E diel, 1 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fatura e kokainës/ Atentati me tritol në Gjirokastër për drogën e vjedhur në Belgjikë
Lajme

Fatura e kokainës/ Atentati me tritol në Gjirokastër për drogën e vjedhur në Belgjikë

Një shpërthim i fuqishëm tronditi Gjirokastrën mbrëmjen e 10 tetorit 2026. Një automjet humbi kontrollin dhe u përplase me trafikndarësen.

Në timon ndodhej 48-vjeçari Beqir Devolli, i cili humbi jetën. Ndërsa pasagjeri, 26-vjeçari Erigels Mela, mbeti i plagosur.

Ajo që në minutat e para mund të dukej si një ngjarje e rëndë rrugore, shumë shpejt mori një tjetër drejtim. Nga këqyrja e automjetit, hetuesit kuptuan se bëhej fjalë për një shpërthim eksplozivi.

Lënda plasëse ishte vendosur poshtë sediljes së drejtuesit, që siç u zbulua më pas ishte edhe objektiv i atentatit.

Por kush e kishte vënë në shënjestër Beqir Devollin? Kush e kishte ndjekur, kush kishte përgatitur bombën dhe kush kishte vendosur që vdekja e tij të realizohej pikërisht në atë mbrëmje?

Përgjigjet e para të hetimit do të çonin te katër emra: Behar Zyberi, Shpëtim Malasi, Gentjan Zhupa dhe Kliton Omeri, i njohur edhe si Kliton Nanushi. Dy prej tyre u ndaluan nga Policia, ndërsa dy të tjerët u shpallën në kërkim.

Por motivi i dyshuar i këtij atentati e zhvendos historinë përtej kufijve të Shqipërisë.

Sipas Policisë, në origjinë të konfliktit qëndron vjedhja e një sasie droge në Belgjikë. Një ngarkesë e humbur, një konflikt mes personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar dhe dyshimi se llogaritë e pambyllura në botën e narkotrafikut u kthyen në një plan për eliminimin fizik të një njeriu.

Dhe pikërisht këtu nis një tjetër histori. Ajo e sasive të drogës që zhduken në rrugët e trafikut europian, e borxheve që kthehen në kërcënime, e pengmarrjeve, torturave dhe vrasjeve që i pasojnë.

Raste të ndryshme, vende të ndryshme, por një mekanizëm që përsëritet. Kur një ngarkesë droge humbet, dikush duhet të paguajë. Dhe në këtë botë, çmimi nuk llogaritet gjithmonë me para.

Kush e vodhi drogën në Belgjikë? Çfarë roli dyshohet se kishte Beqir Devolli në këtë histori? A ishte atentati në Gjirokastër fundi i një konflikti që kishte nisur shumë më herët në një tjetër vend?

Një hetim që nis me një shpërthim në Gjirokastër, por që gjurmët i ka shumë përtej kufijve të Shqipërisë.

Dhë ngjarje të tilla vitet e fundit ka pasur shumë. Madje jo vetëm për konflikte që ndodhin në Belgjikë. Edhe në Spanjë apo edhe në Mbretërinë e Bashkuar e deri në Amerikën Latine.

Nuk ka rëndësi se sa kilometra larg ka humbur droga. Objektivat janë gjetur dhe eliminuar. Herë aty ku zhvillohej konflikti e ndonjëherë edhe në Shqipëri.

E duket se i njëjti skenar ndodhi edhe në Gjirokastër mbrëmjen e 10 tetorit.

ATENTATI ME EKSPLOZIV

Mbrëmjen e 10 tetorit 2026, rreth orës 22:00, një shpërthim i fuqishëm tronditi bulevardin “18 Shtatori” në Gjirokastër, përballë godinës së Prokurorisë. Një automjet tip “Mercedes-Benz”, që po lëvizte në rrugë, u përfshi nga një shpërthim i papritur. Drejtuesi humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me trafikndarësen.

Brenda automjetit ndodheshin dy persona. Në timon ishte 48-vjeçari Beqir Devolli, banues në Gjirokastër, i cili humbi jetën si pasojë e shpërthimit. Në sediljen e pasagjerit ndodhej 26-vjeçari Erigels Mela, i cili mbeti i plagosur lehtë.

Këqyrja e automjetit dhe provat e mbledhura në vendngjarje zbuluan se nuk bëhej fjalë për një aksident rrugor, por për një atentat të mirëorganizuar. Sasia e lëndës plasëse ishte vendosur në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit, duke e bërë Devollin objektivin e drejtpërdrejtë të sulmit. Shpërthimi ndodhi ndërsa makina ishte në lëvizje, duke mos i lënë drejtuesit mundësi të shmangte përplasjen.

Për zbardhjen e ngjarjes, hetuesit morën në pyetje 18 persona, kryen kontrolle në disa ambiente, analizuan provat e gjetura në automjet dhe në vendin e shpërthimit, si dhe realizuan ekspertime të ndryshme. Një rëndësi të veçantë në hetim patën edhe analizat biologjike të provave të administruara, të cilat, sipas Policisë, ndihmuan në identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në atentat.

Pas disa ditësh hetime, Policia e Gjirokastrës njoftoi se kishte identifikuar katër persona, të dyshuar për role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e vrasjes. Dy prej tyre u arrestuan, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi dyshohet se ishin larguar jashtë Shqipërisë.

I pari i arrestuar është 64-vjeçari Behar Zyberi, i njohur edhe me mbiemrin Heqimaj, banues në Fier. Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, ai rezulton të ketë qenë i dënuar më parë për disa vepra penale, përfshirë edhe çështje që lidhen me veprimtarinë e grupeve kriminale.

Në historikun e tij gjendet edhe një ngjarje e mëparshme e vitit 2018. Në mars të atij viti, Zyberi dyshohet se plagosi me thikë bashkëshorten e tij, Lindita Zyberi, në fshatin Visokë të Mallakastrës. Për këtë ngjarje ai akuzohej për plagosje të rëndë me dashje dhe sipas raportimeve të kohës, qëndroi në arrati deri në arrestimin e tij.

Personi i dytë i ndaluar është 42-vjeçari Shpëtim Malasi, banues në Patos.  Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, dhe Kliton Omeri, i njohur edhe si Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë. Sipas Policisë, të dy janë larguar jashtë vendit pas ngjarjes.

Zhupa përshkruhet nga autoritetet si person me precedentë kriminalë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë Shqipërisë. Ndërsa Omeri rezulton të ketë të dhëna të mëparshme në fushën e krimeve kundër personit, krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Më 18 tetor 2026 Gjykata e Gjirokastrës vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e dy prej autorëve të dyshuar, Shpëtim Malasi dhe Behar Zyberi, duke vendosur ndaj tyre masat e sigurimit “arrest në burg”, për akuzën “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim. Për dy të tjerët, Gentjan Zhupën dhe Kliton Nanushin, u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton që të jenë larguar nga Shqipëria pas realizimit të ngjarjes.

Por çfarë i bashkon këta katër persona me viktimën dhe çfarë e ktheu Beqir Devollin në objektiv të një atentati me eksploziv?

Sipas versionit të hetimit të bërë publik nga Policia, motivi i dyshuar lidhet me prishjen e pazareve në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Konkretisht, autoritetet dyshojnë se konflikti ka pasur zanafillën në një përplasje për një sasi droge të humbur në Belgjikë. Hetuesit dyshojnë se urdhri për vrasjen e Devollit është dhënë nga jashtë Shqipërisë, ndërsa katër personat e identifikuar dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e atentatit.

Policia nuk ka bërë ende publike hollësi të plota mbi sasinë e drogës, personat që pretendonin pronësinë e saj apo mënyrën se si Beqir Devolli u përfshi në këtë konflikt. Një atentat që, sipas pistës kryesore të hetimit, nuk lindi në Gjirokastër, por në një konflikt të nisur mijëra kilometra larg, në Belgjikë. Një konflikt i dyshuar për pazare droge, që përfundoi me një shpërthim në mes të qytetit dhe me vrasjen e një 48-vjeçari.

ROLET E KATËR TË DYSHUARVE

Nga sigurimi i motorit në Kuçovë, transportimi i tij drejt Tepelenës dhe përgatitja e atentatit në banesën e Gentjan Zhupës, deri te vendosja e eksplozivit dhe shpërthimi i komanduar në distancë. Dosja hetimore e Prokurorisë së Gjirokastrës rindërton lëvizjet dhe rolet që dyshohet se kanë pasur katër personat e përfshirë në vrasjen e 48-vjeçarit Beqir Devolli.

Hetimet për atentatin me eksploziv që i mori jetën Beqir Devollit në Gjirokastër, më 10 tetor 2026, kanë zbardhur një skemë të dyshuar bashkëpunimi mes katër personave, të cilët, sipas Prokurorisë, kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e krimit.

Në qendër të kësaj skeme, sipas dosjes hetimore, qëndron Kliton Omeri, i njohur edhe si Kliton Nanushi. Ai dyshohet se ka qenë personi që ka ardhur nga jashtë vendit, ka hyrë në Shqipëri përmes Kosovës disa ditë përpara atentatit dhe është larguar sërish nëpërmjet Kosovës vetëm disa orë pas shpërthimit. Sipas hetimeve, lëvizjet e tij nuk janë regjistruar në sistemin TIMS.

Omeri dyshohet të ketë pasur rolin kryesor në realizimin e atentatit, nga vendosja e lëndës plasëse deri te aktivizimi i saj. Për këtë qëllim, ai dyshohet se ka marrë me qira një automjet në Tiranë, i cili është lokalizuar nga Policia përmes sistemit GPS dhe më pas është sekuestruar. Një tjetër element i rëndësishëm në rindërtimin e ngjarjes janë pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas dosjes, Omeri është fiksuar në disa zona të Gjirokastrës, përfshirë edhe momentin kur dyshohet se ka vendosur eksplozivin poshtë sediljes së shoferit të automjetit të viktimës. Makina ndodhej e parkuar pranë një lokali që Beqir Devolli frekuentonte rregullisht.

Por lëvizjet e tij nuk përfundojnë me vendosjen e eksplozivit. Sipas hetimeve, ai është filmuar edhe në momentin e shpërthimit, duke qëndruar disa metra larg automjetit. Në këtë pozicion, dyshohet se ka kryer komandimin në distancë që aktivizoi lëndën plasëse dhe shkaktoi shpërthimin fatal. Në pamjet e administruara nga hetuesit, sipas përshkrimit në dosje, personi shfaqet i veshur me një kostum sportiv me ngjyrë të errët dhe me kapuç, në përpjekje për të shmangur identifikimin.

Një rol tjetër në këtë skemë dyshohet se ka pasur Gentjan Zhupa, 38 vjeç, nga Tepelena. Ai ka një shtëpi në këtë qytet, ku, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë kryer përgatitjet për atentatin. Hetuesit dyshojnë se autori ka qëndruar në këtë banesë për disa ditë me radhë. Lëvizjet e tij janë dokumentuar përmes hyrje-daljeve me automjet dhe me motorin që dyshohet se është përdorur për vendosjen e eksplozivit. Kjo banesë përbën një nga pikat kyçe të hetimit, pasi dyshohet se ka shërbyer si bazë për përgatitjen logjistike të atentatit, përpara se autorët të ndërmerrnin veprimet në Gjirokastër. Aty janë siguruar edhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.

Për sigurimin e motorit, që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, hetuesit kanë rindërtuar një tjetër zinxhir lëvizjesh, ku përfshihen edhe Shpëtim Malasi dhe Behar Zyberi. Bëhet fjalë për një motor të modelit “Honda GLX”, me ngjyrë blu dhe të bardhë, pa targa. Sipas dyshimeve të Prokurorisë, motori është siguruar fillimisht në Kuçovë dhe më pas është dërguar në Patos. Aty dyshohet se është marrë nga Shpëtim Malasi, i cili, sipas dosjes, e ka transportuar me automjetin e tij drejt Tepelenës, në banesën e Gentjan Zhupës, ku po zhvilloheshin përgatitjet për atentatin. Në këtë mënyrë, Malasi dyshohet se ka kontribuar në sigurimin dhe transportimin e një prej mjeteve që do të përdorej gjatë realizimit të krimit.

Ndërsa Behar Zyberi, 64 vjeç, nga Fieri, dyshohet se ka pasur rolin e bashkautorit në këtë ngjarje. Një element që merr rëndësi në hetim është edhe lidhja familjare mes tij dhe Kliton Omerit. Zyberi është vjehrri i këtij të fundit.

Nga të dhënat e dosjes hetimore, Prokuroria dyshon se secili prej katër personave ka kontribuar në një fazë të ndryshme të planit kriminal. Sigurimin e mjeteve, transportimin e tyre, përgatitjen në banesën në Tepelenë dhe realizimin e drejtpërdrejtë të atentatit. Kliton Omeri dyshohet si personi që vendosi eksplozivin dhe e aktivizoi atë në distancë. Gentjan Zhupa dyshohet se vuri në dispozicion banesën ku u kryen përgatitjet. Shpëtim Malasi dyshohet se transportoi motorin drejt Tepelenës, ndërsa Behar Zyberi dyshohet si bashkautor në ngjarje.

Megjithatë, roli dhe përgjegjësia penale e secilit prej tyre do të përcaktohen përfundimisht nga gjykata. Për momentin, këto janë dyshimet dhe provat që, sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, kanë çuar në identifikimin dhe hetimin e katër personave për atentatin ku humbi jetën Beqir Devolli.

Nga ana tjetër, dyshohet se ata nuk janë të vetmit, pasi ka edhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar. Ka dyshime të arsyeshme, bazuar në prova, se urdhri për vrasjen e Beqir Devollit në Gjirokastër, është dhënë nga Belgjika. Ndërsa motivi sipas grupit hetimor është humbja e një sasie kokaine, për të cilën e bënin përgjegjës Devollin.

TE DYSHUARIT DHE VIKTIMA

Katër emra, katër profile të ndryshme, por me një të përbashkët. sipas të dhënave të Policisë, të dyshuarit nuk janë persona të panjohur për botën e kriminalitetit.

Behar Zyberi, alias Behar Heqimaj, 64 vjeç, nga Fieri rezulton të ketë një të kaluar me disa përballje me drejtësinë. Një nga rastet e dokumentuara publikisht daton në mars të vitit 2018, kur ai akuzohej se kishte plagosur me thikë bashkëshorten e tij. Për këtë ngjarje, Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa Zyberi u arrestua në janar të vitit 2019, pasi kishte qëndruar në kërkim. Sipas Policisë, ai është dënuar edhe për vepra të tjera penale. Shpëtim Malasi, 42 vjeç, nga Patosi, është personi i dytë i arrestuar në këtë hetim, ndërsa për të nuk janë bërë ende publike të dhëna të detajuara mbi ndonjë precedent të mëparshëm. Për këtë ngjarje ai dyshohet se është personi që ka transportuar me makinën e tij nga Patosi në Tepelenë, motorin që është përdorur për vrasjen. Gentjan Zhupa, 38 vjeç, nga Tepelena, i shpallur në kërkim nga Policia shqiptare, rezulton të ketë pasur probleme me drejtësinë edhe në Britaninë e Madhe. Në vitin 2024, ai u dënua me 12 muaj burg pasi u zbulua një fermë kanabisi në një ambient industrial në Neyland të Uellsit. Gjatë kontrollit, policia gjeti 814 bimë kanabisi, me një vlerë të mundshme në treg deri në 350 mijë paund. Dënimi i tij konfirmohet edhe nga Policia Dyfed-Powys në njoftimin zyrtar për operacionin “Scotney”. Por më interesant është pretendimi i paraqitur gjatë procesit gjyqësor. Sipas raportimeve britanike, Zhupa, i cili ishte arrestuar në atë kohë bashkë me shqiptarin tjetër, Ergest Muçopata, deklaruan se kishin punuar në fermën e kanabisit për të shlyer borxhet ndaj personave që i kishin transportuar në Britaninë e Madhe. Një element që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionojnë këto rrjete. Borxhet, detyrimet dhe varësia e personave të përfshirë nga organizatorët që i transportojnë drejt vendeve të tjera. Tashmë, Gentjan Zhupa është shpallur në kërkim nga Policia shqiptare, si një prej katër personave të dyshuar për organizimin e atentatit me eksploziv ndaj Beqir Devollit në Gjirokastër.

Ndërsa Kliton Omeri, i njohur edhe si Kliton Nanushi, 44 vjeç, nga Tirana sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, ai rezulton me precedentë në fushën e krimeve kundër personit dhe krimit të organizuar, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Një tjetër episod në historikun e Kliton Omerit, i njohur edhe si Kliton Nanushi, daton në vitin 2017, kur ai u arrestua nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Euro”. Sipas njoftimit të asaj kohe, Nanushi u vu në pranga së bashku me dy persona të tjerë, të dyshuar për përdorimin e kartëmonedhave të falsifikuara 50 euro në dyqane, pika karburanti dhe lokale në Tiranë dhe Durrës. Në momentin e arrestimit, grupit iu gjetën 500 euro të dyshuara të falsifikuara, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe kartëmonedha të tjera, telefona dhe një thikë me palosje. Në njoftimin policor, Nanushi identifikohej si person i dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni.

Sinkron Altin Mërizaj, drejtor i Policisë Gjirokastër: “Dy personat janë shpallur në kërkim. Janë larguar menjëherë pas ngjarjes dhe janë në shtetet e Bashkimit Europian. Dimë edhe shtetet ku ndodhen. Jemi duke bashkëpunuar me Interpolin për vendndodhjen e tyre dhe kapjen e tyre në bashkëpunim me strukturat homologe. Ka një procedurë që zgjat pak në kohë”.

Tashmë, këta katër persona dyshohen për role të ndryshme në organizimin dhe realizimin e atentatit që i mori jetën Beqir Devollit. Por cili ishte roli konkret i secilit në këtë ngjarje, mbetet për t’u përcaktuar nga hetimi dhe drejtësia.

Sinkron Altin Mërizaj, drejtor i Policisë Gjirokastër: “Për rastin konkret nuk mendojmë që grupi kriminal apo personat që kanë organizuar, bashkëpunuar dhe ekzekutuar këtë krim të rëndë, nuk kanë lidhje me qarkun e Gjirokastrës. Nga hetimi i kësaj ngjarjeje ne na rezulton se lënda plasëse nuk është se është prodhuar apo përdoret nga persona me precedentë apo grupe kriminale në qarkun e Gjirokastrës, por dyshojmë se ka ardhur jashtë qarkut të Gjirokastrës. Është me komandim në distancë, që mënyrat janë dy: Me celular ose me telekomandë”. 

Nga ana tjetër, viktima Beqir Devolli, 48 vjeç, nga Gjirokastra, njihej edhe me nofkën “Çilo Hunderri”. Për një periudhë të gjatë kishte jetuar në Tiranë. Vetëm rreth tre muaj përpara se të ekzekutohej me eksploziv, ai ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes. Në Gjirokastër ai frekuentonte përgjithësisht dy lokale, njëri prej të cilëve ishte në pronësi të një të afërmit të tij. Në një prej këtyre lokaleve ai e kishte të parkuar automjetin e tij, në momentin që Kliton Omeri dyshohet se i ka vendosur bombën me telekomandë poshtë sediljes.

Emri i tij ishte i njohur edhe për strukturat e Policisë. Devolli kishte qëndruar për rreth dy vite në Tiranë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërkohë, Policia dyshon se ai mund të ketë qenë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike jashtë Shqipërisë.

Megjithatë, sipas drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, vitet e fundit nuk kishte pasur informacione për përfshirjen e tij në veprimtari kriminale në këtë qark.

Sinkron Altin Mërizaj, drejtori i Policisë Gjirokastër: “Viktima nuk është paraqitur asnjëherë në strukturat e Policisë. Nuk ka pasur ndonjë shqetësim të bërë prezent në strukturat e Policisë apo të ketë kallëzuar, jo e jo. Viktima qëndronte shpesh në dy ambiente, në dy lokale në territorin e Gjirokastrës dhe në njërin nga këto dy ambiente parkonte makinën dhe aty dyshojmë se është vendosur lënda eksplozive. Ka qenë i skeduar para shumë vitesh, por vitet e fundit nuk kemi pasur informacion për veprimtari kriminale në juridiksion të Gjirokastrës”.

Një profil me të kaluar të njohur për autoritetet, dyshime për lidhje me trafikun e drogës jashtë vendit, por pa shqetësime të raportuara në Policinë e Gjirokastrës gjatë viteve të fundit. Pikërisht kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen që qëndron në qendër të hetimit. Kush e kërkoi vdekjen e Beqir Devollit dhe çfarë konflikti fshihej pas atentatit? Dhe nga të gjithë të dhënat, provat dhe veprimet hetimore, duket se është gjetur edhe përgjigja e kësaj pyetje. Sipas dosjes hetimore, dyshohet se urdhri për vrasjen e Beqir Devollit është dhënë nga Belgjika. Ndërsa si motiv dyshohet se ka qenë pikërisht humbja e një sasie kokaine.

Në automjetin ku u vendos bomba me telekomandë ndodhej edhe 26-vjeçari Erigels Mela, i cili mbeti i plagosur lehtë nga shpërthimi. Sipas informacioneve të grupit hetimor, Mela kishte shoqëri me Beqir Devollin dhe të dy përdornin herë pas here edhe automjetet e njëri-tjetrit. I riu, i cili pësoi kryesisht dëmtime në veshë, pa rrezik për jetën, është gjithashtu djali i ish-prokurorit Përparim Mela, ndërsa nëna e tij, Mimoza Mela, punon si sekretare në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Sinkron Altin Mërizaj, drejtor i Policisë Gjirokastër: “Personi tjetër, pasagjeri që ka qenë në automjet, ishte lidhje shoqërore e viktimës. Frekuentohej prej disa kohësh me të dhe nuk kemi të dhëna për aktivitet kriminal të këtij personi”.

Shpërthimi në makinë, që i mori jetën 48-vjeçarit Beqir Devolli, ndodhi shumë pranë Policisë dhe Prokurorisë së Gjirokastrës. Për shumëkënd, vendi ku ndodhi ngjarja, u interpretua si një mesazh që mund të kishin autorët e ngjarjes për autoritetet. Megjithatë drejtori i Policisë së Gjirokastrës e përjashton këtë mundësi.

Sinkron Altin Mërizaj, drejtor i Policisë Gjirokastër: “Nga të gjitha veprimet hetimore të kryera nuk mendojmë se është bërë për të dhënë  një mesazh, për të ngjallur panik apo për t’i dhënë një mesazh Policisë së Shtetit. Nga veprimet tona nuk na rezulton që të ketë një mesazh të tillë”.

KUR KOKAINA HUMBET

Atentati në Gjirokastër duket se nuk e ka zanafillën në Shqipëri. Sipas Policisë dhe Prokurorisë, pas vrasjes së Beqir Devollit qëndron një ngarkesë kokaine e vjedhur në Belgjikë, ndërsa urdhri për eliminimin e tij dyshohet se është dhënë po nga atje. Nuk është hera e parë që zhdukja e një sasie kokaine kthehet në shkak për pengmarrje, tortura apo vrasje në botën e krimit.

Në vitin 2023, pas vjedhjes së një sasie prej më shumë se një ton kokaine në portin e Antwerpit, një 27-vjeçar u rrëmbye dhe u mbajt peng për ditë të tëra. Mes nëntë personave të arrestuar për këtë ngjarje ishte edhe një shtetas shqiptar. Një vit më parë, në zonën e Putte-s, zbulimi i më shumë se 100 kilogramëve kokainë, me një shenjë që i referohej Shqipërisë, u pasua nga një tjetër pengmarrje. Një 29-vjeçar u lidh dhe u fut në bagazhin e makinës, pasi dyshohej se kishte dijeni për zhdukjen e ngarkesës.

Ndërsa në Bruksel, përplasjet mes grupeve shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës përfunduan me ekzekutimin e Ardit Spahiut. Një vrasje për të cilën drejtësia belge dënoi me 25 vite burg Franc Çopjan, që sipas gjykatës, dha urdhrin për eliminimin e tij.

Por historia e Beqir Devollit nuk është rasti i parë kur një ngarkesë droge e humbur jashtë Shqipërisë dyshohet se ka sjellë pasoja fatale brenda vendit. Në janar të vitit 2020, një tjetër histori tronditi opinionin publik. Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz, u transportua në një kompleks në Shijak dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Në origjinë të kësaj ngjarjeje qëndronte një ngarkesë prej rreth 260 kilogramësh kokainë, e cila kishte mbërritur nga Ekuadori në portin e Portsmouth, në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas hetimeve, vëllai i Jan Prengës dyshohej se kishte marrë drogën, por nuk e kishte kthyer atë te personat që pretendonin pronësinë mbi ngarkesën. Përgjigjja e tyre, sipas SPAK-ut, ishte rrëmbimi i Jan Prengës. Ai u bë peng në një konflikt që nuk kishte nisur prej tij. Trupi i tij nuk është gjetur as sot.

Gjashtë vite më vonë, një tjetër konflikt për një sasi droge të vjedhur jashtë Shqipërisë dyshohet se përfundoi me një atentat vdekjeprurës në Gjirokastër. Dy histori të ndryshme, por me një pikë të përbashkët. Konfliktet e narkotrafikut ndërkombëtar nuk ndalen në kufijtë e vendeve ku humbasin ngarkesat. Ato mund të transferohen në Shqipëri, ku njerëz që bëhen pjesë e këtyre llogarive përfundojnë të rrëmbyer, të zhdukur ose të vrarë.

Një skemë e ngjashme hakmarrjeje për prishjen e pazareve të drogës jashtë Shqipërisë është zbuluar edhe më herët nga autoritetet shqiptare. Në dhjetor të vitit 2021, Policia e Lezhës parandaloi një atentat të planifikuar ndaj Preng Palucës nga Kamza, i cili kishte qenë më parë objekt i dy atentateve të tjera, në vitin 2018 dhe në gusht të vitit 2021. Sipas Policisë, dy persona kishin planifikuar eliminimin e tij në Tiranë, për shkak të konflikteve që lidhen me prishjen e pazareve të narkotikëve në Belgjikë. Për realizimin e vrasjes dyshohet se do të përdoreshin mina me telekomandë dhe armë zjarri. Në operacionin e koduar “Mataro” u arrestuan tre persona, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Gjatë kontrolleve u sekuestruan dy mina me telekomandë të mbushura me C-4, rreth 89 mijë euro dhe një arsenal armësh, mes tyre armë automatike me silenciator. Një precedent që tregon se konfliktet e lindura nga trafiku i drogës në tregjet Europiane mund të transferohen në Shqipëri, duke u shndërruar në plane eliminimi të organizuara me mjete shpërthyese dhe armë zjarri.

Përveç Belgjikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ngjarje të ngjashme ka pasur edhe në disa vende të tjera. Në Spanjë, veçanërisht në zonën e Malaga-s dhe Costa del Sol, janë regjistruar disa histori të rënda që përfshijnë shtetas shqiptarë. Një prej tyre është zhdukja e Taulant Malshit në gusht të vitit 2018. Ai u zhduk vetëm pak ditë pasi kishte mbërritur në Spanjë dhe dyshimet e familjarëve dhe të hetimeve shqiptare u përqendruan te një konflikt i mundshëm për një ngarkesë droge. Trupi i tij nuk është gjetur ende.

Një tjetër histori tragjike është ajo e Ded Dokajt, i cili në mars të vitit 2019 u torturua dhe u ekzekutua në Spanjë. Ndërsa në dhjetor të vitit 2020, Brendon Bregu u vra me armë zjarri në një restorant në Alicante, në një ngjarje ku një nga pistat e hetimit lidhej me një konflikt të mundshëm për para të përfituara nga trafiku i kokainës.

Por një nga rastet më domethënëse është ai i Miklovan Dakajt. I zhdukur në maj të vitit 2025, trupi i tij u gjet disa muaj më vonë në një rezervuar, brenda një thesi me blloqe betoni. Në prill të vitit 2026, Policia spanjolle konfirmoi se vrasja ishte kryer për larje hesapesh në kuadër të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Këto janë pamjet e vrasjes së një shtetasi shqiptar në Brazil, më 1 dhjetor të vitit 2020. Edhe sot, kjo ngjarje vijon të jetë e pazbardhur.

Dy vite pas ngjarjes, mediat braziliane publikuan detaje të reja nga ekzekutimi i shqiptarit Ilir Zelka në Sao Paulo. Në videon e publikuar duket momenti kur shqiptari 47-vjeçar futet për të konsumuar mëngjesin, ndërsa disa sekonda më pas vjen autori. I veshur me kostum rozë, po ashtu edhe me kokore, të cilën ai e heq vetëm në një moment, autori afrohet pranë vendit ku ishte ulur shqiptari dhe e qëllon nga jashtë xhamit. Zelka rrëzohet nga karrigia dhe tenton që të fshihet. Më pas autori largohet me shpejtësi me motor duke humbur gjurmët.

Në investigimin e publikuar nga mediat në Brazil në vitin 2022, thuhet se Ilir Zelka, nga Tirana, ka qenë në shoqërinë e një gruaja, e cila e ndihmonte me përkthimin. Në investigim thuhej se nga hetimet Ilir Zelka kishte mbërritur në Brazil për të ndihmuar një shqiptar që të dilte nga burgu. Mësohet se shqiptari i arrestuar atje quhej Dritan dhe ishte kapur në Rio de Janiero në vitin 2017 për trafik ndërkombëtar droge. Ai ishte martuar me një shtetase braziliane të quajtur Aline. Kjo e fundit thuhet se është takuar me Ilir Zelkën, i cili ishte prezantuar si daja i Dritanit. Ai kishte thënë se me një shumë prej 15 mijë eurosh do të pajtonte një avokat që të ndiqte çështjen e burgosjes së Dritanit.

Aline komunikonte me mesazhe me Dritanin në burg. Kur Ilir Zelka u vra, ajo i shfaqi shqetësimin e saj Dritanit. Gjithashtu ajo është kapur duke folur me shqiptarin. Komunikimet mes Dritanit në burg dhe Ilir Zelkës bëheshin nëpërmjet aplikacionit SKY, një aplikacion i përdorur gjerësisht nga bota e krimit, i cili sot po përdoret gjerësisht si provë e rëndësishme në duart e autoriteteve ligjzbatuese, duke zbuluar emra trafikantësh që nuk kishin dalë në skenë kurrë më parë.

Ilir Zelka nuk ishte shqiptari i parë që ekzekutohej në Amerikën e Jugut. Disa ngjarje të ngjashme kishin ndodhur më herët në Ekuador. Edhe në Brazil, nuk ishte e para, pasi në vitin 2019, një tjetër shqiptar, kishte humbur jetën në një sulm me armë. Por një ekzekutim i kësaj natyre, tipike mafioze, mori vëmendjen e autoriteteve dhe mediave në Amerikën e Jugut, por edhe në Shqipëri.

Vitet e fundit, kryefjala e raportimeve për trafikun ndërkombëtar të drogës nga kontinenti i largët, ishte Ekuadori. Arsyet ishin të shumta, që nga lehtësia e kalimit të kufijve, te korrupsioni i strukturave përgjegjëse, pozicioni gjeostrategjik i porteve të këtij shteti e deri te zotërimi i një ekonomie pa mekanizma kundër pastrimit të parave. Për më tepër, prania e një peizazhi kriminal të decentralizuar, ndryshe nga Kolumbia, Brazili apo Meksika, u lejon grupeve të huaja kriminale një shkallë mjaft të lartë autonomie.

Në tetor të vitit 2022, Policia italiane zbuloi një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Gjatë operacionit të koduar “Magma”, u arrestuan 15 persona, ndërsa për 9 të tjerë gjykata kishte vendosur masë “arrest shtëpie”. Grupi kriminal, i cili përdorte telefona të koduar, komunikonte me organizata që kishin bazat e tyre operacionale në Shqipëri dhe Brazil. Operacioni “Magma”, ishte në fakt vazhdim i një të mëparshmi kundër “Ndrangheta”-s të përfunduar në vitin 2019. Rrjeti italian, i cili përdorte celularë të koduar ose kabina telefonike publike për të komunikuar, lidhej me organizata të ndryshme që kishin bazat e tyre operacionale në Shqipëri dhe Brazil. Trafikantët kishin arritur të sillnin ngarkesa të mëdha kokaine nga Brazili, që fillimisht magazinoheshin në Zvicër, më pas transportoheshin në zonën e Lombardisë dhe për t’u shitur te tregtarët me shumicë, përfshirë edhe një subjekt shqiptar me rëndësi të veçantë kriminale.

Pas problemeve të lidhura me pagesën e lëndës narkotike, një anëtar i organizatës braziliane që furnizonte me kokainë grupin, ka udhëtuar drejt Kalabrisë për të takuar kreun e bandës kriminale, në mënyrë që të gjenin një zgjidhje. Hetimi më pas zbuloi se si kjo organizate kriminale prodhonte vetë sasi të mëdha kanabisi, duke u kujdesur për proceset e mëpasshme të përpunimit. Të dyshuarit, për të diversifikuar dhe intensifikuar lulëzimin e aktivitetit të paligjshëm, kanë kultivuar marijuanë në një zonë rurale të Bashkisë Candidon. Ky grup drejtonte gjithashtu një aktivitet të konsoliduar të klasifikimit të drogës nëpërmjet përdorimit të korrierëve të posaçëm Në një rast, një bashkëpunëtor që do të nisej për në Siçili u arrestua në flagrancë.

Në raportin e vitit 2021, EUROPOL shpjegonte se shumica e kokainës së pranishme në Europë është e importuar dhe se prodhimi vendas është pothuajse inekzistent.  Kolumbia vazhdon të jetë furnizuesi kryesor Europian, me rolin e Brazilit, i cili është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Ardhja e kokainës në kontinent është e mundur falë koordinimit midis karteleve të Amerikës së Jugut dhe atyre me bazë në Europë. Sipas raportit të EUROPOL, roli që u luajt historikisht nga “Ndrangheta” tani po kalon në duart e organizatave të tjera dhe në dhjetë vitet e fundit, grupet shqiptare janë rritur më së shumti.

Ndërsa, siç theksohet në raport, duket se këto organizata tani janë në gjendje të menaxhojnë rrjete të mëdha shpërndarëse në Europë me një shkallë të caktuar koordinimi transnacional dhe të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine.

Që nga viti 2012, grupet shqipfolëse janë bërë jashtëzakonisht me ndikim në portet kryesore në Amerikën e Jugut, si në Venezuelë, Brazil, Kolumbi dhe Ekuador, por edhe në Europë, kryesisht Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Spanjë.

Por, kontrolli mbi këto rrjete ndërkombëtare të furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës nuk sjell vetëm fitime marramendëse. Ai prodhon edhe konflikte të ashpra mes grupeve kriminale, veçanërisht kur ngarkesat narkotike vidhen, humbasin apo nuk mbërrijnë te personat që pretendojnë pronësinë e tyre. Në një treg ku vlera e një ngarkese mund të arrijë miliona euro, humbja e saj nuk trajtohet thjesht si një dëm financiar, por shpesh kthehet në çështje hakmarrjeje dhe larjeje hesapesh. Borxhet, tradhtitë e dyshuara dhe prishja e pazareve mund të përfundojnë në rrëmbime, tortura dhe atentate me eksploziv apo armë zjarri. Dhe në këto përplasje, pasojat nuk mbeten domosdoshmërisht në vendin ku humbet droga. Ato mund të transferohen mijëra kilometra larg, deri në Shqipëri.

Ngjarje të ndryshme, në qytete dhe shtete të ndryshme, por me një mekanizëm që përsëritet. Një ngarkesë droge që humbet, dyshime për tradhti, llogari të pambyllura dhe dhunë që kalon kufijtë.

Nga Belgjika në Gjirokastër. Nga një ngarkesë droge e humbur në një konflikt që, sipas dyshimeve të Policisë, përfundoi me një automjet të hedhur në erë.

Historia e Beqir Devollit është një tjetër dëshmi se përplasjet e botës së narkotrafikut nuk mbeten domosdoshmërisht aty ku lindin. Ato udhëtojnë bashkë me paratë, me ngarkesat e humbura, me borxhet dhe me njerëzit që i mbartin këto konflikte nga një shtet në tjetrin.

Rasti i Taulant Malshit, i zhdukur në Spanjë dhe ende pa një përgjigje përfundimtare për fatin e tij, pengmarrjet për ngarkesat e humbura të kokainës dhe operacionet e policisë spanjolle kundër personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, tregojnë se sa e dhunshme mund të jetë kjo botë.

Por pas çdo sasie të humbur, pas çdo borxhi dhe pas çdo pazari të prishur, dikush paguan me jetë e dikush tjetër, që duhet të mbajë përgjegjësi ligjore, shpesh nuk gjendet. Të paktën jo aq lehtë.

Në Gjirokastër, përgjigjen përfundimtare për vrasjen e Beqir Devollit duhet ta japë drejtësia. Hetimi duhet të zbardhë jo vetëm kush e vendosi eksplozivin, por edhe kush e urdhëroi atentatin, kush e financoi dhe kush qëndron pas konfliktit që, sipas Policisë, nisi për një sasi droge të vjedhur në Belgjikë.

Sepse dyshimi se një ngarkesë droge e humbur mijëra kilometra larg mund të jetë arsyeja e një atentati në Shqipëri ngre një tjetër alarm. Sa larg shtrihen rrjetet kriminale që veprojnë jashtë vendit dhe sa lehtë i transferojnë konfliktet e tyre në territorin shqiptar? Një njeri humbi jetën. Një tjetër mbeti i plagosur. Ndërsa përgjigjet për organizatorët, urdhëruesit dhe motivin e plotë të kësaj ngjarjeje mbeten në duart e hetuesve dhe të drejtësisë.

Droga mund të vidhet në Belgjikë. Por fatura e saj, edhe një herë, dyshohet se u pagua me gjak në Shqipëri./Gjërat tona

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.