E diel, 1 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga Vetëvendosje te Rama, kush është “strategia” e re e komunikimit të qeverisë?
Lajme

Nga Vetëvendosje te Rama, kush është “strategia” e re e komunikimit të qeverisë?

Kryeministri Edi Rama ka emëruar Vlerë Gjakovën në një detyrë të re këshillimi pranë Kryeministrisë, duke i besuar çështjet që lidhen me median dhe strategjinë e komunikimit të institucioneve qeveritare. Gjakova, e lindur në Maqedoninë e Veriut dhe me një përvojë të gjatë profesionale në Kosovë, prezantohet në profilin e saj në LinkedIn si strategiste e medias dhe e komunikimit.

Sipas informacioneve të bëra publike nga burime qeveritare, ajo e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë rreth dy javë më parë. Emërimi i saj është shoqëruar edhe me një njoftim të brendshëm drejtuar administratës së ministrive, përmes të cilit kërkohet koordinimi i këshilltarëve të medias me Gjakovën.

Në një komunikim elektronik të përcjellë nga Vilma Guri, sekretare e përgjithshme në Kryeministri, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive u është kërkuar që këshilltarët për median pranë çdo dikasteri të zhvillojnë takime me Gjakovën dhe t’i paraqesin asaj strategjitë përkatëse të komunikimit. Ky mekanizëm pritet të shërbejë për koordinimin e komunikimit institucional në nivel qeveritar.

Vlerë Gjakova nuk është një emër i panjohur në hapësirën publike shqiptare. Përpara angazhimit të ri, ajo ka qenë aktive në komentimin e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa është shfaqur edhe në ekranin e Top Channel, si pjesë e rubrikës “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell”, të moderuar nga Edi Manushi.

Një nga elementet që bie në sy në profilin e saj është edhe angazhimi i mëparshëm politik në Kosovë. Rreth tetë vite më parë, Gjakova iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, forcës politike të drejtuar nga Albin Kurti. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, ajo kandidoi për deputete nën siglën e kësaj partie, një fakt që e ka bërë publik edhe vetë në rrjetet sociale.

Sa i përket formimit profesional, në profilin e saj Gjakova deklaron një eksperiencë prej 18 vitesh në strategjitë e medias, komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun. Ajo e përshkruan veten gjithashtu si eksperte të energjisë së rinovueshme dhe publiciste, me fokus në komunikimin strategjik, qytetet e zgjuara dhe të gjelbra, si dhe ekosistemet digjitale.

Formimi i saj akademik përfshin disa fusha studimi. Gjakova ka përfunduar studimet Bachelor në Komunikim dhe Gazetari pranë Institutit Maqedonas për Media (MIM), si dhe studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.

Në nivelin pasuniversitar, ajo ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke, si dhe një tjetër master në fushat e Metafizikës, Epistemologjisë dhe Filozofisë Morale e Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut, në Greqi.

Përvoja e saj profesionale shtrihet në sektorin publik, atë privat dhe organizatat e shoqërisë civile. Në të kaluarën, Gjakova ka punuar si zëdhënëse dhe përfaqësuese e marrëdhënieve me publikun për kompaninë EVN Maqedoni, ndërsa ka pasur angazhime edhe me Komunën e Çairit dhe organizatën joqeveritare VEPRO! (ACT).

Në CV-në e saj përfshihen gjithashtu përvoja bashkëpunimi me Coca-Cola Ltd Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Aktiviteti i saj publik përfshin edhe angazhimin në çështjet e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, lëvizjen feministe dhe publicistikën.

Gjakova ka kontribuar edhe në platforma mediatike, përfshirë Observatorin Evropian të Gazetarisë, ku ka publikuar shkrime mbi çështje që lidhen me median dhe zhvillimet publike.

Me emërimin e saj, Rama i ka besuar një rol që synon të përfshijë koordinimin e strategjive të komunikimit të ministrive, ndërsa këshilltarët për median e dikastereve qeveritare do të duhet të bashkërendojnë punën me këshilltaren e re të Kryeministrisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.