E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tragjedi në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Lajme

Tragjedi në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar

U përplas nga fuoristrada pasi doli të vendoste trekëndëshin e emergjencës

Një aksident tragjik në Itali i ka marrë jetën 20-vjeçarit Thomas Qirjaj, me origjinë shqiptare. I riu ndërroi jetë pas një përplasjeje të rëndë në autostradën A1, pranë zonës së Melegnano-s, në drejtim të San Giuliano Milanese.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes, më 30 tetor. Thomas udhëtonte së bashku me katër miq në një automjet tip Volvo, me targa zvicerane. Pasi kaluan barrierën e autostradës, drejtuesi humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me ndarësen mes korsive të lëvizjes.

Pas aksidentit, 20-vjeçari doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë për rrezikun në rrugë. Por në ato momente, ai u godit nga një automjet tip SUV, që drejtohej nga një 25-vjeçar nga Modena.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, drejtuesi i fuoristradës nuk arriti ta dallonte të riun në rrugë deri në çastet e fundit. Përplasja rezultoi fatale për Thomasin.

I riu u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan dëmtime serioze.

Në dhjetor do të mbushte 21 vjeç

Thomas Qirjaj kishte lindur në Piacenza dhe jetonte me prindërit në Caorso, në provincën e Piacenzës. Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte fëmijë i vetëm. Në muajin dhjetor pritej të festonte 21-vjetorin e lindjes.

Vdekja e tij ka tronditur komunitetin ku jetonte. Kryetarja e bashkisë së Caorso-s, Roberta Battaglia, ka shprehur ngushëllimet për familjen, duke e kujtuar Thomasin si një të ri që e kishte parë të rritej dhe që ishte integruar mirë në jetën e komunitetit.

20-vjeçari ishte gjithashtu i angazhuar në futbollin amator. Klubi ku kishte luajtur ka vendosur të anulojë ndeshjen e planifikuar, në shenjë zie për humbjen e tij.

Ndërkohë, Policia Rrugore italiane dhe Prokuroria e Lodit kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Autoritetet po shqyrtojnë si përplasjen fillestare të Volvo-s me ndarësen e autostradës, ashtu edhe momentin kur SUV-i goditi të riun.

Në kuadër të hetimeve, drejtuesit 25-vjeçar të fuoristradës do t’i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.