Si u “dekonspirua” Balluku nga bashkëshorti i pastrueses së ish-zv.kryeministres
Një fotografi ku shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe ka tërhequr vëmendjen e hetuesve të SPAK në kuadër të hetimeve për pasurinë e dyshuar të fshehur të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Bëhet fjalë për një imazh që paraqet shuma të konsiderueshme parash dhe që, sipas të dhënave të administruara në dosjen hetimore, lidhet me vilën F6 në kompleksin turistik White Rock, në Dhërmi.
Fotografia është dërguar më 17 korrik 2021 përmes aplikacionit WhatsApp nga Lavdrim Smone, bashkëshorti i Lavdije Smones, e cila punonte si pastruese në banesën e Ballukut. Imazhi është zbuluar gjatë këqyrjes dhe ekspertimit teknik të pajisjeve celulare të sekuestruara nga hetuesit.
Në dosjen e SPAK thuhet se nga analiza e telefonit të Lavdrim Smones janë identifikuar fotografi dhe video të datës 12 qershor 2019, si dhe të periudhave të mëvonshme, të cilat paraqesin ambiente të ndryshme të vilës F6 në kompleksin White Rock.
Një prej materialeve fotografike, e datës 17 korrik 2021, tregon një kuti të kuqe brenda së cilës ndodhen tufa kartëmonedhash 50-euroshe, të lidhura me llastik. Sipas hetuesve, ambienti ku është shkrepur fotografia dyshohet se është brenda vilës në Dhërmi.
Dosja përmban gjithashtu të dhëna mbi komunikimet mes familjarëve të punonjëses së pastrimit, të cilat hedhin dritë mbi lëvizjet e tyre drejt kësaj prone.
Konkretisht, më 24 korrik 2022, dy vajzat e Lavdije Smones, të identifikuara me inicialet M. Smone dhe A. Smone, kanë shkëmbyer mesazhe lidhur me udhëtimet drejt Dhërmiut dhe vizitat në vilë.
Gjatë bisedës, A. Smone shkruan: “Ju raftë pikë”, duke pyetur më tej: “a veç për Belindën?”. Motra e saj i përgjigjet: “Po për Belindën” dhe shton: “të mërkurën për atë tjetrën”. Në vijim të komunikimit përmendet edhe organizimi i udhëtimit të prindërve: “Nesër mami me babin do ikin”, ndërsa M. Smone shprehet se do të udhëtonte vetë me të ëmën të mërkurën.
Nga hetimet rezulton se Lavdrim Smone, bashkëshortja dhe vajza e tyre shkonin herë pas here në Dhërmi për të kryer punët e pastrimit në vilë. Në disa raste, transporti i tyre drejt kompleksit organizohej nga shoferi personal i Belinda Ballukut.
SPAK ka analizuar qindra komunikime telefonike të periudhës 2018-2025, të cilat, sipas prokurorëve, përmbajnë të dhëna mbi përdorimin e vazhdueshëm të pronës nga Balluku. Edhe pse vila rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare, hetuesit dyshojnë se ajo përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja.
Në dosjen hetimore përmenden komunikime të shoferit, vartësve, punonjësve të pastrimit dhe administratorëve të kompleksit. Prokuroria pretendon gjithashtu se arredimi dhe investimet e kryera në vilë janë realizuar në përputhje me preferencat e Ballukut, ndërsa të dhënat e telefonisë celulare, sipas hetimit, tregojnë përdorimin e pronës prej saj që nga viti 2019.
Prona në fjalë ka një sipërfaqe banimi prej 103 metrash katrorë dhe një truall prej të paktën 300 metrash katrorë. Vila është sekuestruar me vendim gjykate në kuadër të hetimeve për pasurinë e dyshuar.
Belinda Balluku është marrë e pandehur për disa vepra penale, përfshirë pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë, korrupsionin dhe shkeljen e barazisë në tendera. Në të njëjtën çështje janë marrë të pandehur edhe ish-vartës të saj dhe biznesmenë të njohur.
Dosja hetimore ndaj Ballukut dhe personave të tjerë të përfshirë pritet të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



