Kush jep shtëpinë me qira në Airbnb apo Booking, duhet të kalojë nga e-Albania
Ja gjobat e reja që po përgatit qeveria
Qytetarët që japin apartamente, vila apo dhoma me qira afatshkurtër përmes platformave si Airbnb dhe Booking do të përballen me rregulla të reja. Një projektligj i ri për turizmin, i hedhur nga qeveria për konsultim publik, parashikon regjistrimin e detyrueshëm të çdo njësie akomoduese në portalin e-Albania, përpara se ajo të ofrohet për rezervim online.
Sipas draftit, pronarët do të duhet të kryejnë fillimisht procedurën e regjistrimit elektronik dhe të pajisen me një kod unik, i cili do të shërbejë si identifikues për çdo pronë që jepet me qira për qëndrime afatshkurtra.
Projektligji përcakton se ky kod duhet të shfaqet detyrimisht në çdo njoftim, reklamë apo ofertë të publikuar në platformat elektronike të ndërmjetësimit dhe rezervimit. Pra, një apartament që publikohet në Airbnb apo Booking pa numrin përkatës të regjistrimit do të jetë në shkelje të rregullave të propozuara.
Por detyrimet nuk përfundojnë me marrjen e kodit. Pronarët do të duhet të regjistrojnë elektronikisht klientët dhe të raportojnë çdo muaj të dhëna statistikore për aktivitetin e tyre. Në këtë raportim përfshihen numri i vizitorëve, netët e qëndrimit, shtetësia dhe mosha e turistëve.
Gjobat nga 20 mijë deri në 100 mijë lekë
Projektligji parashikon edhe sanksione financiare për ata që nuk përmbushin detyrimet e regjistrimit dhe kategorizimit të njësive akomoduese.
Për subjektet që japin me qira prona pa regjistrimin përkatës dhe pa certifikatën e kategorizimit, gjobat përcaktohen në varësi të numrit të dhomave:
- Nga 20 mijë deri në 50 mijë lekë për njësitë që kanë 1 deri në 5 dhoma.
- 100 mijë lekë për njësitë që kanë nga 6 deri në 15 dhoma.
Një tjetër masë ndëshkuese parashikohet për mosraportimin e të dhënave statistikore. Nëse pronarët nuk deklarojnë çdo muaj informacionin për vizitorët dhe qëndrimet e tyre, mund të gjobiten deri në 100 mijë lekë.
Projektligji parashikon gjithashtu ashpërsim të masës në rast përsëritjeje. Nëse e njëjta shkelje administrative kryhet sërish brenda 12 muajve, gjoba mund të arrijë deri në dyfishin e kufirit maksimal të parashikuar.
Vendosja e sanksioneve do të jetë në kompetencë të strukturës përgjegjëse për inspektimin e turizmit, ndërsa të ardhurat nga gjobat do të kalojnë tërësisht në Buxhetin e Shtetit.
Me këto ndryshime, qeveria synon të vendosë nën një sistem të detyrueshëm regjistrimi edhe tregun e qirave afatshkurtra, duke përfshirë drejtpërdrejt pronarët që deri më tani i kanë ofruar pronat e tyre përmes platformave online.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



