Zbulohet EMRI i kandidatit të parë për drejtimin e Bashkisë së Tiranës
Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi, ka konfirmuar se Arlind Qori do të jetë kandidati i kësaj force politike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027.
Gjatë një interviste në emisionin “Review” në Euronews Albania, Muçi bëri të ditur se partia ka vendosur të garojë me kryetarin e saj për drejtimin e kryeqytetit, duke theksuar se kandidatura është përcaktuar mbi bazën e disa kritereve që lidhen me integritetin, ndershmërinë dhe aftësinë për të hartuar një platformë qeverisëse për Tiranën.
Deputeti u shpreh se “Lëvizja Bashkë” ka tashmë kandidatin e saj dhe se nuk e konsideron të pamundur një fitore të Qorit në këtë garë.
Sipas Muçit, sistemi mazhoritar i zgjedhjes së kryetarit të bashkisë, ku fitorja përcaktohet nga marrja e një vote më shumë se kundërshtarët, krijon mundësi për surpriza elektorale. Në këtë kontekst, ai solli si shembuj edhe zhvillime politike në qytete të mëdha ndërkombëtare, si Nju Jorku dhe Berlini.
“Në bazë të kritereve të integritetit, ndershmërisë, vullnetit për të ndërtuar një program dhe një platformë qeverisëse për Tiranën, si dhe besnikërisë ndaj këtij programi, ne, te ‘Lëvizja Bashkë’, kemi shpallur kandidaturën e Arlind Qorit, kryetarit të partisë sonë, për Bashkinë e Tiranës.
Ne e kemi kandidatin tonë, që është kryetari i partisë, zoti Arlind Qori. Përderisa gara për Bashkinë e Tiranës është mazhoritare e pastër, ku mjafton një votë më shumë, në kontekstin e gjithë situatës ku ndodhemi, në raport me këtë protestë që ka vazhduar kaq gjatë, nuk do ta përjashtoja fitoren e Arlind Qorit, duke marrë edhe shembuj si Nju Jorku, Berlini e me radhë. Ka plot shembuj”, deklaroi Redi Muçi.
Kështu, “Lëvizja Bashkë” bëhet pjesë e garës për zgjedhjet vendore të vitit 2027 me një kandidaturë të shpallur tashmë për Bashkinë e Tiranës, ndërsa Arlind Qori pritet të përballet me rivalët e forcave të tjera politike për drejtimin e kryeqytetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



