edhe në këndin e njoftimeve të gjykatës.
Seanca më 6 nëntor, në orën 09:30
Në listën e personave dhe subjekteve që do të njoftohen publikisht përfshihen Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Dashamir Ymeraj, Giuseppe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Marc Richard Lappat, Michael Peter Druijts dhe Ilir Dedja.
Njoftimi u drejtohet gjithashtu dy subjekteve juridike, “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Service” sh.p.k.
Sipas vendimit të gjykatës, seanca paraprake është caktuar të zhvillohet më 6 nëntor 2026, në orën 09:30, në ambientet e Gjykatës së Posaçme në Tiranë.
Miliona euro dhe fatura fiktive në dosjen e inceneratorit
Sipas hetimeve të SPAK, Mërtiri dhe Zoto, të cilët prokuroria i identifikon si pronarë faktikë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes një skeme që përfshinte fatura fiktive, përdorimin e shoqërive të krijuara brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe transferime në para fizike.
Në dosjen hetimore përmenden transaksione në vlerën 1,283,390,609 lekë dhe 16,669,506 euro, të cilat, sipas SPAK, lidhen me nxjerrjen e parave nga llogaritë e shoqërisë koncesionare.
Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer me qëllim pastrimin e parave që dyshohet se burojnë nga mashtrimi, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Kush janë personat e tjerë nën akuzë?
Sipas SPAK, në veprimtarinë e dyshuar kanë qenë të përfshirë edhe shtetas shqiptarë dhe të huaj. Në dosje përmenden Denisa Tollkuçi, Arjola Kodra, Dashamir Ymeraj, Renardo Nallbani, Elton Bualli dhe Ilir Dedja, si dhe shtetasit e huaj Marc Lappat, Michael Peter Druijts dhe Giuseppe Ciaffaglione.
Akuzat e ngritura përfshijnë korrupsionin aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, mashtrimin me pasoja të rënda, pastrimin e produkteve të veprës penale, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatave kriminale.
Njoftimi publik synon t’u komunikojë të pandehurve datën dhe orën e seancës paraprake, ndërsa procesi gjyqësor do të vijojë sipas procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



