Dekriminalizimi nuk pastroi politikën, 20 kandidatë i shpëtojnë verifikimit
Dhjetë vite pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, mekanizmi që synonte të largonte nga politika personat me rekorde kriminale vijon të përballet me të njëjtat probleme: verifikime të zvarritura, procedura të pambyllura dhe kandidatë që mund t’i rikthehen garës elektorale pa një vendimmarrje përfundimtare mbi integritetin e tyre.
Një analizë e publikuar nga BIRN evidenton se, gjatë dy cikleve të zgjedhjeve parlamentare dhe vendore, në periudhën 2021-2025, procedurat e verifikimit për 20 kandidatë janë mbyllur pa një vendim përfundimtar. Në këtë mënyrë, ligji nuk ka arritur të garantojë plotësisht që personat me të kaluar kriminale të mbeten jashtë përfaqësimit politik.
Një prej rasteve është ai i Kreshnik Gjon Gjonajt, kandidat i PSD-së në Lezhë në zgjedhjet e 11 majit 2025. Në formularin e vetëdeklarimit, ai kishte deklaruar se ishte hetuar në Itali për një konflikt dhe ishte shpallur i pafajshëm. Por verifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme evidentoi një dënim të formës së prerë nga drejtësia italiane për transferim të paligjshëm të lëndës narkotike, me një vit burg dhe 2 mijë e 600 euro gjobë, dënim i pezulluar me kusht.
Megjithatë, KQZ-ja e mbylli procedurën pa një vendim përfundimtar, me argumentin se kandidati nuk kishte fituar mandat deputeti. Gjonaj kishte marrë 359 vota preferenciale.
Problemi nuk kufizohet te ky rast. Sipas Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, rreth 90 për qind e procedurave të verifikimit të thelluar janë përfunduar jashtë afatit ligjor prej 60 ditësh.
Ndërkohë, Instituti i Studimeve Politike ngre shqetësimin se partitë politike kanë vijuar të përfitojnë nga kandidatë me të kaluar kriminale, duke i vendosur në pozicione jofituese në listat zgjedhore. Kështu, ata mund të sigurojnë vota për subjektet politike, pa rrezikuar domosdoshmërisht marrjen e mandatit dhe përfundimin e verifikimit.
Sipas drejtuesit të ISP-së, Afrim Krasniqi, në disa raste individë që kanë humbur mandatet kanë ruajtur ndikimin politik përmes familjarëve, ndërsa të tjerë kanë marrë poste drejtuese në parti.
Një tjetër problem është mungesa e një baze të dhënash kombëtare për personat e dënuar brenda dhe jashtë vendit, çka do të mundësonte kontrolle më të shpejta dhe më efektive.
Edhe pse ligji u miratua në vitin 2015 me synimin për të vendosur një standard të ri integriteti në politikë, dhjetë vite më pas, ky standard mbetet larg konsolidimit. Madje, sipas Celibashit, partitë politike nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë në KQZ për verifikimin paraprak të kandidatëve.
Në këto kushte, diskutimi për ndryshimin e ligjit rikthehet në vëmendje. Por përtej dispozitave ligjore, mbetet çështja e përgjegjësisë së partive politike dhe e institucioneve, që duhet të garantojnë se integriteti i kandidatëve kontrollohet përpara se ata t’u kërkojnë qytetarëve votën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



