E martë, 27 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vilma Mema, mungesat në punë dhe pikëpyetjet për Okulistikën në Spitalin Francez
Lajme

Vilma Mema, mungesat në punë dhe pikëpyetjet për Okulistikën në Spitalin Francez

Skandali që kërkon përgjigje në QSUT

Dalja e fundit përpara kamerave e shefes së Shërbimit të Okulistikës në QSUT, prof. Vilma Mema, ngre një çështje shumë më të madhe sesa një deklaratë televizive. Përtej informacionit që ajo dha për gjendjen e pacientit të dëmtuar në sy, është koha që drejtuesit e shëndetësisë shqiptare t’u përgjigjen disa pyetjeve tepër serioze lidhur me praninë e saj në detyrë, funksionimin e Shërbimit të Okulistikës në Spitalin Francez dhe mënyrën se si administrohet ky institucion publik.

Prej kohësh ngrihen pretendime se shefja e Okulistikës, Vilma Mema, nuk paraqitet në vendin e punës, ndërkohë që mungesat e saj dyshohet se justifikohen përmes raporteve mjekësore. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një problem që nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme administrative, por që kërkon verifikim të menjëhershëm dhe të pavarur.

A janë të dokumentuara ligjërisht këto mungesa? A përputhen raportet e paraqitura me periudhat reale të mungesës? Kush i kontrollon dhe kush i miraton ato? A ka dijeni administratorja e Spitalit Francez për këtë situatë dhe çfarë veprimesh ka ndërmarrë?

Por përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te shefja e shërbimit. Në qendër të verifikimit duhet të jetë edhe administratorja e Spitalit Francez, e cila ka detyrimin të garantojë kontrollin administrativ, respektimin e orarit të punës dhe funksionimin e rregullt të institucionit. Sa është tarifa që Znj. Mema paguan te administratorja e shërbimit për ta mbrojtur nga drejtoria QSUT? E ka ditore apo mujore?

Ngrihet një pyetje thelbësore: a kemi të bëjmë me një administrim që nuk arrin të ushtrojë kontrollin e nevojshëm, apo me një situatë ku mungesa e kontrollit mund t’u shërbejë interesave të caktuara brenda shërbimit?

A është në interes të drejtuesve apo të personave të tjerë brenda këtij shërbimi që administratorja aktuale të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pikërisht sepse mund të mungojë një kontroll real mbi veprimtarinë e tyre? A është krijuar një sistem ku secili vepron sipas interesave të veta, nga lart deri poshtë në hierarkinë e shërbimit, pa u përballur me përgjegjësi dhe llogaridhënie?

Duhet të verifikohet nëse administratorja ushtron efektivisht detyrat e saj, nëse ka kapacitetin funksional dhe administrativ për të garantuar zbatimin e rregullave dhe nëse ka pasur raste kur detyrimet e saj ligjore nuk janë përmbushur.

Sepse një administratore që nuk ushtron kontroll efektiv, për çfarëdo arsyeje, mund të krijojë një situatë ku të tjerët përfitojnë nga dobësia e administrimit. Dhe pikërisht këtu duhet të përqendrohet hetimi: kush përfiton nga mungesa e kontrollit, kush i merr vendimet dhe kush mban përgjegjësi?

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur ngrihen pretendime për rolin e mjekëve vullnetarë dhe për lidhjet e mundshme ndërmjet aktivitetit të tyre në spitalin shtetëror dhe aktivitetit privat të lidhur me Vilma Memën.

A po përdoret angazhimi i këtyre mjekëve vetëm për nevojat e pacientëve të spitalit publik, apo ekziston një mekanizëm i mundshëm orientimi të pacientëve drejt aktivitetit privat? A ka raste të dokumentuara ku pacientët e paraqitur në Spitalin Francez janë orientuar drejt klinikave private? Nëse po, kush e ka bërë orientimin, mbi çfarë kriteresh dhe në interes të kujt?

Nëse rezulton se personeli, infrastruktura apo pozicionet drejtuese të shërbimit publik janë shfrytëzuar për të favorizuar interesa private, duhet të ketë edhe përgjegjës.

Dhe në një situatë të tillë nuk mund të përjashtohet nga verifikimi roli i administratores. A ka kontrolluar ajo veprimtarinë e mjekëve vullnetarë? A ka kërkuar dokumentacionin përkatës? A ka evidentuar parregullsi? Apo një kontroll administrativ i pamjaftueshëm mund të ketë krijuar kushtet që brenda institucionit të veprohet pa mbikëqyrjen e nevojshme?

Spitali publik nuk mund të shndërrohet në një vend ku pacientët krijojnë kontakte për të përfunduar më pas në aktivitete private që mund të përfitojnë nga pozita e drejtuesve të tij.

I drejtohem publikisht drejtoreshës së përgjithshme të QSUT-së, znj. Rudina Degjoni, duke kërkuar një kontroll të plotë administrativ mbi Shërbimin e Okulistikës dhe administrimin e Spitalit Francez.

Duhet të verifikohen regjistrat e prezencës, dokumentacioni i mungesave, grafiku i punës, veprimtaria reale e drejtueses së shërbimit, autorizimet e mjekëve vullnetarë dhe çdo konflikt i mundshëm interesi mes detyrës publike dhe aktivitetit privat.

Kontrolli duhet të shtrihet në të gjitha nivelet e përgjegjësisë, nga drejtimi administrativ dhe drejtuesja e shërbimit deri te personat që organizojnë punën e përditshme, miratojnë dokumentacionin dhe mbikëqyrin personelin. Askush nuk duhet të përjashtohet nga verifikimi për shkak të pozicionit që mban.

Dalja në ekran për të përfaqësuar një shërbim publik duhet të shoqërohet edhe me gatishmërinë për të dhënë llogari mbi mënyrën se si ai shërbim drejtohet çdo ditë.

Ky denoncim nuk synon të cenojë punën e mjekëve të ndershëm të Okulistikës, të cilët mbajnë mbi supe një përgjegjësi të jashtëzakonshme ndaj pacientëve. Përkundrazi, synon të mbrojë punën e tyre nga çdo praktikë e mundshme favorizimi, mungese transparence apo shfrytëzimi të pozicioneve drejtuese.

I kërkoj Ministrisë së Shëndetësisë, strukturave përgjegjëse të kontrollit dhe, nëse nga verifikimet dalin indicie për shkelje penale, Prokurorisë, të shqyrtojnë seriozisht këtë situatë.

Duhet të kontrollohet dokumentacioni, të dëgjohen punonjësit, të verifikohet mënyra e angazhimit të mjekëve vullnetarë dhe të shqyrtohet çdo pretendim për orientim të pacientëve nga spitali publik drejt interesave private.

Duhet të hetohet gjithashtu nëse mosveprimi i mundshëm i administratores ka lejuar krijimin e një sistemi tolerimi të ndërsjellë, ku mungesa e përgjegjësisë në një nivel favorizon veprimet e pakontrolluara në nivelet e tjera.

Një deklaratë përpara kamerave nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien për punën e përditshme. Një pozicion drejtues nuk është privilegj personal dhe një spital shtetëror nuk është pronë e askujt.

As shefja e shërbimit dhe as administratorja nuk mund të konsiderohen të përjashtuara nga kontrolli institucional. Nëse një drejtues nuk e ushtron detyrën siç kërkon ligji, duhet të mbajë përgjegjësi. Nëse dikush tjetër përfiton nga kjo situatë, edhe ai duhet të jetë objekt verifikimi.

Kërkojmë hetim, transparencë dhe përgjegjësi konkrete. Përgjegjësit nuk duhet të mbrohen nga pozicionet që mbajnë.

Sepse pyetja nuk është vetëm kush mungon në punë, por edhe kush e lejon mungesën, kush nuk kontrollon, kush hesht dhe kush mund të përfitojë.

Spitali Francez duhet t’u shërbejë pacientëve, jo interesave të askujt.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.