Bëri “kërdinë” me vjedhje në Tiranë, arrestohet 34-vjeçari nga Vlora
Një 34-vjeçar nga Vlora, i dyshuar për përfshirje në një sërë vjedhjesh në Tiranë dhe në qytetin e tij të banimit, është arrestuar nga Policia e Kryeqytetit. Bëhet fjalë për Ivi Profkën, i cili rezultonte i shpallur në kërkim nga disa komisariate policie për ngjarje të ndryshme të regjistruara gjatë muajit tetor.
Arrestimi është kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë, pas identifikimit dhe lokalizimit të 34-vjeçarit, ndaj të cilit ishin regjistruar disa procedime për vjedhje.
Sipas të dhënave të bëra publike, Profka dyshohet se më 24 tetor ka vjedhur një motor në Rrugën e Dibrës, në kryeqytet. Ndërkohë, ndaj tij kishte edhe disa kërkime të tjera të lidhura me vjedhjen e bizneseve.
Konkretisht, Komisariati i Policisë Nr. 2 në Tiranë e kishte shpallur në kërkim për dy raste: vjedhjen e një tabakinoje më 30 tetor dhe atë të një marketi më 5 tetor.
Por hetimet ndaj 34-vjeçarit nuk kufizohen vetëm në këto ngjarje. Edhe Komisariati Nr. 1 në kryeqytet e kërkonte për një tjetër vjedhje të dyshuar në një market.
Ndërkohë, në kërkim për një rast tjetër ishte shpallur edhe nga Komisariati i Policisë në Vlorë, ku dyshohet se ka vjedhur një motor.
Kështu, Ivi Profka rezulton i dyshuar për disa episode vjedhjesh në dy qytete, ndërsa arrestimi i tij pritet të pasohet nga procedurat e mëtejshme ligjore për secilin prej rasteve që po hetohen nga strukturat përkatëse të Policisë.
Përgjegjësia penale e 34-vjeçarit do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



